BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje, dhe pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp

Data e publikimit: 27.06.2007

 

 

Mirëdita,

Në këtë komunikim të radhës me shtypin dhe nëpërmjet jush, me tregun financiar, bizneset, konsumatorët dhe të gjithë agjentët e tjerë ekonomikë, dëshiroj t'ju informoj në lidhje me vendimin e sotëm të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për rritjen e normës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje.

Në mbledhjen e ditës së sotme u diskutuan gjerësisht zhvillimet më të fundit në çmimet e konsumit, si dhe në treguesit ekonomikë e monetarë. Ky takim ishte thellim i mëtejshëm i analizave të mëparshme të Bankës së Shqipërisë, duke konfirmuar konkluzionet tona në lidhje me ecurinë e aktivitetit ekonomik dhe të presioneve inflacioniste.

Në mënyrë të përmbledhur, arrihet në konkluzionin se objektivat e përgjithshëm makroekonomikë janë në kufijtë e parashikuar në programin e zhvillimit ekonomik të vendit. Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik është i qëndrueshëm. Ambienti i përgjithshëm i gjysmës së parë të vitit ka rezultuar jo-inflacionist, me norma vjetore të cilat mesatarisht luhaten rreth nivelit 2-2.5 për qind. Zhvillimet monetare kanë pasqyruar një aktivitet në rritje përsa i takon kreditimit të ekonomisë, ndërkohë që aktiviteti fiskal nuk ka ecur sipas planit. Ashtu si edhe vitin e kaluar, në 6 muajt e parë të vitit 2007 buxheti fiskal vazhdon të karakterizohet nga teprica, të cilat pasqyrojnë kryesisht shkallën e ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale. Nga ana tjetër, deficiti tregtar ka shënuar një zgjerim të dukshëm gjatë tremujorit të parë të vitit, duke gjeneruar premisa për krijimin e zhbalancimeve në sektorin e jashtëm të ekonomisë.

Tregu financiar është karakterizuar nga një aktivitet më i lartë në të gjitha segmentet e tij. Pas stabilizimit të likuiditetit në sistemin bankar në fillim të tremujorit të dytë të vitit, normat e interesit të tregut kanë evidentuar një tendencë rritëse, duke bërë të mundur materializimin në shkallë të kënaqshme të vendimeve më të hershme të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Kursi i këmbimit, i cili u karakterizua nga tendenca nënçmuese në pjesën e parë të vitit, ka regjistruar një ecuri më të stabilizuar në tremujorin e dytë, duke reaguar ndaj faktorëve sezonalë, zhvillimeve në tregun ndërkombëtar dhe ecurisë së kushteve monetare në vend. Ndërkohë, nëpërmjet integrimit në rritje të tregjeve financiare shqiptare, politikat e ndjekura nga Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale, janë pasqyruar edhe në tregun e brendshëm valutor. Këto zhvillime mbartin implikime më të gjera në treguesit e tjerë të sistemit financiar, në aktivitetin ekonomik dhe në politikën monetare.
Një çështje primare e diskutimeve ishin zhvillimet e pritshme në ekonomi, parashikimet e stafit të Bankës së Shqipërisë për zhvillimet inflacioniste në 12 muajt në vijim si dhe rreziqet potenciale, materializimi i të cilave do të ndikonte negativisht në devijimin e inflacionit nga objektivi prej 3 për qind, i Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës analizoi me kujdes rreziqet e mëposhtme:

  • Rritjen e kërkesës së brendshme, në sajë të ritmit të lartë të kreditimit dhe të kushteve monetare të cilat kanë një karakter stimulues. Një faktor shtesë në këtë drejtim do të përbëjë edhe rritja e pritur e shpenzimeve buxhetore dhe huamarrjes së brendshme, në gjysmën e dytë të vitit. Rritja e kërkesës së ekonomisë për mallra e shërbime, manifestohet në forcimin e presioneve inflacioniste dhe në zhbalancime në sektorin e jashtëm të ekonomisë, nëpërmjet zgjerimit të deficitit tregtar dhe presioneve mbi kursin e këmbimit. Të dyja këto forma çekuilibri janë të dëmshme për perspektivën e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, në periudhën afatgjatë.
  • Rritjen e shpejtë të ofertës monetare, e cila është një premisë për lindjen dhe qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste.
  • Shtrëngimin e politikës monetare në nivel global dhe implikimet që ka ajo për kushtet monetare në Shqipëri.
  • Rritjen e pritshme të çmimeve të administruara si dhe çmimet e larta të lëndëve të para në nivel botëror.
  • Nevojën për ruajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara tek objektivi i Bankës së Shqipërisë, si një parakusht për një politikë monetare të suksesshme dhe efektive.

Pas shqyrtimit analitik të çdo elementi rreziku, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë arriti në përfundimin se materializimi i disa faktorëve është konsumuar, ndërkohë që për të tjerët ekziston një mundësi reale ndodhjeje. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin 5.75 për qind. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se vendimi i fundit është një lëvizje në përmbushje të mandatit ligjor të Bankës së Shqipërisë, atij të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Ky vendim mbart një fizionomi moderne vendimmarrjeje; atë të minimizimit të materializimit të rreziqeve në të ardhmen.

Rritja e normës së interesit synon ridimensionimin e kushteve monetare në ekonomi, duke i sjellë ato në linjë me objektivin e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve në muajt e ardhshëm. Rritja e normës së interesit do të ndihmojë në kontrollin e kërkesës së brendshme të ekonomisë, duke rivlerësuar incentivat monetare për konsum e për kursim. Gjithashtu, ajo do të ndihmojë në frenimin e rritjes së lartë të mjeteve monetare në ekonomi. Ky sinjal shpreh gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen nën kontroll të presioneve inflacioniste. Së fundi, Banka e Shqipërisë thekson se, në opinionin e saj, kushtet monetare mbeten ende në kahun akomodues të rritjes ekonomike.

Ju faleminderit për vëmendjen.

* * *

 

Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp mbi rritjen e normës bazë të interesit në 5.75 për qind.


Pyetje: Z. Guvernator, në harkun kohor prej një viti po rritet tendenca e kredisë me probleme. Mendoni se do të ketë probleme, pra do shtohet rreziku i kredisë me probleme nga rritja e interesave?

Përgjigje: Në komunikimet e mia me publikun unë kam vënë gjithmonë theksin në një prudencë më të madhe për rritjet e ritmeve të kreditimit, por nuk kam vënë asnjë theks në përkeqësimin e treguesve të kreditimit. Natyrisht që një guvernator duhet të jetë gjithmonë i shqetësuar dhe të marrë masat në kohë, prandaj kjo përbën dhe strategjiënë që Banka e Shqipërisë ka ndjekur. Treguesit e kredisë me probleme nuk janë në rritje, ka një rregullim të tyre, por dhe ritmet e shpejta të rritjes së kreditimit pa diskutim që çojnë në marrjen e masave në kohë. Për këtë Banka e Shqipërisë në një vendim tjetër të sotëm të saj vendosi krijimin e Departamentit të Stabilitetit Financiar, i cili do të ndihmojë Bankën e Shqipërisë, ambientin makroekonomik dhe agjentët e ndryshëm në monitorimin sa më të mirë të prirjeve inflacioniste dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurtë makroekonomik

Pyetje: Z. Guvernator, duke pasur parasysh që tregjet kanë reaguar në një farë mase me rritjet e normave të interesit, a mos është ky një reagim i vonuar i Bankës dhe si do të veprohet gjatë rrugës në vazhdim, a do të ketë shtrirje të mëtejshme të politikës monetare apo jo?

Përgjigje: Në qoftë se do të lexonim midis rreshtave në fund të fjalës time, Banka e Shqipërisë thekson se në opinionin e saj kushtet monetare mbeten ende në kahun akomodues të rritjes ekonomike. Dhe për sa i përket kohës, do të thoja që është mjaft mirë që tregu tashmë ka akomoduar këtë rritje të Bankës së Shqipërisë. Kjo tregon që kemi një komunikim më të mirë të Bankës së Shqipërisë me publikun dhe njëkohësisht një ndërgjegjësim më të mirë të të gjithë agjentëve makroekonomikë, mbi synimet e ankorimit të pritjeve inflacioniste të Bankës së Shqipërisë në të ardhmen. Dhe atë që doja të thoja për kohën e zgjedhur sipas një shprehje anonime "çatia rregullohet gjithmonë në verë".

Pyetje: Z. Guvernatori, sa ndikim pritet që të ketë rritja e normës së interesit në frenimin e kredisë, duke patur parasysh, e para që 70 për qind e kredisë është në valutë dhe e dyta që nuk është vënë re që klientët shqiptarë të paktën të reagojnë ndaj një rritje të normave të interesit duke frenuar kërkesën. Së dyti Banka Amerikane në raportin vjetor paralajmëronte për një rrezik të kredisë për shkak se bankat po japin kredi jashtë kritereve, si e gjykoni ju këtë?

Për sa i përket transmetimit të politikës monetare, unë do të thoja që ka një përshtatje mjaft të mirë. Natyrisht instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe bankave qendrore është norma e interesit dhe fakti që nga viti i kaluar bankat kanë reaguar me rritjen e normave të interesit dhe rritjen e yieldeve të bonove të thesarit tregon për një vëmendje më të madhe, që i kushtojnë lëvizjeve të Bankës së Shqipërisë për ankorimin e pritjeve inflacioniste

Së dyti, do të thoja natyrisht që në dy vjet e gjysëm nga një normë kreditimi 7% ndaj PBB-së të shkosh në 29%, siç është programuar për vitin 2007 është një kalim i madh, i cili kërkon një prudencë mjaft të madhe jo vetëm nga Banka e Shqipërisë, por dhe nga sistemi bankar dhe financiar. Në këtë kuptim rritja e normës bazë të interesit është një nga elementet, por Banka e Shqipërisë në paketën e saj rregullative në bazë të ligjit të sistemit bankar të miratuar nga parlamenti, i cili hyri në fuqi këtë muaj, merr disa masa për prudencë akoma më të madhe në kushtet e dhënies dhe administrimit të kreditimit, në rritjen e qeverisjes së sistemit bankar, të kontrollit të brendshëm dhe njëkohësisht të transparencës si një nga elementet më të rëndësishme për rritjen e konkurrencës, e cila padiskutim do të bëjë të mundur dhe kontrollin sa më të mirë të dhënies së kredisë.