BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 01.07.2015

Data e publikimit: 09.07.2015

 

Pyetje - Një pyetje lidhur me krizën greke dhe implikimet e mundshme në stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri: A po zbatohen aktualisht masa kufizuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura për të kufizuar lëvizjen e kapitaleve drejt sistemit financiar grek, ose në përgjithësi drejt palëve rezidente në Greqi? Nëse po, në çfarë konsistojnë këto masa?

Guvernatori - Së pari, është e rëndësishme të theksohet se bankat shqiptare me kapital grek nuk kanë ekspozime ndaj mëmave të tyre dhe ndaj sistemit bankar në Greqi. Pra, aktualisht, ekspozimet e tyre janë pothuajse zero. Por pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë ka marrë masat e saj.

Nëpërmjet një urdhri, ne kemi vendosur kufizimin e çdo lloji transferimi kapitali apo likuiditeti në drejtim të mëmave të tyre. Në terma praktike, bashkëpunimi me bankat shqiptare me kapital grek ka qenë i përsosur. Ne i kemi monitoruar ato në vazhdimësi, dhe nuk ka pasur asnjë lloj transferimi të kapitalit ndaj mëmave. Kjo ka qenë edhe masa kryesore e ndërmarrë prej nesh.

Aktiviteti i këtyre bankave vazhdon normalisht dhe, sikurse kam theksuar, shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ato janë banka me vetëfinancim, pra nuk kanë pasur nevojë të furnizohen me fonde nga mëmat, duke qenë të pavarura në aktivitetin e tyre ekonomik. Ato operojnë me depozita të klientëve shqiptarë dhe kreditë e aktivitetin ekonomik i ushtrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për sa i përket tepricës së likuiditetit që këto banka kanë, duhet theksuar se nuk është i investuar as në sistemin bankar grek, as në sektorin publik apo në atë privat grek.

Ne nuk gjejmë asnjë arsye për marrjen e masave në lidhje me kufizimin e kapitalit, pasi sistemi bankar shqiptar është i konsoliduar dhe ka tepricë likuiditeti. Ne e kemi theksuar gjithmonë që raporti kredi/depozita është 55%. Pra, kemi një tepricë likuiditeti. E njëjta situatë shfaqet dhe me bankat greke. Sfida jonë është kthimi i likuiditetit në ekonomi dhe jo sigurimi i tij. Ne kemi pasur dhe kemi probleme me rritjen e kërkesës së shëndetshme për kredi. Ky përbën dhe problemin kryesor të sistemit bankar shqiptar, lidhur me stimulimin e rritjes ekonomike në vend, nëpërmjet tepricës së likuiditetit.

Nëse sot ne flasim për krizë likuiditeti ose për masa likuiditeti, këto i referohen sistemit bankar në Greqi dhe jo sistemit bankar shqiptar. Ne duhet ta kuptojmë qartë këtë dallim, prandaj dhe theksojmë se sistemi bankar në Shqipëri dhe bankat shqiptare me kapital grek janë të sigurta dhe të qëndrueshme, sepse kanë tepricë likuiditeti.

Pyetje - Për çfarë pikash nuk u ra dakord me FMN-në, e që u bë shkak për largimin e misionit pa një qëndrim të përbashkët për rekomandimet me qeverinë shqiptare?

Guvernatori - Kjo është një pyetje që duhet t'ia drejtoje Ministrit të Financave më shumë sesa Guvernatorit.

Megjithatë, do të thosha që Misioni pati një bashkëpunim shumë frytdhënës gjatë këtyre ditëve me Bankën e Shqipërisë, me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë Shqiptare. Në radhë të parë, Banka e Shqipërisë është në përputhje të plotë me të gjithë pikat e marrëveshjes me FMN-në, pra ne kemi plotësuar të gjitha pikat dhe nuk kemi asnjë pikë pezull. Nuk po hyj në detaje, por gjithçka është në përputhje të plotë me programin dhe nuk ka mbetur asgjë e paplotësuar.

Për sa i përket pyetjes suaj, qeveria është duke rishikuar raportet e të ardhurave dhe shpenzimeve. Kjo mund të vijë edhe nga një planifikim i tepërt, në raport me të ardhurat në fillim të vitit. Nuk ka problematikë konkrete, por gjithçka është në periudhë studimi dhe do të mbyllet me misionin e radhës që do të vijë në Shqipëri. Për detaje të mëtejshme mund t'ju sqarojë më mirë Ministri i Financave, pasi ne nuk jemi informuar për detaje. Megjithatë, dimë që korrektimi i raportit të të ardhurave dhe shpenzimeve është në proces.

Pyetje - Kur keni marrë masa për kontrollin e kapitalit, a keni pasur divergjenca sasiore me qeverinë për rritjen ekonomike?

Guvernatori - Masa që sapo përmenda është marrë me shkrim dy muaj më parë, por në fakt, ajo është imponuar në mënyrë verbale nga Banka e Shqipërisë dhe Departamenti i Mbikëqyrjes, para ardhjes sime si Guvernator. E rëndësishme është që nuk ka ekspozime të bankave shqiptare me kapital grek kundrejt mëmave të tyre. Duke qenë se situata në Greqi është e rënduar dhe, për të qenë të sigurtë, ne e kemi përkthyer këtë masë në masë shkresore.

Nuk kemi divergjenca me FMN-në dhe Qeverinë, pasi i gjithë programi është nën monitorimin dhe rakordimin e FMN-së. Ju dëgjuat dje deklaratat e përbashkëta, që u dhanë nga shefi i misionit të FMN-së, dy ministrat - ai i Financave dhe ai i Ekonomisë - si dhe nga unë. Sigurisht që skenarët tanë, të cilët i diskutuam dhe sot në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, kanë marrë parasysh rezultatet e krizës greke. Gjithçka do të varet nga zhvillimet e mëtejshme të mundshme në Greqi. Kjo pasi askush nuk mund ta parashikojë me saktësi se cilat do të jenë zhvillimet politike dhe sociale në Greqi, e aq më pak ndikimet që ato mund të kenë në ekonomi.

Ne shpresojmë që të arrihet në një marrëveshje, që Greqia të dalë nga kjo situatë krize, dhe si rezultat, ndikimet të jenë sa më të vogla në ekonominë shqiptare. Por gjithsesi, duhet të jemi shumë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe transparentë me veten dhe publikun: përkeqësimet e krizës greke mund të ndikojnë në korrektimin e rritjes ekonomike në Shqipëri. Ne jemi duke kryer të gjitha llogaritjet e mundshme për skenarët pozitivë dhe negativë, por për momentin, ne jemi në përputhje të plotë me FMN-në dhe Qeverinë Shqiptare lidhur me rritjen ekonomike. Ka një korrektim për poshtë, të cilin ne diskutuam edhe dje. Pra, nuk do të jetë në nivelin 3%, pasi ekziston një korrektim të cilin jemi duke e studiuar. Në rast se nuk do të ndodhë ndonjë skenar ekstrem negativ në Greqi, mbetemi në të njëjtin konkluzion se rritja ekonomike e vitit 2015 do të jetë më e lartë se rritja ekonomike e vitit 2014, dhe kjo si pasojë e reformave strukturore të ndërmarra nga qeveria, por edhe e reformave strukturore në sistemin financiar, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.