BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani në Konferencën e përbashkët për shtyp me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me Ministrin e Financave

Data e publikimit: 23.07.2003

 

23 korrik 2003

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani në Konferencën e përbashkët për shtyp me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me Ministrin e Financave

Në përfundim të takimeve që Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar pati me autoritetet më të larta të financave e ato monetare shqiptare gjatë periudhës 14-22 korrik 2003, lidhur me ecurinë e Marëveshjes trevjecare me autoritetet shqiptare, u zhvillua një konferencë shtypi e përbashkët me pjesëmarrjen e Z.Hossein Samiei, Shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Z.Kastriot Islami, Ministër i Financave dhe Z.Shkëlqim Cani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Më poshtë do të lexoni fjalën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë mbajtur në këtë konferencë, ndërsa prezantimet e Shefit te Misioni të FMN-së dhe të Ministrit të Financave mund t'i lexoni duke klikuar ne fjalitë përkatëse.

Fjala e Guvernatorit

Banka e Shqipërisë vlerëson dokumentin konkludues të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar si një pasqyrë reale e analizës së ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe e vazhdimësisë së Memorandumit të Mirëkuptimit mes Autoriteteve Shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Personalisht, po e përqëndroj fjalën time në zhvillimet monetare të sintetizuara në mbajtjen e një norme inflacioni brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, 2-4 për qind.

Banka e Shqipërisë si gjithmonë ka qenë në kontakte dhe konsultime me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në zbatimin e një politike monetare "të zbutur" gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 2003. Norma bazë e interesit u ul dy herë me nga 0.5 pikë përqindjeje.

Banka e Shqipërisë me kënaqësi vuri re se bankat e nivelit të dytë dhe tregu në përgjithësi, kanë kuptuar dhe kanë reflektuar ndonjëherë edhe në avancë politikën monetare, duke ulur në mënyrë të vazhdueshme normat e interesit për kreditë dhe për depozitat.

Parashikimet për treguesin e inflacionit duken pozitive dhe megjithë ndikimet e mundshme, Banka e Shqipërisë parashikon arritjen e objektivit të saj për inflacionin edhe për vitin 2003.

Duke patur parasysh këtë fakt, për muajt në vijim, Banka e Shqipërisë parashikon hapësira për politikë "të zbutur" monetare. Por, koha dhe veprimet me normën e interesit janë kryesisht në varësi të zhvillimeve dhe të parashikimit të treguesit të inflacionit.

Në të njëjtën kohë, gjatë bisedimeve me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, një vend të rëndësishëm zuri reforma në sistemin bankar, në drejtim të privatizimit të Bankës së Kursimeve dhe të krijimit të tregut sekondar të bonove të thesarit.

Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe vetë Banka e Kursimeve, kanë ndërmarrë një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut për përparësitë dhe për domosdoshmërinë e privatizimit dhe po ndjek hap pas hapi procesin e ristrukturimit të Bankës.

Përsa u përket reformave strukturore, Banka e Shqipërisë vlerëson rolin e tregut sekondar të bonove të thesarit dhe do të mbështesë çdo nismë konkrete të autoriteteve respektive në krijimin dhe në thellimin e këtij tregu.


Ju faleminderit.

* * *

Fjala e Z.Hossien Samiei, Shef i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar

Fjala e Z.Kastriot Islami, Ministër i Financave.