BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 04.11.2015

Data e publikimit: 04.11.2015

 

Pyetje - Duhet theksuar që gjatë punës tuaj dy nga treguesit, rritja ekonomike dhe kredia janë në rënie, në kahun e poshtëm të pritshmërive tuaja. Mos doni të thoni që keni ndryshuar edhe vlerësimin tuaj për rritjen ekonomike të vitit, kur thoni që keni reduktuar pritshmeritë për rimëkëmbjen ose për rikthimin në trajektoren e plotë të rritjes ekonomike dhe të inflacionit? Cilët janë sinjalet apo indikatorët që ju kanë çuar në këtë përfundim?

Guvernatori: E kam theksuar dhe në një intervistë para dy ditëve, ne kemi bëre korrektimet tona për rritjen ekonomike në bashkëpunim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ky nuk është ndonjë lajm i ri. Në fillim të vitit, rritja ekonomike ishte parashikuar në nivelin 3%. Aktualisht, ne e kemi korrektuar parashikimin për rritjen ekonomike në nivelin 2.5 % deri në 2.7 %, pra me një korrektim për poshtë.

Sipas analizave tona por edhe analizave të institucioneve ndërkombëtare financiare ka disa faktorë që kanë ndikuar, të cilët lidhen kryesisht me ambientin e jashtëm. Këtu mund të përmendim: rritjen më të ulët ekonomike në Eurozonë dhe të eksporteve shqiptare, si ndaj vendeve të Eurozonës edhe ndaj vendeve fqinje. Flasim gjithmonë për parashikim pasi viti nuk është mbyllur akoma dhe nuk e dimë nëse do të mbyllet në nivelin 2.7% apo 2.5%.

Në këtë aspekt, ne kemi rishikuar projeksionet tona lidhur dhe me parashikimin për inflacionin, kthimi i të cilit në objektiv  është shtyrë dhe për një tremujor ose për dy tremujorë.

Ritheksoj që është e rëndësishme të ruajmë trendin pozitiv të rritjes ekonomike, rreth nivelit 2.5%, më e lartë se 2 % e vitit 2014. Në vijim, viti 2016 do të vazhdojë të ketë trend pozitiv të rritjes ekonomike  dhe  ambienti ekonomik do të vazhdojë të gjallërohet.

Pyetje: Doja të pyesja në lidhje me eurobondin. Si po ecin negociatat për eurobondin dhe a mundet tregu i brendshëm bankar të zëvendësojë shumën e parave që po kërkon qeveria në  tregjet ndërkombëtare? Dhe në rast se po z. Guvernator, ulja e normës bazë të interesit a i vjen në ndihmë qeverisë që ajo të marrë borxh me interes më të ulët, qoftë nga banka qendrore qoftë nga bankat e nivelit të dytë?

Guvernatori: Ministria e Financave është duke monitoruar tregun dhe është në procesin e ndjekjes për finalizimin e transaksionit për emetimin e eurobondit. Nuk kam informacion se çfarë ndodh aktualisht, në këtë moment që ne flasim, por në dijeninë tonë ata janë duke monitoruar tregjet. Jam i sigurt se brenda këtij viti kjo çështje do të mbyllet, pra eurobondi do të zgjidhet. Momenti i saktë se kur do të ndodhë do të varet nga zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtarë, në lidhje me  likuiditetin dhe normën e interesit.

Është maturuar eurobondi ekzistues prej rreth 300 milionë eurosh. Qeveria me fondet e saj e ka zëvendësuar këtë shumë. Sigurisht që tregu i brendshëm është i aftë ta gjenerojë këtë shumë, por ne do të preferonim që kjo huamarrje të bëhej në tregun e jashtëm nëpërmjet eurobondit. Marrja e borxhit në tregun e jashtëm, do të bënte që këto fonde të lira të ishin në dispozicion të ekonomisë shqiptare për kreditim. Kjo është në përputhje dhe me politikën tonë monetare stimuluese. Në rast se  eurobondi do të merret në tregjet ndërkombëtare, politika jonë monetare lehtësuese me uljen e normës së interesit për lekun do të kishte efektet e saj më të plota. Në rast se eurobondi do të merrej në tregun e brendshëm, kjo mund të sjellë rritje të normave të interesit. Politika jonë monetare lehtësuese shkon paralelisht dhe është në përputhje me politikën ose me veprimin për marrjen e eurobondit në tregjet ndërkombëtare.

Ne jemi duke monitoruar situatën me shumë kujdes dhe jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Financave në mënyrë që të mbyllet eurobondi me sukses.

Pyetje: Para disa ditësh në ambientet e Bankës së Shqipërisë u bë dhe inaugurimi i ambienteve të reja ndërkohë që u vu re mungesa e ish-Guvernatorit Fullani. Pse nuk ishte i ftuar, ndërkohë që ai e nisi, gati e la gati këtë projekt? Dhe së dyti nëse në fjalën e Kryeministrit gjetëm një përgëzim për z. Fullani në fjalimin tuaj nuk gjetën asnjë fjalë për ta kujtuar. Pse?

Guvernatori: Normalisht unë, prisja pyetje në lidhje me deklaratën e politikës monetare, megjithatë çdo pyetje është e mirëpritur. Për të qenë i drejtpërdrejtë dhe sinqertë në lidhje me listën e të ftuarve është marrë protokolli i Bankës së Shqipërisë pasi unë kam qenë në një aktivitet jashtë vendit dhe jam kthyer në momentin më të fundit.
 
Guvernatori Fullani ka qenë koleg i vjetër.  Në rast se do të ishte elaboruar më mirë protokolli patjetër që Guvernatori Fullani do të ishte ftuar. Dhe, jo vetëm Guvernatori Fullani, por të gjithë ish-Guvernatorët, pasi janë harruar edhe ish-Guvernatorë të tjerë. Ky është një gabim i joni protokollar që nuk i kemi ftuar ish-Guvernatorët. Megjithatë unë pashë se disa nga ish-Guvernatorët ishin të pranishëm, ndërkohë që dua të sqaroj se ish Guvernatori Cani ishte ftuar në atributet e Ministrit të Financave.

Pavarësisht kësaj që thashë më sipër, për të qenë transparent deri në fund, përpos gabimit protokollar, do doja të theksoja se zoti Fullani është në një proces gjyqësor të pambyllur. Për të qenë korrekt me ligjin dhe me procesin, ne do donim të ftonim çdo person, jo vetëm Guvernatorin Fullani, por vetëm pasi procesi të jetë i mbyllur dhe pafajësia të jetë marrë e plotë, në të gjithë hallkat. Megjithatë e ritheksoj ka qenë një gabim protokollar

Lidhur me pjesën e fjalimit, ky është një interpretim i juaji, që të jem i sinqertë. Nuk dua të interpretoj, por Kryeministri mban fjalimin e tij dhe unë mbaj fjalimin tim. U përmend një fakt që ka ndodhur në kohën e miratimit të projektit, por unë nuk mbaj mend për përgëzime apo jo. Unë atë ditë e thashë shumë qartë që nuk doja të mbaja fjalime të zgjatura, pasi gjatë ditës kishim Konferencën e Bankës së Shqipërisë. Fjalimi im ishte mjaft i shkurtër, prezantues pasi synimi kryesor ishte paraqitja e  ambienteve dhe Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe jo për t'u kapur me elementë të tillë.

Pyetje: Të ndalemi pak tek kreditë me probleme, çfarë parashikon projekti juaj për uljen e kredive me probleme dhe si do të bëhet kjo gjë?

Guvernatori: Projekti i Bankës së Shqipërisë është në vijë me planin e masave ndërinstitucionale në lidhje me adresimin e kredive me probleme. Kemi folur edhe me parë në lidhje me këtë plan të rakorduar midis aktorëve të ndryshëm, të firmosur nga Kryeministri dhe nga unë. Ky plan parashikon një sërë reformash, ndryshimesh ligjore, aspektesh të ndryshme rregullative, të cilat do të ndikonin në adresimin e problemit të kredive me probleme. 

Pra sikurse e kam theksuar do të ndërhyhet në ato ligje dhe rregullore të cilat kanë të bëjnë me ekzekutimin e kolateralit dhe me falimentin. Këto do t'i japin një shtysë procesit për rikuperimin e kredive me probleme. Kemi ndryshuar dhe kemi riparë ato rregullore  që kanë të bëjnë me procesin e ristrukturimit të kredive me probleme, njëkohësisht dhe ato rregullore që kanë të bëjnë me trajtimin fiskal për fshirjen e kredive nga bilanci.

Normalisht norma e kredive me probleme ka rënë, në nivelin afërsisht 20%. Kjo kryesisht si pasojë e fshirjes së kredive nga bilancet dhe ristrukturimit të një pjesë tjetër të kredisë. Në dijeni tonë ka progres në ristrukturimin e disa kredive korporatash. Ne jemi duke monitoruar dhe shpresojmë që do të ketë efekt në uljen  mëtejshme të kredive me probleme.

Dua të theksoj që ulja e stokut të kredisë prej 1% ka sjellë një efekt statistikor në nivelin e kredive me probleme, pasi siç mund ta dini ky tregues është një raport midis portofolit të kredive që nuk performojnë dhe totalit të kredisë. Pra nëse portofoli i kredisë nuk do të kishte ndryshuar për poshtë, atëherë raporti i kredive me probleme do të ishte më i ulët. 

E rëndësishme është që plani i masave është miratuar, është adresuar dhe ne jemi duke bashkëpunuar me Shoqatën e Bankave dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces për finalizimin me sukses të këtij plani. Vetëm kështu do të ndikonim në gjallërimin e  kredisë në përgjithësi në ekonomi, rritja e të cilës do të rregullonte të gjithë parametrat  e tjerë, si normën e kredisë me probleme po ashtu edhe rritjen e kredisë dhe rrjedhimisht edhe rritjen ekonomike.