BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit, datë 25 qershor 2014

Data e publikimit: 02.07.2014

 

Pyetje - Këto ditë, tingëllon paksa e rëndomtë t'ju pyesim për marrjen e statusit të vendit kandidat apo jo? Tani që pothuajse të gjithë e kanë thënë të tyren, ju si Guvernator i Bankës së Shqipërisë çfarë pritshmërish keni nga marrja e statusit të vendit kandidat, përsa i përket ekonomisë së vendit në tërësi dhe në veçanti, zhvillimeve në tregjet monetare dhe financiare.

Përgjigje - Jo, nuk e vlerësoj aspak si të rëndomtë pyetjen tuaj, përkundrazi është shumë e rëndësishme ta përsërisim dhe ta kemi në vëmendjen tonë çdo ditë statusin e ri të vendit tonë. Ky është një program i madh i hapur përpara nesh, i cili është marrë në konsideratë që nga janari i këtij viti si nga tregjet financiare ndërkombëtare, ashtu edhe nga tregu vendas. Do të thoja që është jo vetëm një hap, por një kërcim i rëndësishëm për vendin.

Siç e theksova më parë, tregjet e huaja financiare e kanë marrë me kohë parasysh këtë vendim dhe e kanë materializuar në projeksionet e politikat e tyre për Shqipërinë. Por, përveç anës pozitive mbështetëse për Shqipërinë, marrja e statusit të vendit kandidat parashtron dhe detyra mjaft të rëndësishme për ne, si në kuadër të forcimit të institucioneve, ashtu edhe në vazhdimin e reformave strukturore dhe rritjen e kredibilitetit të ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu, me marrjen e statusit të vendit kandidat, ne bëhemi pjesë e një tregu mjaft të madh global, ku kemi të drejta dhe detyra njëkohësisht. Tashmë ulen ndjeshëm primet e rrezikut, duke rritur besueshmërinë e tregjeve të brendshme dhe të jashtme për ekonominë shqiptare. Por ekonomia shqiptare duhet medoemos të rrisë konkurrueshmërinë për të qenë pjesë e denjë e këtyre tregjeve globale dhe për të përfituar nga ato produktivitetin dhe uljen e kostove. Të dyja këto do ta bëjnë ekonominë tonë më kompatibël me ekonominë evropiane dhe botërore, por njëkohësisht edhe më atraktive për investitorët e huaj, që janë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.