BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp, 30 tetor 2013

Data e publikimit: 01.11.2013

 

Pyetje - Kam një pyetje që ndoshta tingëllon pak politike por që në të vërtetë ka të bëjë më shumë me ekonomitë familjare. Lëvizjet politike të ndodhura ditët e fundit, kanë sjellë një masë të madhe shkarkimesh nga vendet e punës, a do të ndikojë kjo në rritjen e nivelit të kredive të këqija, si dhe në uljen e konsumit të brendshëm të ekonomisë në vend?

Përgjigje - Ky zë nuk është pjesë e evidencave që ne marrim.

Pyetje - Megjithëse inflacioni në 3-mujorin e tretë ishte nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe, megjithëse pritshmëritë janë sërish për inflacion të ulët, ju vendosët të mos e ulnit më tej normën bazë. Mos ndoshta kjo reflekton edhe humbjen e besimit që kërkesa e brendshme në këtë lloj situate mund të nxitet me stimuj të mëtejshëm monetar dhe a ka ndonjë drojë tjetër, p.sh nxitjen e tregut informal të parasë, përmes uljes së mëtejshme të çmimit të parasë? Cilat janë shkaqet kryesore që çuan në këtë vendim, ndonëse treguesi kryesor, ai i inflacionit dhe i pritshmërive inflacioniste, mbase do ta përligjte një ndërhyrje tjetër?

Përgjigje - Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje do më duhet të rilexoja edhe njëherë të gjithë deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës, megjithatë ne shqiptarët parapëlqejmë t’i dëgjojmë gjërat drejtpërdrejtë e jo të lexuara. Por megjithatë, për të bërë një mbledhje, do të thoja që stimuli i dhënë nga Banka e Shqipërisë ka qenë i gjithanshëm, jo vetëm në kuadrin monetar por dhe në atë të makropudencës, dhe pritshmëritë tona janë që ky stimul do të realizohet, duke patur parasysh një funksionim më të mirë të mekanizmit të transmisionit. Nisur nga parashikimet tona për një rritje më të mirë ekonomike në vitin e ardhshëm, ajo që është e rëndësishme është që ne duhet të japim të gjithë stimujt e nevojshëm pozitivë për të rritur kredibilitetin e ekonomisë tonë dhe njëkohësisht për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin ekonomik shqiptar në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar besimin që nevojitet për të siguruar një rritje afatgjatë të vazhdueshme. Në këtë kuadër, është e domosdoshme të evidentohet realiteti i ekonomisë sonë dhe potenciali i saj ekonomik.

E rëndësishme është që Banka e Shqipërisë, në një spektër 360 gradë, duke e vlerësuar situatën me largpamësi, ka gjykuar se stimuli më i mirë është të qëndrojmë në këtë nivel të normës për t’i dhënë një shtysë rritjes së kërkesës së brendshme. Të mos harrojmë se niveli aktual i përqindjes bazë të interesit prej 3.5%, në kontekstin makroekonomik, do të thotë se jemi shumë afër vlerës zero në terma realë. Çka do të thotë që stimuli është dhënë në masë mëse të mjaftueshme. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, qëndrimi në nivele të ulta është i domosdoshëm për të ankoruar më mirë, jo vetëm inflacionin por edhe prirjet për zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu që qëndrimi i sotëm, përveçse faktorizon të tashmen, shikon edhe në harkun afatshkurtër të politikës monetare.