BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje e konferencës për shtyp, 29.09.2011

Data e publikimit: 30.09.2011

 

Pyetje- Prisni që vendimi  i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit, të reflektohet shpejtë në politikat e  bankave të nivelit të dytë, veçanërisht për sa i përket uljes së interesave të kredive?

Guvernatori- Mendoj që viti i fundit ka qenë kyç në konsolidimin e politikave që rrisin efektivitetin e vendimmarrjes dhe mekanizmit të transmisionit të politikës monetare. Masa e marrë, është tashmë e faktorizuar nga sistemi dhe nga publiku i gjerë dhe është në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e objektivit nën kontroll dhe dhënien e stimujve përkatës për rritje të qëndrueshme ekonomike në vend. Kam besimin se masa do të transmetohet në nivelin e caktuar.

Pyetje-A shihni në të ardhmen e afërt hapësira të tjera për një stimul monetar më agresiv, duke pasur parasysh tendencën në zgjerim të raportit kursim-investime apo kursim-konsum?

Guvernatori- Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen tek raporti që sapo lexova. Banka e Shqipërisë vazhdon të ketë objektiv të saj parësor mbajtjen e inflacionit nën kontroll, ruajtjen e tij në terma të përshtatshëm brenda objektivave të saj. Banka e Shqipërisë nëpërmjet këtij vendimi po jep kontributin e saj në krijimin e stimujve përkatës për mbështetjen e aktivitetit ekonomik. Kjo ndodh në kushtet kur hapësira për manovër e politikës fiskale është ngushtuar mjaft, në përpjekjet që ajo po bën për të mbajtur nën kontroll deficitin dhe borxhin publik. Për sa i përket të ardhmes, aktiviteti ekonomik, zhvillimet inflacioniste ato buxhetore dhe stabiliteti financiar i vendit, do të përbëjnë kolonat kryesore mbi të cilat do të mbështetet gjykimi i Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë do të jetë e gatshme të japë kontributin e saj për një rritje të qëndrueshme ekonomike sa herë të krijohet mundësia. Unë mendoj se sfida e madhe që mbetet para nesh është gjetja e mundësive për nxitjen e rritjes ekonomike në nivel afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo, në kushtet e një situate të paqartë dhe të vështirë botërore.