BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Konferencë për shtyp e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhe e Zëvendësdrejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Murilo Portugal

Data e publikimit: 21.05.2007

 

 

 

Pyetje: Cili është qëllimi kryesor i kësaj vizite në Tiranë dhe cili mendoni se është sfida kryesore, problemi kryesor i ekonomisë shqiptare.

Z. Murilo Portugal: Vizita ime këtu kishte për synim që të shikoja personalisht arsyet e suksesit të marrëdhënies që Shqipëria ka me FMN-në. Ne jemi pjesëmarrës në shumë vende të botës, dhe jo në të gjitha vendet marrëdhënia ka kaq sukses. Unë jam në këtë detyrë si Drejtor i Menaxhimit të FMN-së prej pesë muajsh, prandaj unë kam ardhur këtu për të parë përbërësit e këtij suksesi.

Padyshim që ka sfida për të ardhmen, ju keni qenë shumë të suksesshëm në arritjen e stabilitetit makroekonomik, por stabiliteti makroekonomik nuk është qëllim në vetvete, është thjesht një mjet për të arritur diku. Sfida për të ardhmen mbetet ruajtja e ritmeve kaq të larta të rritjes ekonomike, sepse kjo do të jetë mënyra për të rritur standardet e jetesës së shqiptarëve, për të ulur nivelin e varfërisë dhe për të përshpejtuar kalimin nga një periudhë tranzicioni në arritjen e objektivit të integrimit evropian. Dhe kjo kërkon vazhdueshmërinë e reformave strukturore, kërkon dhe realizimin e gjërave që janë jashtë sferës strikte të Bankës së Shqipërisë, kërkon përmirësime në infrastrukturë, si dhe përmirësime në furnizimin me energji elektrike. Por duke parë të gjitha arritjet që ka pasur Shqipëria në të kaluarën unë jam optimist që dhe në të ardhmen do t'ia arrij t'ia dalë mbanë këtyre sfidave.

Pyetje: Zoti Guvernator ju jeni shprehur dhe publikisht se si do të veprohej pas përfundimit të misionit të FMN-së, i cili është thënë se do të jetë misioni i fundit. Ndërsa sot po flasim për një marrëveshje të re, ndoshta për të tjera misione. Ka ndryshuar diçka, ishte ndonjë kërkesë e juaja që të vazhdonte prania e FMN-së apo ...?

Dhe e dyta në Shqipëri po futen shumë banka të huaja? A e shihni si një rrezik, për mbikëqyrjen bankare, a e vështirëson mbikëqyrjen bankare prania e të huajve në sistemin bankar shqiptar?

Z. Ardian Fullani: Natyrisht ne kemi vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera me FMN-në dhe sot është një ditë feste; vetë ardhja e z. Portugal shpreh më së miri kurorëzimin e këtyre sukseseve që ekonomia shqiptare ka arritur në këto 17 vitet e fundit në marrëdhëniet me FMN. Me mbarimin e marrëveshjes ekzistuese përfundon një fazë mjaft të rëndësishme ematurimit të Shqipërisë dhe më pas marrëdhëniet tona me FMN-në do të jenë marrëdhënie të bazuara kryesisht në rishikimin e Artikullit IV. Por vlen të theksohet se marrëdhëniet tona me FMN-në do të kenë në një formë tjetër, e cila do të jetë padyshim një formë e një bashkëpunimi akoma më të frytshëm në të ardhmen deri sa Shqipëria të kalojë fazën e tranzicionit, nga vend kandidat deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Mjaft e rëndësishme është që roli i FMN në zhvillimet e ekonomisë së një vendi është i pazëvendësueshëm nga struktura të tjera ekzistuese ndërkombëtare sot. Natyrisht në këtë kuadër Banka e Shqipërisë po bën të gjitha përpjekjet për të rritur bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare, me të gjithë institucionet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare, dhe kryesisht me Bankën Qendrore Evropiane dhe ato të rajonit. I gjithë ky bashkëpunim do të lejojë që sistemi bankar financiar i Shqipërisë të arrijë standardet ndërkombëtare të bankave qendrore. Kjo është dhe sfida që unë kam marrë përsipër gjatë mandatit në Bankën e Shqipërisë, arritja e standardeve më të mira ndërkombëtare të bankave Qendrore, të cilat do të bëjnë natyrshëm hyrjen e Shqipërisë në familjen Evropiane.

Përsa i përket pyetjes së dytë, është një pyetje mjaft interesante dhe e rëndësishme për t'u pasur parasysh në tregun shqiptar dhe në opinionin e përgjithshëm në Shqipëri' procesi i konsolidimit të sistemit bankar dhe financiar shqiptar. Siç u theksuar edhe nga z. Portugal, sistemi financiar shqiptar po mirë-kapitalizohet dhe konsolidohet në kuadrin e ristrukturimit të tij, duke e bërë atë më efiçent dhe më konkurrues me tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, do të thoja se hyrja në Shqipëri e bankave të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare, është shprehje e konfidencës në tregun shqiptar, i cili fton institucione të tjera mjaft të rëndësishme financiare dhe investitorë të fuqishëm të marrin pjesë në zhvillimin ekonomik të vendit shqiptar. Në kërkojmë që ardhja e investitorëve të huaj të udhëhiqet në rradhë të parë nga sistemi bankar dhe financiar. Iniciativa e institucioneve më të rëndëishme bankare për të marrë pjesë në tregun bankar shqiptar tregon për një fazën të maturuar, ku Shqipëria është e gatshme të integrohet në tregjet globale, si dhe për kredibilitetin e institucioneve në Shqipëri.

Frika juaj që ndoshta humbja e nocionit të kapitalit shqiptar tashmë është një frikë e kaluar. Ajo që ne duhet të insistojmë është që performanca e këtyre institucioneve ndërkombëtare të jetë e njëjtë me performancën e tyre në vendet e tjera të zhvilluara, duke ju përshtatur akoma më shumë sfidave tona për politika zhvillimi.

Banka e Shqipërisë duke pasur këtë merak është duke rishikuar kuadrin ligjor të Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar, për të rritur cilësinë e qeverisjes së bankave private në Shqipëri dhe të raportimit të tyre në Bankën e Shqipërisë dhe në organet superiore të tyre, si dhe për të rritur kontrollin e brendshëm në këto banka dhe transparencën e sistemit bankar ndaj publikut.

Sfida jonë afatshkurtër është rritja e transparencës të sistemit bankar dhe financiar ndaj publikut. Ne besojmë që këto masa do të jenë parakushte, për një zhvillim të qëndrueshëm të sistemit bankar dhe financiar shqiptar.