BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 25.09.2013

Data e publikimit: 27.09.2013

 

Pyetje: Z. Guvernator ditët e fundit keni zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Çfarë keni biseduar me përfaqësuesit e Fondit, dhe a ka qenë pjesë e diskutimeve rregulli fiskal që ju po kërkoni prej muajsh? A keni gjetur përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar?

Përgjigje- Diskutimet e zhvilluara gjatë takimit me përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë përqendruar gjerësisht mbi ekonominë shqiptare dhe perspektivat e saj në të ardhmen. Dua të theksoj, natyrisht me pozitivitet, që alternativat e dhëna nga Banka e Shqipërisë, skenarët përkatës, janë në të njëjtin drejtim me sugjerimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për sa i përket hollësive, ditën e premte do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp, ku do të diskutojmë gjerësisht lidhur me rezultatet e misionit. Ajo që bie në sy është një frymë dakortësie e plotë gjatë diskutimeve ku evidentohen rrugë të qarta për një strukturim afatmesëm dhe perspektiva afatgjata.