BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, 06.05.2015

Data e publikimit: 08.05.2015

 

Pyetje: Çfarë po bëhet me ngritjen e grupit ndërministror të krijuar për zgjidhjen e kredive me probleme në Shqipëri. Çfarë po bëhet konkretisht?

Guvernatori- Kreditë e këqija ose kreditë me probleme, sikurse ju e dini, janë një nga shqetësimet kryesore që ka jo vetëm Banka e Shqipërisë, po tashmë edhe aktorë të tjerë publikë e privatë që operojnë në treg. Problemi kryesor lidhur me kreditë e këqija është se ato ndikojnë jo vetëm në përkeqësimin e bilanceve të bankave, por shtojnë edhe frikën dhe konservatorizmin e bankave për të vijuar aktivitetin kreditues, që ne presim dhe që është aq i nevojshëm për rritjen ekonomike.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë është duke koordinuar punën me të gjithë aktorët e tjerë ekonomikë dhe qeveritarë, kryesisht Ministrinë e Financave, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Drejtësisë. Ne jemi duke përgatitur një forum me pjesëmarrjen e FMN-së, Bankës Botërore dhe institucioneve publike shqiptare për të adresuar këtë problem dhe më qartë. Të gjitha hallkat, përfshirë Bankën e Shqipërisë dhe aktorët e tjerë, janë duke bërë përgatitjet e tyre.

Me koordinimin tonë, ne jemi drejt përgatitjes së një platforme mbarëkombëtare për të adresuar çështjen e kredive me probleme. Këtu përfshihen elementë që kanë lidhje si me fshirjen e kredive nga bilancet (të cilat përmirësojnë gjendjen ekonomiko-financiare të bankave të nivelit të dytë), ashtu edhe me trajtimin ligjor të rasteve të kredive me probleme. Prandaj, kemi thënë që kjo është një çështje me rëndësi mbarëkombëtare dhe ka nevojë për një adresim mbarëkombëtar.

Kreditë e këqija nuk janë problem vetëm në Shqipëri. Nivel të lartë të kredive me probleme ka i gjithë rajoni. Nga ky këndvështrim, Shqipëria edhe pse me një nivel pakëz më të lartë, nuk është se ka ndonjë veçanti nga vendet e tjera të rajonit. Jam shumë i sigurt se edhe vendet e tjera të rajonit janë duke i adresuar kreditë me probleme njëlloj siç po i adresojmë dhe ne.

Sikurse thashë, është shumë e rëndësishme të arrijmë të menaxhojmë uljen e kredive me probleme, në mënyrë që bankat të ecin para në aktivitetin e tyre kreditues dhe të ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike të pritur për vitin 2015 dhe në vazhdim.