BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, 04.03.2015

Data e publikimit: 12.03.2015

 

Pyetje: Zoti Guvernator, cilat janë pritshmëritë tuaja për kreditimin? A ekziston rreziku që Shqipëria të futet në një periudhë disavjeçare me ritme të ngadalta të rritjes së kreditimit?

Përgjigje: Gjatë vitit 2014, kredia për ekonominë pësoi rritje. Pra, gjatë vitit të kaluar kemi pasur rritje të kredisë në ekonomi, rritje e cila ka rezultuar në nivelin 4%. Për vitin 2015, ne parashikojmë se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike, e cila do të mbështetet më mirë nga rritja e kredisë. Shifra mund të jetë në intervalin 5-6%, por kjo mbetet për t'u parë. Gjithsesi, e rëndësishme është se parashikohet të ketë rritje ekonomike në vitin 2015, si dhe rritje të kredisë si në vitin 2015 ashtu edhe në vitin 2016. Banka e Shqipërisë është duke punuar ngushtë me bankat dhe bizneset, për të lehtësuar sa më shumë bashkëpunimin midis këtyre dy grupimeve, në mënyrë që rritja të vazhdojë rrugën e saj drejt konsolidimit. Ne gjykojmë se rritja e kreditimit do të vazhdojë të jetë konstante. Bankat do të vazhdojnë të kreditojnë gjatë vitit 2015 me ritme më optimiste sesa në vitin 2014.

Pyetje: Vitin që lamë pas u konstatua një vjedhje në Bankën e Shqipërisë. Sipas jush, çfarë masash duhen marrë në mënyrë që kjo ngjarje të mos ndodhë më?

Përgjigje: Banka e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. E kam theksuar edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, se përsosja e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe e gjithë strukturave që administrojnë rreziqet operacionale, përfshirë burimet njerëzore, sistemet e sigurisë fizike dhe ato të teknologjisë së informacionit, do të siguronte mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla. Banka e Shqipërisë i ka marrë këto masa dhe aktualisht po punon për përmirësimin e mëtejshëm të tyre. Së shpejti, edhe ju do të njiheni me masat e ndërmarra.

Gjatë periudhës time tre javore në institucionin e Bankës së Shqipërisë, jam informuar më së miri dhe kam verifikuar marrjen e këtyre masave. Kam parë se ndryshimet e ndërmarra për përsosjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm janë bërë në drejtimin e duhur. Ju garantoj se të gjithë elementët e sigurisë në Bankën e Shqipërisë janë në nivelin e duhur.

Por, ky është një proces i vazhdueshëm. Mbajtja e këtyre elementëve kërkon një vëmendje të vazhdueshme, kërkon një kujdes të vazhdueshëm, kërkon vigjilencë që edhe pse është një fjalë e vjetër, është me vend që ne ta përdorim. Evidentimi i rreziqeve operacionale dhe funksionimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm duhet të jetë në çdo kohë në nivelin e tyre më të lartë, për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve të tilla të shëmtuara, si ajo që ndodhi në Bankën e Shqipërisë. Jam i sigurt se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në nivelin më të lartë të sigurisë në mbrojtjen e vlerave tona, jo vetëm monetare, por edhe të integritetit të punonjësve. Masat janë marrë dhe do të vazhdojnë të jenë në përsosje e sipër.

Fjala e plotë e mbajtur nga Guvernatori Sejko në konferencën për shtyp.