BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Fjala e hapjes e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në Konferencën e 6-të Ndërkombëtare të BSh-së, "Tregu financiar rajonal dhe stabiliteti financiar: Një koncept midis sovranitetit kombëtar dhe globalizimit", Hotel "Sheraton"

Data e publikimit: 30.10.2006

 

I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar pjesëmarrës!


Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj të hap punimet e Konferencës së Gjashtë vjetore të Bankës së Shqipërisë dhe t'ju mirëpres në Tiranë.

Tema e zgjedhur për këtë vit është stabiliteti financiar. Studimi dhe kuptimi i zhbalancimeve në tregjet financiare dhe i shkaqeve që çojnë në to është një çështje thelbësore për bankat qendrore. Shkalla e përfitimit dhe avantazhit shoqëror që krijon paraja si një mall publik, varet nga eficienca dhe aftësia e tregjeve financiare për të lehtësuar tregtinë, prodhimin, akumulimin e kapitalit, rritjen ekonomike dhe mirëqenien e shoqërisë.

Për këtë arsye, stabiliteti financiar mund të konsiderohet si një "mall publik" dhe për rrjedhim, përbën një objektiv të politikave ekonomike publike. Pyetja është kush e siguron atë. Personalisht më ka tërhequr vëmendjen i Paul Volker i cili shprehet për rolin natyral të bankave qendrore në sigurimin e stabilitetit financiar. Roli ynë tradicional, si huadhënës i mundësisë së fundit dhe autoritet i politikës monetare, kërkon që bankat qendrore ta vlerësojnë stabilitetin financiar si nga këndvështrimi i garantuesit ashtu edhe nga ai i përfituesit. Roli ynë në efektet domino ose në rastet e krizave financiare dhe valutore, ilustron shumë mirë këtë ide. Po kështu, mekanizmi i transmetimit monetar, është një faktor tjetër që dëshmon natyrshmërinë e interesave të bankës qendrore për të siguruar një sistem financiar të shëndoshë.

Zhvillimet e dekadave të fundit, por veçanërisht episodet e viteve '90, nxorën në pah rëndësinë e stabilitetit financiar si një sfidë, si një prej objektivave të rëndësishëm të politikave ekonomike për autoritetet monetare në të gjithë botën. Pavarësisht nga ky theks dhe literaturë e gjerë akademike rreth kësaj çështjeje është vështirë të thuash se ekziston një përkufizim i pranuar gjerësisht për stabilitetin financiar. Përkufizimet e dhëna nga akademikë dhe kolegë të shquar, e kanë përcaktuar stabilitetin financiar si një grup vendimesh dhe politikash që trajtojnë njëherazi aspektin makroekonomik, atë monetar, atë të mbikëqyrjes dhe të rregullimit të tregjeve financiare. Jam i bindur se këto aspekte të stabilitetit financiar do të trajtohen gjerësisht në diskutimet e kësaj konference.

Pas një hulumtimi të gjatë zgjodha Garry Schinasi (2005) për t'iu referuar stabilitetit fianciar, sipas të cilit citoj: "Stabiliteti financiar është një situatë në të cilën mekanizmi i ekonomisë për të vlerësuar, shpërndarë dhe administruar rreziqet financiare funksionon në mënyrë optimale, duke kontribuar në ecurinë e mbarë të ekonomisë ". Ky përkufizim nënkupton që sistemi financiar është i aftë që njëkohësisht të përmbushë në mënyrën e duhur tre funksione kryesore. Së pari, të realizojë në mënyrë efikase shpërndarjen e burimeve ekonomike në rrjedhën e kohës. Së dyti, të evidentojë saktësisht dhe të administrojë rreziqet financiare. Së treti, të absorbojë qetësisht surprizat dhe goditjet që vijnë nga tregjet financiare dhe nga ekonomia reale.

Unë mendoj se nga qëllimet kryesore të kësaj konference, përveç analizës së tregjeve financiare parë nga këto tre këndvështrime, është edhe fokusimi i përpjekjeve tona për të vlerësuar dhe garantuar arritjen e stabilitetit financiar në rajon. Ekonomitë tona po përjetojnë një proces zhvillimi e ndryshimi të shpejtë. Ne, si autoritetet e bankave qendrore, duhet të përshtatemi e të nxisim këtë zhvillim, pa humbur fokusimin drejt një mbikëqyrjeje të kujdesshme. Tendencat e vërejtura së fundmi në drejtim të zgjerimit, liberalizimit dhe privatizimit të sistemit financiar si dhe globalizimi i ekonomisë botërore, e kanë vendosur stabilitetin financiar në krye të listës së prioriteteve për rajonin tonë.

Vitet e fundit sektori financiar ka njohur rritje, në çdonjërin prej vendeve të rajonit tonë. Megjithatë, unë mendoj se merita për këtë i takon pjesës më vitale të sektorit financiar, sistemit bankar. Faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen dhe konsolidimin e sistemit bankar ka qenë privatizimi i shpejtë i tij, i cili ka përfunduar pothuajse plotësisht. Ky proces i ka hapur rrugë depërtimit të bankave të njohura, duke sjellë kapitale të huaja, ekspertizë dhe konfidencë në rajon. Mendoj se përveç aspektit zhvillues, depërtimi sjell edhe një detyrim më të ri: domosdoshmërinë për një prudencë më të madhe.

Si rezultat i proceseve të lartpërmendura, shkalla e ndërmjetësimit financiar është rritur më tej në rajonin tonë. Kontribuesi kryesor që ka ushqyer këtë rritje është kredia për ekonominë. Këto dy vitet e fundit, vendeve me boom të kreditimit i është bashkuar dhe Shqipëria, ku norma vjetore e rritjes është luhatur në nivelin 60 - 70 për qind.

Një indikator i referuar shpeshherë rreth transformimit të sektorit bankar, është treguesi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbi "reformën bankare dhe liberalizimin e normave të interesit", i cili përgjithësisht pasqyron cilësinë e bazës rregullative dhe të mbikëqyrjes, formën e pronësisë të sistemit bankar dhe lehtësinë me të cilën publiku ka akses në sistemin bankar. Sipas të dhënave të fundit, vendet e Evropës Juglindore kanë bërë një progres të admirueshëm në drejtim të reformimit të sistemeve të tyre bankare. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se transformimi i sistemit bankar ka qenë një element i rëndësishëm në rrugën e gjatë të tranzicionit. Dua të theksoj se ky proces ka sjellë zhvillim, ka përforcuar stabilitetin makroekonomik, ka ndikuar në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve, ka kontribuar në përshpejtimin e reformave strukturore si dhe në krijimin e kornizave rregulluese në fushat kryesore të politikave ekonomike.

Duke hedhur një vështrim të shkurtër mbi sistemin bankar shqiptar, do të theksoja se gjatë vitit 2006 janë regjistruar zhvillime cilësore. Aktivet e sistemit bankar gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë rritur me 12 për qind dhe vlerësohen të jenë rreth 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Sistemi bankar rezulton me fitim, është likuid dhe i kapitalizuar. Dëshiroj të veçoj hyrjen e re në sistem, atë të Bankës San Paolo Imi, e cila përveç kuotave të Bankës Italo Shqiptare ka gjetur mirëkuptimin me pronarët e Bankës Amerikane të Shqipërisë, për të blerë 80 për qind të aksioneve të saj. Kjo i hap rrugën një konsolidimi të mëtejshëm të sistemit bankar në Shqipëri.

Tani le të hedhim një vështrim mbi pjesën tjetër të sistemit financiar. Duhet pranuar se kjo pjesë ende manifeston probleme të zhvillimit dhe të konsolidimit. Shqetësimet lidhen me madhësinë e operatorëve, me kuadrin rregullator dhe veçanërisht me atë mbikëqyrës. Në këtë mënyrë, kontributi i saj në ndërmjetësimin financiar është i ulët.

Duhet kuptuar se pavarësisht rolit tonë, vendosja dhe konsolidimi i stabilitetit financiar nuk mund të garantohen vetëm nëpërmjet mbikëqyrjes bankare. Për këtë arsye, në vijim edhe të rekomandimeve të FSAP, për një rregullim dhe mbikëqyrje më bashkëkohore, u krijua agjencia e re publike e mbikëqyrjes së sektorit financiar. Ne si Bankë e Shqipërisë jemi thellësisht të hapur për të dhënë ndihmesën tonë, në mënyrë që vigjilenca financiare t'i paraprijë zhvillimit. Jam i bindur se kjo do t'i paraprijë zhvillimeve të pritshme në shoqëritë e sigurimeve, në fondet e pensioneve, në ndërmjetësit dhe në ndihmësit financiarë në përgjithësi.

Duke folur pak më gjatë për këtë problem, do të ndalem shkurtimisht edhe në disa prej dobësive që karakterizojnë sistemin financiar në rajon.

Sistemi financiar në të gjitha vendet e rajonit vazhdon të dominohet nga bankat tregtare. Segmentet e tjera luajnë një rol të dorës së dytë. Tregjet e kapitalit, megjithë zhvillimet e fundit, ende vazhdojnë të mbeten prapa. Numri i bankave në rajonin tonë vlerësohet të jetë relativisht i lartë. Duke marrë në konsideratë madhësinë e ekonomive të vendeve të rajonit tonë, ka hapësira për një konsolidim të mëtejshëm, kryesisht nëpërmjet një procesi shkrirjesh dhe thithjesh. Në nivel rajoni, megjithë rritjen në kredidhënie, totali i kredisë si raport ndaj prodhimit të brendshëm bruto është i vogël, në krahasim me vendet e reja anëtare në Bashkimin Evropian. Kjo tregon se sektori bankar ende luan një rol të kufizuar në financimin e nevojave të ekonomive për investime. Një nga arsyet kryesore që pengon rritjen e ndërmjetësimit financiar është niveli i lartë i diferencës ndërmjet normave të interesit të depozitave me ato të kredive.

Kjo dukuri, mund të jetë rezultat i një numri zhvillimesh, ndër të cilat mund të përmendim rrezikun ende të lartë të kreditimit, mungesën e eficiencës dhe konkurrencës midis bankave, problemet me kolateralin, funksionimin e sistemit ligjor e shkaqe të tjera të kësaj natyre. Niveli i ulët i eficiencës dhe i konkurrencës në veprimet bankare pasqyrohet, gjithashtu edhe nga raportet e larta të mjaftueshmërisë së kapitalit. Shkalla e depërtimit të kapitalit të huaj në vendet tona është ende e ulët dhe ndërmjet të tjerash, pasqyron edhe vështirësinë e sistemeve tona financiare për të lehtësuar absorbimin e investimeve të huaja nga ana e ekonomive tona kombëtare. Kapacitetet absorbuese mund të përmirësohen ndjeshëm nëse investitorët dhe bankat i konceptojnë strategjitë e tyre në nivel rajonal dhe jo të fragmentuara në vende të veçanta. Në këtë mënyrë, sistemet financiare mund të shërbejnë si përshpejtuese të procesit të pashmangshëm të integrimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian.


Të nderuar pjesëmarrës!

Besoj se misioni ynë është jetik në të ardhmen. Këtë e shoh të lidhur jo vetëm me çështjet që përmenda më sipër, por edhe me atë që sot për sot përbën aspiratën kryesore të çdo vendi të rajonit, integrimin evropian. Siç ka theksuar zoti Trichet: "shpejtësia me të cilën vendet e Evropës Juglindore ecin drejt integrimit evropian varet nga politikat që ato ndjekin. Kultura e stabilitetit dhe e ushtrimit të përgjegjësive në hartimin e politikave ekonomike është elementi kryesor në arritjen e perspektivave të shkëlqyera që shtrihen përpara rajonit ".

Personalisht, e kam përmendur disa herë në prononcimet e mia publike, se shanset e rajonit për prosperitet të shpejtë dhe të qëndrueshëm janë të lidhura ndërmjet të tjerash, me aftësinë tonë për të vepruar në bllok. Në këtë drejtim, nuk përjashtohet edhe stabiliteti financiar, me të gjithë kompleksitetin që e karakterizon atë.

Me kënaqësi konstatoj se në nivelin e bankave qendrore, me aktivitetin tonë të këtyre dy viteve të fundit, kemi arritur të ndërtojmë një bashkëpunim të frytshëm. Prania e Guvernatorëve të rajonit në Konferencën e Bankës së Shqipërisë është një argument më shumë në këtë drejtim.

Besoj se ndaj të njëjtin mendim me kolegët e mi të pranishëm në këtë sallë, se stabiliteti financiar është një çështje delikate, e cila duhet diskutuar vazhdimisht. Sot i takoi Bankës së Shqipërisë të jetë në rolin e mikpritëses, por jam i bindur që nesër ky debat do të zhvendoset në vendet e tjera të rajonit.


Besoj se sot u hap një portë, të cilën e konsideroj si një portë të rajonit. Me këtë rast, dua t'ju ftoj ta trajtojmë këtë forum jo vetëm si shenjë të vullnetit të mirë për bashkëpunim. Unë mendoj se është detyrim dhe përgjegjësi e jona të identifikojmë prioritetet e së ardhmes për konsolidimin e stabilitetit financiar të rajonit, si një parakusht i rëndësishëm drejt integrimit evropian të tij.