BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje

Data e publikimit: 26.09.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 26 shtator 2007, pasi mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit ekonomiko - financiare vendosi të rrisë normën bazë të interesit (interesi i marrëveshjeve të riblerjes me maturim shtatëditor) me 0.25 pikë përqindjeje, në nivelin 6.00 për qind.

Të dhënat për ecurinë e treguesve ekonomikë flasin për praninë e rreziqeve që ushtrojnë presione rritëse mbi normën e inflacionit përtej objektivit të Bankës së Shqipërisë. Rritja e çmimeve të administruara dhe çmimet e larta të lëndës së parë në nivel botëror po përcillen në koston e produkteve në vend. Gjatë dy muajve të fundit, zhvillimet e çmimeve të artikujve bujqësorë kanë kthyer tendencën rënëse, e cila ka zbutur presionet inflacioniste në dy vitet e fundit. Gjithashtu, kostoja në rritje e energjisë në aktivitetin ekonomik po evidentohet në ecurinë e nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Këto efekte pritet të shtrihen në kohë duke ruajtur presionet e kahut të ofertës.

Aktiviteti i ekonomisë është mbështetur nga rritja e kredisë gjatë dy viteve të fundit. Ritmet e larta të kredisë kanë ushqyer kërkesën agregate dhe kanë lejuar përcjelljen e kostove më të larta në rritjen e çmimeve të konsumit. Rritja e kërkesës së ekonomisë për mallra dhe shërbime është shoqëruar me zgjerimin e deficitit të llogarisë korente.

Ky vendim është në vijim të komunikimeve më të hershme, të bëra të njohura publikisht nga ana e Këshillit Mbikëqyrës. Në qendër të tij është vendosmëria jonë për të mbajtur të ankoruara pritjet inflacioniste rreth nivelit 3 për qind, i cili është dhe objektivi numerik i politikës tonë monetare.

Informacioni shtesë gjatë muajve shtator-tetor do të qartësojë nevojën për hapa të mëtejshëm në drejtim të stabilizimit të pritshmërive për inflacionin, në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Duke qenë se Banka e Shqipërisë është autoriteti licencues dhe i mbikëqyrjes së sistemit bankar, Këshilli Mbikëqyrës rithekson gatishmërinë e tij për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë ligjore jo vetëm në drejtim të stabilitetit të çmimeve të konsumit por edhe në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit bankar.

* * *

Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp mbi rritjen e normës bazë të interesit në 6 për qind.

Pyetje: Z. Guvernator, si mendoni se do të ndikojë rritja e çmimit të drithërave në tregjet ndërkombëtare në rritjen e çmimeve në tregun vendas?

Përgjigje: Siç e kam theksuar edhe më parë, vlerësimet tregojnë se importet nga vendet fqinje pa dyshim që ndikojnë në koston e çmimit vendas. Analizat e mëvonshme do na japin mundësinë të gjykojmë peshën ekzakte të këtij ndikimi.

Pyetje: Z. Guvernator, nëse inflacioni në muajt në vijim do të jetë mbi nivelin 3 për qind, a do ta rrisë Banka e Shqipërisë përsëri normën e interesit?

Përgjigje: Gjatë gjithë muajve të këtij viti në Komitetin e Politikës Monetare, por edhe gjatë mbledhjeve të Këshillit Mbikëqyrës, është debatuar gjerësisht çështja e mënyrës së komunikimit me publikun, për t'ia bërë sa më të qartë atij jo vetëm objektivin tonë por edhe strategjitë e taktikat e Bankës së Shqipërisë dhe të politikës monetare për mbajtjen e inflacionit nën kontroll. Natyrisht që gjatë gjithë kësaj periudhe ne ju kemi komunikuar se Banka e Shqipërisë është krejtësisht e angazhuar dhe në gatishmëri të plotë të përdorë të gjithë arsenalin e saj për ruajtjen e objektivit tonë. Në mbledhjen e sotme u la e hapur çdo mundësi për përdorimin e këtij arsenali në rast se presionet inflacioniste në ekonomi do të jenë të pranishme apo do të shtohen. Sigurisht, që një komunikim i përhershëm me publikun është mjaft i rëndësishëm; në këtë kuadër ishte dhe takimi ynë rajonal në Sarandë. Ne do të vazhdojmë të komunikojmë pa ndërprerje me tregun dhe publikun në përgjithësi. Deklaratat për shtyp, një seri publikimesh dhe kontaktet e vazhdueshme do të ndikojnë në krijimin e themeleve sa më solide në ankorimin e prirjeve inflacioniste në ekonomi.

Pyetje: Z. Guvernator, sipas raporteve të Bankës së Shqipërisë deficiti tregtar është rritur me 20 për qind në gjashtëmujorin e parë 2007. Mendoni se kjo rritje e normës bazë të interesit do të ndikojë negativisht në thellimin e deficitit tregtar?

Përgjigje: Banka e Shqipërisë po e shikon me mjaft kujdes rritjen e deficitit të llogarisë korente. Kjo, e nxitur pa diskutim dhe nga kreditimi i shpejtë i ekonomisë. Në qendër të vëmendjes tonë është analiza e thellë e lidhjes organike të këtyre faktorëve dhe mbi të gjitha është kualiteti dhe eficienca e dhënies së kredisë, e cila do të vazhdojë me të njëjtin ritëm po njëkohësisht kërkon një prudencë më të madhe nga ana e Bankës së Shqipërisë. Ne kërkojmë nga sistemi bankar që të rrisë nivelin e qeverisjes, të raportimit, kontrollin e brendshëm dhe sidomos transparencën ndaj publikut. Në pikën e fundit do të shtoja dhe aktorët e tjerë, që janë përgjegjës direktë në problemin e transparencës, të jenë më aktivë për sa i përket këtij procesi në nivelin bankar, financiar dhe më gjerë.