BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 02.09.2015

Data e publikimit: 03.09.2015

 

Pyetje: Qeveria shqiptare ka shpallur këtë javë nisjen e një aksioni të gjerë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Në gjykimin tuaj, si do ta ndikojë ky aksion ecurinë e ekonomisë reale për pjesën e mbetur të vitit, dhe, më në veçanti, si do të ndikojë në marrëdhëniet e tatimpaguesve me institucionet financiare?

Guvernatori: Lidhur me aksionin e informalitetit, gjatë ditëve të kaluara ju keni marrë qartësisht programin dhe platformën e qeverisë për këtë aksion. Qëndrimi ynë si Banka e Shqipërisë është që çdo nismë, operacion dhe aksion në luftën kundër informalitetit, pa diskutim që vlerësohet pozitivisht. Informaliteti është një fenomen, i cili ka qenë i ekzagjeruar në Republikën e Shqipërisë, edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, pasi informalitet ka dhe në këto vende. Mjafton të përmendim se raporti i të ardhurave me PBB-në në Shqipëri, dy dekadat e fundit, është pak mbi nivelin 20%, ndërkohë që në vende të tjera të rajonit, ky raport është në nivelin 30-40%. Pra, kemi një normë më të lartë informaliteti edhe se fqinjët tanë. Sigurisht që çdo nismë, aksion, operacion apo çfarëdo fushate kundër informalitetit do të ndikonte pozitivisht në drejtim të një konkurrence të ndershme, do të luftonte korrupsionin, por do të sillte dhe shumë elementë të tjerë pozitivë, në aspekte të ndryshme të ekonomisë.

Nga këndvështrimi ynë si Bankë Qendrore dhe si rregullator i sistemit financiar, ne e shohim luftën kundër informalitetit me efekte pozitive kryesisht në dy drejtime kryesore, përveç drejtimeve të sipërpërmendura dhe shumë drejtimeve të tjera.

Në radhë të parë, lufta kundër informalitetit do të sillte shmangien e dy standardeve në pasqyrat financiare dhe bilancet e kompanive. Kjo do të bënte që këto kompani të kishin më shumë mundësi për t'u paraqitur dhe për të marrë kredi nga ana e bankave të nivelit të dytë. Ne kemi kohë që diskutojmë dhe deklarojmë se ka një kërkesë të dobët për kredi, ka kushte konservatore nga ana e bankave. Një nga arsyet kryesore që lidhet me këto komente, në fakt është informaliteti. Në rast se bizneset nuk pasqyrojnë të ardhurat reale në bilancet dhe pasqyrat e tyre financiare, ka vështirësi serioze nga ana e bankave për të parashikuar të ardhmen financiare të bizneseve e për të bërë projeksione. Sigurisht që kjo ndikon dhe vendimmarrjen e kredidhënies. Një standardizim dhe një pasqyrim real i gjendjes financiare të bizneseve të mëdha, të mesme dhe të vogla, por edhe i individëve do të rriste kreditimin nga ana e bankave të nivelit të dytë dhe do të formalizonte këtë pjesë.

Nga ana tjetër, formaliteti do të ndikonte dhe në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Kemi kohë që komentojmë që ka mungesë në Shqipëri të tregjeve të kapitalit - bursa u mbyll. Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në moszhvillimin e tregjeve është informaliteti i lartë. Në qoftë se kompanitë dhe bizneset, kryesisht bizneset e mëdha, do të kishin bilance të certifikuara nga kompani të njohura ndërkombëtare auditimi, të cilat do të pasqyronin gjendjen e tyre reale, atëherë dhe tregjet kapitale dhe burimet alternative, si të investimit ashtu dhe të financimit, do të ishin një mundësi më tepër në mbështetje të zhvillimit dhe rritjes së ekonomisë.

Për pyetjen e dytë, lidhur me marrëdhëniet e tatimpaguesve me sektorin financiar, nuk do të doja të bëja avokatin e bankave apo të sektorit financiar, por një fakt i ditur është që jo vetëm bankat dhe institucionet e tjera jobanka të licencuara nga Banka e Shqipërisë, por edhe aktorët e tjerë të sistemit financiar, kanë qenë sektori ose industria më e formalizuar dhe më e rregulluar në raport me pasqyrat financiare. Bankat dhe institucionet e tjera financiare përgjithësisht kanë punuar me një bilanc. Ato nuk kanë fshehur të ardhurat dhe kanë qenë transparente mjaftueshëm. Si rrjedhojë, nuk kanë qenë të ekspozuara në këto përmasa ndaj informalitetit. Pra, në raport me sektorin financiar nuk shikojmë se do të ketë një problematikë konkrete, pasi bankat gjithmonë kanë deklaruar të ardhurat e tyre.

Në konkluzion të gjithë sa më sipër, do të thosha se vlerësohet pozitivisht çdo lloj operacioni kundër informalitetit, dhe sidomos në lidhje me sektorin financiar e atë bankar, pasi do të ndikonte në rritjen e kreditimit në ekonomi.

Pyetje: Z. Guvernator, pse Banka e Shqipërisë gjykon që balanca e rreziqeve është zhvendosur në kahun e poshtëm? Mund të na specifikoni më konkretisht se cilat rreziqe nënkuptoni dhe cilët janë treguesit që janë poshtë pritshmërive tuaja?

Guvernatori: Ne kemi thënë se balanca e rreziqeve është në kahun e poshtëm, pasi në projeksionet tona ka elementë, të cilët mund të ndikojnë ecurinë e inflacionit poshtë trajektores që ne kemi si objektiv. Siç ju e ndoqët deklaratën e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës, thuhet se e gjithë kjo situatë e rritjeve jo në nivelet e pritshme ka ardhur si pasojë e rreziqeve aktuale që ka në ekonomi, të perceptuara si nga aktorët ndërkombëtarë ashtu edhe nga aktorët lokalë.

Aktualisht ,jemi në një situatë ekonomike ku investimet e huaja dhe të brendshme nuk janë në nivelet e pritshme, një situatë kjo e reflektuar nga shumë elementë dhe faktorë, e ngjashme edhe me situatën në rajon. Synimi ynë si Bankë Qendrore, me politikën tonë monetare stimuluese, është të krijojmë kushte financimi që të stimulojmë më tej investimet, por nga ana tjetër janë reformat strukturore të ndërmarra qoftë nga qeveria, qoftë nga aktorë të tjerë, ato që ndikojnë në rritjen e këtyre investimeve, e për rrjedhojë në rritjen e punësimit, në rritjen e konsumit dhe në rritjen ekonomike. Kjo është dhe arsyeja për të cilën Këshilli Mbikëqyrës e sheh balancën e rreziqeve në kahun e poshtëm. Vlerësimet tona për një rritje ekonomike midis 2.5 dhe 3%, (sikurse kemi thënë, parashikojmë një rritje ekonomike më të lartë se vitin e kaluar) kushtëzohen nga rreziqet që ka ekonomia, prandaj themi se e shikojmë balancën e rreziqeve në kahun e poshtëm.

Parashikimet për dy vitet e ardhshme në bazë të analizave dhe diskutimeve të Këshillit Mbikëqyrës janë për një rritje progresive më të lartë, si të ekonomisë ashtu edhe të financimit në vitin 2016 dhe në vitin 2017. Edhe për inflacionin, parashikimi ynë është se do ta arrijmë nivelin tonë të synuar, objektivin e Bankës së Shqipërisë, në nivelin 3% në fund të vitit 2017. Parashikimet janë parashikime - për fat ka rezultuar që Banka e Shqipërisë ka qenë në linjë me parashikimet e saj, por gjithsesi nuk mund të thuhet se parashikimet janë 100% të sakta.
Do doja të theksoja që një efekt pozitiv në kushtet e financimit të bankave të nivelit të dytë do të ketë edhe aplikimi i planit të masave për uljen e kredive me probleme. E përmenda dhe në konferencën e kaluar për shtyp. Patëm rënie të nivelit të kredive me probleme dhe ky trend vijon të jetë pozitiv edhe në muajin e fundit. Ne po arrijmë nivelin 20% të kredive me probleme ndaj tepricës në total të kredive, kjo si rrjedhojë e planit të masave, fshirjes së kredive nga bilancet, ristrukturimit të kredive dhe kredisë së re të gjeneruar.

E themi dhe njëherë se kemi një rritje graduale e të ngadaltë të portofolit të kredisë, por gjithsesi  mbetet rritje dhe jo rënie. Normalisht dihet që portofoli i kredisë amortizohet dhe në rast se ne nuk do të kishim gjenerim të kredisë së re, do të kishim rënie të portofolit të kredisë. Ne synojmë me politikën tonë monetare lehtësuese që kredidhënia të jetë më e lartë në mënyrë, që të kemi një ndikim më të lartë në ekonomi. Është fakt, dua ta theksoj dhe këtë element, se politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, në mbajtjen e një norme interesi në nivelet më të ulëta historike, aktualisht në nivelin prej 2.0%, i ka dhënë efektet e saj. Ne kemi një rritje të portofolit të kredisë në lekë në raport me portofolin e kredisë në monedhe të huaj dhe kjo rritje është progresive dhe trend. Pra,  rritja nuk është luhatur, por vazhdon. Raporti i kredisë në monedhë vendase me portofolin e kredisë në valutë është 40 me 60%. Pra, kredia në monedhën vendase përfaqëson 40% të portofolit total të kredisë, dhe ky është një trend rritës nëse e krahasojmë me raportin 20 me 80% që ka qenë në periudhat paraardhëse. Si rezultat i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, ne kemi një rritje të portofolit të kredisë në monedhën vendase, e cila më pas ndikon edhe në performancën e kredisë në periudhat e mëpasshme. Kjo sepse kredia e dhënë në monedhën vendase për ata që kanë të ardhurat në lekë, do të shmangë dhe rrezikun e kursit të këmbimit në kthimin e kredisë, duke ndikuar kështu pozitivisht në performancën e portofolit të kredisë në të ardhmen. Për portofolin e kredisë në monedhë të huaj, i cili është kryesisht në euro, Banka e Shqipërisë nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në normën e interesit, pasi është Banka Qendrore Evropiane ajo që përcakton nivelin e euriborit dhe çmimi/niveli i kredisë në euro përcaktohet nga euribori dhe spread-i.

Në terma të përgjithshëm, e ritheksoj dhe një herë se ne presim një rritje graduale të kredisë për pjesën e dytë të vitit 2015 dhe një rritje më progresive të nivelit të financimit në ekonomi dhe të kreditimit për vitet 2016 dhe 2017. 

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 2 shtator 2015