BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp, 30 maj 2014

Data e publikimit: 12.06.2014

 

Pyetje - Prej muajsh ka një përmirësim të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, në kuptimin që uljet e normës bazë po reflektohen dhe në interesin e kredive, ndoshta jo në masën që ju dëshironi dhe prisni, por gjithsesi po reflektohen. Megjithatë, siç e nënvizuat dhe ju, kjo nuk ka mjaftuar. Ju madje bëtë një apel tjetër për sistemin bankar që ulja e interesave të përkthehet në një rritje sasiore të kredisë për ekonominë. Cilat janë, në gjykimin tuaj, ato copëza të munguara të mozaikut që do të mundësonin që stimuli juaj monetar të përcillej më mirë në ekonominë reale dhe të sillte më shumë përfitime për sipërmarrjet dhe për familjet? Pra, çfarë mungon?

Përgjigje - Në qoftë se bota financiare do të kishte një përgjigje për këtë pyetje, mendoj që nuk do të ishim në situatën e sotme. Siç e kam theksuar, 'thembra e Akilit' është vënia në eficiencë të plotë të mekanizimit të kreditimit të ekonomisë globale. E gjithë vëmendja e politikëbërësve, bankierëve dhe e botës financiare, është e përqëndruar në këtë element kompleks që kërkon përkushtimin e të gjithë agjentëve ekonomiko-financiarë, por edhe të publikut të gjerë. Ky i fundit duhet të kuptojë sa më mirë mesazhet dhe informacionet e dhëna nga banka qendrore dhe politikëbërësit, pasi është tepër i rëndësishëm adaptimi i sjelljes së tij në ekonomi.

Në rang global, situata pritet të jetë optimiste me përfundimin e programit madhor të Bankës Qendrore Evropiane për rishikimin e bilanceve të bankave dhe krijimin e mbikëqyrësit unik të bankës qendrore. Ndërkohë, ajo çfarë ne si Bankë e Shqipërisë po bëjmë është të kryejmë sa më mirë punët tona të shtëpisë. Natyrisht që situata nuk varet vetëm nga bankat qendrore apo nga grupet bankare - varet shumë nga politikat zhvillimore dhe strukturore të qeverive përkatëse.

Marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore është mirëpritur mjaft mirë dhe ka rritur kredibilitetin e ekonomisë shqiptare, duke e bërë atë të gatshme të dalë në treg për rinovimin e kredisë së marrë vite më parë nëpërmjet eurobondit. Me vendimin e sotëm, ne i japim një mundësi të re ekonomisë shqiptare të lehtësojë kostot e financimit për të nxitur kreditimin në vend, duke qenë brenda limiteve tona për inflacionin.

Për sa i përket zhvillimit të mekanizmit të transmisionit, bëhet fjalë për një çështje mjaft komplekse. Pjesa që lidhet me tregun ndërbankar po funksionon në mënyrë të përkryer. Po kështu, lëvizjet e normës bazë janë transmetuar plotësisht në ecurinë e yieldeve të bonove të thesarit dhe te normat e interesit të depozitave. Kohët e fundit, po shikojmë që e njëjta gjë po ndodh, pavarësisht se jo me të njëjtën madhësi, edhe me normat e interesit të kredisë. Megjithë vështirësitë që ka në rang global mekanizmi i transmetimit dhe vënia e tij në punë, mendoj që ne jemi në rrugë të mbarë. Ne kërkojmë që sistemi bankar e financiar dhe agjentët ekonomikë në vend t'i përshtaten dhe të kapin momentin e këtyre ndryshimeve mjaft të rëndësishme që ne po kryejmë.

Në këto kushte, do të konkludoja se lëvizja e Bankës së Shqipërisë është strategjike, në vazhdim të politikave të saj lehtësuese të njoftuara më parë. Kjo lëvizje bëhet në momentin e duhur, duke i ardhur në ndihmë sektorit bankar. Ndërsa ky i fundit, me shumë përgjegjësi, duhet ta kapë momentin dhe të ndjekë lëvizjet tona për të qëndruar në targetimin e inflacionit.