BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 9 nëntor 2016
Data e publikimit: 09.11.2016
Ekonomia shqiptare ka vazhduar të shfaqë shenja përmirësimi gjatë dy tremujorëve të fundit. Aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje progresive, inflacioni po lëviz gradualisht drejt objektivit, ndërsa tregjet financiare mbeten të qeta dhe kostot e financimit në to janë pranë minimumeve historike. Këto tendenca reflektojnë efektet e politikës monetare stimuluese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, përmirësimin e besimit në ekonomi dhe qetësimin e goditjeve nga ambienti i huaj.
Informacioni i ri i marrë në analizë në këtë raport ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona.
Gjithashtu, përditësimi i parashikimeve afatmesme nuk ka ndryshuar trajektoret e pritura të rritjes ekonomike dhe të inflacionit.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë.
Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë rezultoi në nivelin 1.9%, duke shënuar rritje kundrejt vlerave të ulëta të regjistruara në dy tremujorët paraardhës. Inflacioni zbriti në nivelin 1.5% në muajin tetor. Rritja e inflacionit gjatë tremujorit të tretë dhe rënia e tij në muajin tetor u ndikuan nga luhatjet e inflacionit të ushqimeve dhe të naftës.
Rritja e inflacionit gjatë gjysmës së dytë të vitit pasqyron forcimin e presioneve inflacioniste nga kërkesa e brendshme dhe zbutjen e presioneve të huaja dezinflacioniste. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në vend ka sjellë rritje të punësimit e ulje të papunësisë. Lëvizja graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit krijon premisa për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit në horizontin afatmesëm. Këto tendenca janë reflektuar në rritjen e inflacionit bazë. Ashtu dhe sikundër pritej, efekti i goditjeve të huaja në inflacion dhe presionet dezinflacioniste të importuara nga jashtë janë zbutur. Këta faktorë kanë ndikuar dhe pritet të vazhdojnë të mbështesin trendin rritës të inflacionit në horizontin afatmesëm.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, aktiviteti ekonomik shënoi rritje vjetore prej 3.2% në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike e tremujorit të tretë e të katërt do të mbetet në nivele të krahasueshme.
E parë nga këndvështrimi sektorial, rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e aktivitetit të sektorit të shërbimeve, i ardhur kryesisht si pasojë e një sezoni të mirë turistik. Ndërkohë, sektori prodhues i cili përmbledh aktivitetet e degëve të industrisë, të ndërtimit dhe të bujqësisë ishte pothuaj në nivele të njëjta me një vit më parë.
E parë nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike u mbështet nga forcimi i kërkesës së brendshme, në përgjigje edhe të përmirësimit të konsumit familjar, ndërkohë që aktiviteti tregtar me jashtë dha një kontribut negativ në rritje.
Konsumi dhe investimet private kanë mbajtur peshën kryesore në rritjen ekonomike. Zgjerimi i tyre është mbështetur nga përmirësimi i besimit, nga rritja e punësimit dhe shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve prodhuese, si dhe nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte. Paralelisht me to, politika monetare lehtësuese ka krijuar kushte favorizuese për stimulimin e konsumit dhe për financimin e investimeve.
Nga ana tjetër, zgjerimi i kërkesës së brendshme është shoqëruar me rritjen e shpejtë të importeve. Si pasojë e koniunkturave të pafavorshme për produktet tona në tregjet ndërkombëtare, kjo rritje nuk është kompensuar nga zgjerimi i njëkohshëm i eksporteve, ndonëse të ardhurat nga aktiviteti i turizmit kanë rezultuar në rritje. Në këto rrethana, aktiviteti tregtar me jashtë ka kontribuar negativisht në rritjen ekonomike të tremujorit të dytë.
Së fundi, politika fiskale vazhdon të ketë një kurs konsolidues, çka ka prodhuar dhe një suficit buxhetor prej rreth 10.6 miliardë lekësh deri në muajin shtator. Realizimi i shpenzimeve publike sipas hapësirave të lejuara nga plani i deficitit buxhetor për vitin 2016 sugjeron se ndikimi frenues i konsolidimit fiskal në rritjen ekonomike do të jetë më i ulët në tremujorin e fundit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se një shpërndarje më e njëtrajtshme e huamarrjes dhe deficitit në të ardhmen do të ndihmonin në rritjen e efektivitetit të financave publike dhe në zbutjen e luhatjeve ekonomike e financiare të gjeneruara prej tyre.
Përditësimi i parashikimeve afatmesme ka konfirmuar pritjet tona të mëparshme.
Sipas parashikimit të Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik i vendit do të vijë në rritje gjatë kësaj periudhe dhe ekonomia shqiptare do të rikthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017. Rritja ekonomike do të udhëhiqet nga konsumi dhe investimet private, ndërkohë që aktiviteti tregtar me jashtë parashikohet të luajë një rol dytësor në rritje dhe politika fiskale pritet të mbetet në kahun konsolidues.
Kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe stabilizimi i ambientit të jashtëm do të krijojnë kushte për një rritje progresive të inflacionit në afatin e mesëm. Inflacioni vjetor pritet të shënojë vlerën 2.3% pas katër tremujorësh dhe të kthehet në objektiv gjatë vitit 2018.
Duke faktorizuar dhe kahun e pritur konsolidues të politikës fiskale, këto parashikime janë të kushtëzuara dhe konsistente me ndjekjen e një politike monetare lehtësuese gjatë këtij horizonti kohor.
Stimujt tanë monetarë, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit, injektimeve të vazhdueshme të likuiditetit dhe orientimit të tregut mbi të ardhmen e politikës monetare, janë përcjellë në uljen e ndjeshme të kostove të financimit në tregjet financiare. Normat e interesit të kredisë në lekë janë në nivele minimale historike, duke favorizuar rritjen e qëndrueshme të portofolit të kredisë në lekë. Duke përjashtuar efektin e nxjerrjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave, rritja vjetore e kredisë në lekë në fund të muajit shtator ishte rreth nivelit 8.2%, duke mbajtur peshën kryesore në rritjen e portofolit total të kredisë. Kredia totale për sektorin privat regjistroi rritje vjetore prej 3.3% në fund të muajit shtator. Paralelisht me të, nivelet e ulëta të normave të interesit lehtësojnë kostot e shërbimit të borxhit ekzistues, ndihmojnë në përmirësimin e bilanceve të sektorit real dhe favorizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit e investimeve.
Nivelet e ulëta të normave të interesit, si dhe një sistem bankar likuid dhe i mirëkapitalizuar, janë premisa pozitive për rritjen e kredisë dhe për financimin e rritjes ekonomike të vendit. Megjithatë, politikat kredituese të bankave mbeten ende konservatore, si pasojë e shtrëngimit të normave mbikëqyrëse e rregullatore në nivel evropian, por edhe si pasojë e perceptimit ende të lartë të rrezikut të kredisë në vend. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson masat e deritanishme të marra dhe gjykon se zbatimi i plotë dhe në kohë i planit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme do të jetë një ndihmë e madhe për përmirësimin e ambientit financiar në vend.
Së bashku me zbatimin e dimensioneve të tjera të reformës strukturore, këto masa do të ndihmojnë në plotësimin e objektivave tanë afatmesëm dhe në zgjerimin e mëtejshëm të potencialit të vendit.
***
Duke gjykuar mbi analizën dhe parashikimet e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
-
Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%;
-
Të mbajë të pandryshuar normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.25% dhe 2.25%.
Gjithashtu, duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, mbi zhvillimet e pritura dhe rreziqet rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017.