BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP E GUVERNATORIT
Mbi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit me 0,25 pikë përqindjeje

Data e publikimit: 12.05.2004

 


Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e sotme analizoi edhe përshtatshmërinë e politikës monetare aktuale të lidhur me ecurinë, parashikimet dhe pritshmëritë më të fundit të treguesit të inflacionit.

Mbështetur kryesisht në:

I. ZHVILLIMET NË SEKTORIN REAL

  • Të dhënat e deritanishme mbi zhvillimin e sektorit real tregojnë se ekonomia vendase përgjithësisht vazhdon trendin pozitiv të zhvillimit. Nga të dhënat e sektorëve të ndërtimit, transportit, shërbimeve dhe në mënyrë të veçantë të bujqësisë, rritja ekonomike për vitin 2004 parashikohet të jetë rreth 6 për qind.
  • Zhvillimi i biznesit privat pritet të mbështetet më shumë prej sektorit bankar me kredi, teprica e së cilës për vitin 2004 sipas programit Monetar të Bankës së Shqipërisë pritet të jetë rreth 28 për qind më e lartë se e një viti më parë.
  • Argumentat kryesore të kësaj mbështetje të sistemit bankar për biznesin lidhen me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë duke ulur me 2.5 për qind normën bazë të interesit brenda një periudhe kohore 13 mujore dhe rritjen e konkurencës në sistemin bankar si pasojë e privatizimit të Bankës së Kursimeve dhe agresivitetit të bankave për të rritur numrin e degëve dhe llojshmërinë e shërbimeve.

II. ZHVILLIMET MONETARE DHE NE TREGUESIN E INFLACIONIT

  • Inflacioni vjetor i muajit prill, pas uljes së tarifave të telefonisë fikse dhe të çmimeve të artikujve sezonalë ushqimorë rezultoi 3.2 %, brenda parashikimeve të Bankës së Shqipërisë;
  • Pritshmëritë për inflacionin në muajt në vijim dhe fundvitin 2004 janë kryesisht për nivele brenda bandës së publikuar nga banka e Shqipërisë, 2-4 për qind, ndoshta më pranë kufirit të sipërm;
  • Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit, si rezultat i të cilave leku ka njohur një mbiçmim si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit amerikan;
  • Ekzistencën e një diference relativisht të madhe midis normave të interesit për investimet në lekë me ato në euro dhe në dollar;
  • Rritja e përkohshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar pritet të ketë ndikim të moderuar dhe në tregun e brendshëm në rritjen e çmimeve, si në mënyrë të drejtpërdrejtë duke ndikuar në grupin e transportit ashtu dhe nëpërmjet hallkave zinxhir të prodhimit si dhe në sektorin e shërbimit. Megjithatë, rritja e prodhimit bujqësor në nivele më të larta se vitet e tjerë në periudhën e verës duket se do të kompensoje efektin inflacionist të çmimit të karburanteve.
  • Gjithashtu, për periudhën afatshkurtër përgjithësisht është mëse e justifikuar që këto goditje oferte të akomodohen për të zbutur ndikimet negative që ato kanë mbi prodhimin vendas. Neutralizimi/normalizimi i efekteve mbi çmimet në këto raste është mirë të behet më gradualisht në një periudhë afatmesme;

me qëllim për të ulur akoma më tej koston e huamarrjes në ekonomi gjë që do të çonjë në nxitjen e investimeve dhe për të lehtësuar goditjen që mund të marri ekonomia nga rritja e çmimit të naftës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit (normën e interesit të marrëveshjeve te riblerjes). Në këtë mënyrë, norma bazë e interesit në ekonomi bëhet 6.00 për qind.

Në dy vendimet e saj për uljen dy herë me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazës të interesit brenda një harku kohor dy javor, Banka e Shqipërisë ishte e ndikuar kryesisht nga rezultati i nivelit të inflacionit të muajit prill dhe pritshmëritë për muajt në vazhdim.

Vendimi për uljen e normës bazë të interesit, pritet të ndikojë në një ulje të përgjithshme të normave të interesit në ekonomi si ato të depozitave, bonove të thesarit dhe të kredive, duke mbështetur kreditimin e sektorit privat.

Ndërkohë, reduktimi i mëtejshëm tashmë i diferencës së normave të interesit të monedhës vendase me valutat e huaja, kryesisht euro dhe dollarin amerikan, gjykohet se do të ndikojë në zbutjen e presioneve mbi lekun duke mbështetur më tej zhvillimet në sektorin real të ekonomisë për të arritur objektivat e rritjes ekonomike dhe një zhvillim të qëndrueshëm.