BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp dt. 28.08.2013

Data e publikimit: 03.09.2013

 

Pyetje- Para pak ditësh zhvilluat një takim me Presidentit e Bundesbank, cilat ishin disa nga mendimet që ndatë me z. Weidmann, veçanërisht lidhur me qasjen që duhet të ndjekin institucionet vendimmarrëse shqiptare për sfidat dhe problemet që shtrohen përballë ekonomisë në këtë moment?

Së dyti mbi takimin e zhvilluar në Jackson Hole cili është opinion i Bankës së Shqipërisë mbi efekte e pritshme të tërheqjes së stimulit monetar nga Rezerva Federale, pra çfarë efekti mund të përcjellë një kurs i tillë në ekonominë globale?

Përgjigje-Vizita e z. Weidmann në Shqipëri është një vizitë historike. Është hera e parë që presidenti i Bundesbank vjen në Shqipëri. Vizita e tij u zhvillua në momente shumë të rëndësishme zhvillimesh ekonomike dhe politike, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Kjo është shenjë e një bashkëpunimi të mirë dhe besimi reciprok në marrëdhëniet tona afatgjata.

Vetë presidenti Wiedmann konstatoi se bashkëpunimi ynë është shumë i mirë, por ka ende mundësi për tu zhvilluar më tej. Kështu, më konkretisht gjatë bisedimeve tona ne përcaktuam disa fusha mjaft të rëndësishme bashkëpunimi për të ardhmen, kryesisht për sa i përket politikës monetare, mbikëqyrjes dhe sidomos stabilitetit financiar.

Gjithashtu, z. Weidmann vlerësoi nivelin tonë të marrëdhënieve me publikun, sidomos për sa i përket edukimit financiar të publikut. Ai shprehu vlerësimet e tij mbi projektet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në këtë drejtim, si për librin “Financat personale në duart tuaja” që tashmë është pjesë e kurrikulave mësimore për nxënësit e shkollave të mesme, ashtu edhe për iniciativën tonë më të re për edukimin financiar të nxënësve të shkollave 9-vjeçare nëpërmjet paketës mësimore “1, 2, 3, ... derrkuci Çufo mëson të kursejë”. Me realizimin e këtij projekti ne kemi ndërmarrë një hap përpara, duke kaluar nga shkolla e mesme tek moshat më të vogla me synimin edukimin financiar sa më herët. Ne mendojmë që brenda një kohë të shkurtër kjo paketë do të jetë jo vetëm pjesë e librave, por dhe e celularit. Një pikë tjetër e përbashkët ka qenë edhe Muzeu i Bankës Qendrore, të cilin Bundesbank e përdor në kuadër të edukimit të publikut. Gjatë diskutimeve z. Weidmann u njoh me projektin e Bankës së Shqipërisë për ndërtimin e Muzeut në godinën qendrore të saj. Mendime të tjera u shkëmbyen në fushën e marrëdhënieve me publikun, në të cilën Banka Qendrore e Gjermanisë po revolucionarizon përqasjen e saj  në drejtim të rritjes së mëtejshme të transparencës.

Vizita e z. Weidmann ishte mjaft e suksesshme. Gjatë takimit të zhvilluar me këtë rast morën pjesë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës si dhe punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të cilët shkëmbyen mendime lidhur me të ardhmen e vendeve si Shqipëria në kuadrin e zhvillimeve më të fundit në ekonominë botërore. U theksua roli i rëndësishëm i Bankës së Shqipërisë si një institucion i pavarur, i përgjegjshëm dhe llogaridhënës në përmbushjen e detyrës kryesore: mbajtjen e inflacionit nën kontroll. Diskutimet u përqendruan dhe në stabilitetin financiar të vendit. Shqipëria u vlerësua si një vend me tregues mjaft të mirë të kapitalit dhe likuiditetit,kjo dhe në kushtet specifike në të cilat ndodhet Shqipëria, ndërkohë që disa vende fqinje kanë pasur dhe kanë ende probleme lidhur me sektorin bankar. Në këtë kuadër, u vlerësua se Shqipëria ka një sektor bankar të shëndetshëm, i cili duhet me doemos të vlerësojë të gjithë burimet brenda vendit në mënyrë që të jetë pjesë më aktive në kreditimin e tij në të ardhmen. Kjo në kushtet e një shprese për përmirësim të ekonomisë globale, duke filluar ndoshta nga gjysma vitit 2014.

Mendoj se kjo vizitë i hap rrugën një bashkëpunimi të ri me Bankën Qendrore të Gjermanisë, e cila është mjaft e rëndësishme për ne në kuadrin e bashkëpunimit me bankat qendrore dhe angazhimeve tona për në Evropën e bashkuar. Standardet janë gjithmonë guri i themelit për një bankë qendrore;ne i kemi dhe duhet t’i përmirësojmë akoma dhe më shumë.

Në lidhje me pyetjen e dytë dua të theksoj se konferenca vjetore e organizuar nga Rezerva Federale në Jackson Hole është një forum i nivelit të lartë i bankave qendrore dhe i botës akademike. Për rrjedhojë, deklaratat e bëra në këtë forum orientojnë tregjet të paktën në një periudhë afatshkurtër, si dhe japin sinjale për periudhat e ardhshme. Tema e sivjetshme ishte shumë e rëndësishme:  ndërprerja e furnizimit me likuiditet të pakufishëm nga Rezerva Federale. Debati i zhvilluar ishte  i një niveli të lartë si nga vetë Rezerva Federale, ashtu edhe nga institucionet e tjera politikëbërëse.

Gjatë punimeve të këtij forumi, pata fatin të intervistohesha nga CNNMoney, lidhur me efektin që do të ketë në vendet e ekonomive në zhvillim e sidomos të rajonit tonë, ky vendim i fundit i Rezervës Federale. Në opinionin tim, ekonomitë tona janë pjesë e ekonomisë globale dhe si vuajtën ndikimin e krizës botërore, do të preken në vazhdimësi nga politikat që do të ndërmarrin institucionet me peshë të madhe, si është dhe rasti i Fed-it. Kështu që lëvizja e anoncuar do të jetë një test edhe për Shqipërinë. Në këto kushte politika monetare do të jetë sfiduese, e kujdesshme, konsistente por njëkohësisht proaktive. Është një test i madh që do ti bëhet ekonomisë botërore, akoma nuk është vendosur nga FED për kohën dhe mënyrat e tërheqjes. Ky është një diskutim i gjerë.

Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte dhe fjala e mbajtur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar zj. Christine Lagarde, e cila e vlerësoi si mjaft të rëndësishme bashkëpunimin e institucioneve dhe koordinimin e politikave monetare të bankave qendrore. Nga ky këndvështrim zj. Lagarde vlerësoi rolin që kanë luajtur  bankat qendrore dhe drejtuesit e tyre në këtë periudhë krize. Njëkohësisht ajo theksoi disa nga rreziqet me të cilat mund të përballen ekonomitë emergjente veçanërisht për sa i përket normave të interesit, kursit të këmbimit dhe lëvizjeve të kapitalit.

Pra duhet një rakordim, një bashkëpunim dhe komunikim më i mirë mes bankave qendrore, sidomos mes atyre që kanë peshë të madhe në tregjet globale si Rezerva Federale, BQE dhe banka të tjera të mëdha në botë. Kjo në mënyrë që jo vetëm ti paraprihet me masa këtyre zhvillimeve por njëkohësisht të ketë një ankorim sa më të mirë në publik.

Për këtë arsye në prononcimin tim për CNNmoney, një theks të veçantë i kushtova kujdesit që institucionet ndërkombëtare duhet të tregojnë ndaj vendeve në zhvillim në drejtim të furnizimit me likuiditetin e domosdoshëm ndaj këtyre ekonomive përpara dhe pas bërjes operative të vendimit të Rezervës Federale. Është shumë e rëndësishme që të mendohet seriozisht për krijimin e instrumenteve të likuiditetit, të cilët janë të domosdoshëm për të zbutur zhbalancimet afatshkurtra që mund të ndodhin në këto ekonomi emergjente përfshirë vendet e rajonit dhe Shqipërinë. Çka është më e rëndësishme, na duhet një bashkëpunim dhe një rakordim akoma dhe më i mirë midis institucioneve ndërkombëtare, bankave qendrore, në mënyrë që gjerat të shikohen në kohën e duhur dhe efektet të përballohen në kohë. Në këtë drejtim unë parashtrova mundësinë për rritjen e një bashkëpunimi më të mirë të klubeve të guvernatorëve dhe të forumeve që ne kemi. Dhe njëkohësisht nevojitet një bashkëpunim reciprok në mënyrë që efektet e këtij operacioni global, i cili do të jetë një nga testet me të mëdha që do ti bëhet ekonomisë botërore në këto 100 vitet e fundit të jetë minimal për ekonomitë tona dhe jo vetëm kaq por të na krijojë një shtrat akoma dhe më të mirë për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ekonomive.