BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Mbi arritjet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 1999

Data e publikimit: 19.05.2000

 

Në zbatim të ligjit është forcuar pavarësia e Bankës së Shqipërisë për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj "arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve". Është sukses, tashmë i padiskutuar, kalimi nga një inflacion prej më shumë se 42 për qind në vitin 1997 në një nivel pranë 0 në fund të vitit 1999 dhe mbajtja në thuajse të njëjtët kufij, deri në fund të muajit prill 2000.

Me nivelin e inflacionit në fund të muajit prill, si dhe duke ditur sjelljen sezonale të çmimeve të konsumit, në kushtet e ecjes normale (pa eksese) të situatës politiko-ekonomike të vendit, konsiderohet i arritur objektivi prej 2-4 për qind i inflacionit për vitin 2000. Faktorët, që përcaktojnë këtë nivel inflacioni, për vitin 1999 dhe katërmujorin 2000, janë të shumtë, si forcimi i disiplinës fiskale, ecuria e kursit të këmbimit (faktori me ndikimin më të madh sasior), politika e duhur monetare e zbatuar nga Banka e Shqipërisë. Në uljen e inflacionit kanë ndikuar edhe tkurrja e kreditimit të investimeve, niveli i inflacionit të importuar, "ambientimi" i publikut me një inflacion të ulët etj.. Ndikimi i politikës monetare, në këtë drejtim, matet me respektimin e tre objektivave sasiorë: kufirit të poshtëm për mjetet e huaja neto të Bankës së Shqipërisë, kufirit të sipërm për mjetet e brendshme neto të Bankës së Shqipërisë dhe kredisë neto të sistemit bankar për qeverinë.

Të tre këta objektiva, janë respektuar si gjatë vitit 1999 edhe në katërmujorin e parë të vitit 2000. Nga ana tjetër, norma minimale për depozitat me afat tremujor ka pësuar një reduktim të ndjeshëm nga 37 për qind, në vitin 1997, në 7 për qind, aktualisht. Normat e tanishme të interesit janë në nivelin historik më të ulët të arritur nga viti 1992. Këto vendime janë marrë duke u bazuar në zhvillimet në çmimet e konsumit, në forcimin e vlerës së lekut dhe në ecurinë e depozitave në sistemin bankar. Ato kanë si synim uljen e kostos së financimit në ekonomi, të kostos së shërbimit të borxhit të qeverisë dhe, në afat më të gjatë, nxitjen e rritjes ekonomike.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.