BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 27.11.2013

Data e publikimit: 06.12.2013

 

Pyetje- Një pyetje lidhur me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që pritet të vijë javën e ardhshme për t’i dhënë “dorën e fundit” nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me qeverinë shqiptare. Cili është opinioni juaj në lidhje me natyrën dhe kushtet e bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe institucioneve shqiptare në tërësi në këtë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar?

Përgjigje- Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetje, fillimisht do të doja t’ju falënderoja për reagimin tuaj mjaft pozitiv, të saktë, e transparent ndaj vlerësimeve të publikuara nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s për ekonominë shqiptare e kryesisht ndaj atyre mbi Bankën e Shqipërisë. Gjykoj se ky vlerësim është një ogur mjaft i mirë që tregon jo vetëm qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe efektivitetin e politikave të ndërmarra  nga Banka e Shqipërisë, por njëkohësisht premton për një klimë ekonomike më të mirë në të ardhmen.

Duke u kthyer tek çështja e nënshkrimit të një marrëveshjeje me FMN-në, nisur dhe nga interesi juaj mbi këtë çështje, kam përgatitur një material i cili do të publikohet në ditët në vijim në median e shkruar. Ky material është një përqasje teorike dhe praktike mbi marrëveshjen me FMN-në dhe i vjen në ndihmë opinionit publik për të kuptuar më mirë këtë çështje. Banka e Shqipërisë dhe unë personalisht, vitet e fundit,  kemi qenë vokal për nevojën e një marrëveshje të re me FMN-në. Është shumë e rëndësishme që të mos t’i stigmatizojmë marrëveshjet me Fondin, pasi gjatë këtyre 20 viteve kemi pasur disa marrëveshje të suksesshme me të. 

Tashmë është përforcuar mendimi se si nga ana e FMN-së dhe e Bankës Botërore, por edhe nga opinioni publik, se në pronësinë e këtyre marrëveshjeve pesha e palës shqiptare është rritur së tepërmi. Nga ana tjetër vetë marrëveshjet e mëparshme kanë qenë një bazë mjaft e shëndoshë për ta sjellë ekonominë shqiptare në një stad konkurrues, për t’i dhënë asaj të gjitha mundësitë për kryerjen e reformave strukturore, të cilat bëjnë të mundur që Shqipëria të jetë më e mbrojtur nga kriza e fundit globale.

Në këto kushte mendoj se një marrëveshje e re me FMN-në është e domosdoshme. FMN-ja natyrisht gjatë viteve të krizës ka pësuar maturim më të madh për sa i përket përqasjes me ekonominë globale në përgjithësi dhe sidomos me ato në zhvillim dhe ato të cilat shpresojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, Shqipëria. Natyrisht vendi ynë gëzon avantazhe nga eksperienca e kaluar, ku programet me FMN-në kanë qenë një mësim edhe për ekonomitë e tjera për realizimin e reformave strukturore në Shqipëri. Vlen të theksohet se është Shqipëria që shkon drejt një marrëveshje me FMN-në, kjo është kryegjëja e çështjes. Nuk është FMN-ja, Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane apo trojka që vijnë në Shqipëri, por jemi ne që e kërkojmë këtë marrëveshje dhe ky është një sinjal mjaft pozitiv. Prania e FMN-së është një element mjaft i rëndësishëm në kohën kur ekonomia shqiptare ka nevojë të korrektohet dhe po shkon drejt një korrektimi, por është e rëndësishme që të mos shkojmë drejt një korrektimi për të sjellë një shtrëngim. Në këtë përqasje unë gjykoj se FMN-ja di të adaptohet mirë me problemet që ka ekonomia jonë, e cila nga një anë kërkon të korrektohet por nga ana tjetër ka nevojë të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e saj për të siguruar rritje ekonomike. Në këto kushte ne do të përfitojmë nga FMN-ja fonde me kosto të ulët dhe njëkohësisht do të krijojmë bazamente për vazhdimin e reformave të rëndësishme, të thella strukturore, të cilat do të garantojnë stabilitetin makrofinanciar të vendit për periudhën afatshkurtër. Me këto masa që do të marrim do t’i japim njëkohësisht mundësi ekonomisë shqiptare për një frymëmarrje më të madhe për të krijuar rritje ekonomike drejt punësimit. Ajo që propozojmë është një marrëveshje fleksibël, e cila garanton rritje ekonomike dhe punësim afatgjatë. Në këto kushte unë mendoj që FMN do të jetë avokati ynë në tregjet e brendshme dhe të jashtme mbi jo vetëm mbylljen e buxhetit të sivjetshëm dhe buxhetit të ardhshëm por për një periudhë afatmesme. Kjo do t’i jepte garancitë e domosdoshme ekonomisë shqiptare për të pasur bazamente të shëndosha, si një ekonomi e cila po kalon nga stadi i saj në zhvillim drejt një konvergjence reale me Bashkimin Evropian. Në këto kushte stabiliteti makrofinanciar është mjaft i rëndësishëm.  FMN-ja së bashku me Bankën Botërore do të jenë të pranishme  jo vetëm me mbështetjen me fonde për zgjidhjen e problemeve afatshkurtra, por dhe për adresimin e atyre  afatmesme dhe afatgjata, për t’i dhënë një qëndrueshmëri akoma më të madhe ekonomisë shqiptare, edhe për  20 vitet e ardhshme.