BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 23 dhjetor 2009

Data e publikimit: 24.12.2009

 

Në dallim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka pasur një stabilitet çmimesh për tu lakmuar. I referohem situatës së Kosovës, e cila ka pasur një inflacion nga + 10 % në – 4 % në dy vitet e fundit ndërkohë që në Shqipëri ka qenë inflacioni nga 0 në 4%. Si shpjegohet ky stabilitet i jashtëzakonshëm në këtë periudhë?

Po ti referohemi periudhës trevjeçare, Banka e Shqipërisë ka treguar një kujdes të veçantë për sa i përket mbajtjes së inflacionit nën kontroll. Të mos harrojmë që kemi rritur 5 herë radhazi normën e interesit, kemi shtrënguar gjatë gjithë periudhës para krizës politikën monetare dhe njëkohësisht kemi qenë mjaft të kujdesshëm për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, me marrjen e masave si ligji i ri për bankat, krijimi i regjistrit të kredive dhe ndryshimi i tërësisë së rregulloreve përsa i përket mbikëqyrjes dhe filozofisë së tij drejtuar nga rreziku dhe krijimi i strukturave brenda Bankës së Shqipërisë. Kjo është ndihmuar nga dialogu i gjerë me sistemin bankar shqiptar si dhe nga zbatimi me efektivitet i ndryshimeve të bëra nga Banka e Shqipërisë. Kujdes Banka e Shqipërisë i ka dhënë edhe forcimit të kapitalit të bankave; mos harrojmë që kapitali i bankave në Shqipëri është dyfish e gjysmë më i madh se i bankave mëmë në vendet partnere. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë krijoi komoditet në treg përsa i përket likuiditetit dhe fitimit të bankave. Kështu që periudha jonë e përgatitjes para krize ishte një periudhë kujdesi dhe rirregullimi drejtuar nga kontrolli i riskut. Por, ne nuk kemi humbur kurrë fokusin tonë kryesor të dhënë me ligj: inflacionin. Periudha para krizës e gjeti Bankën e Shqipërisë të përgatitur nga ana e politikës monetare, një politikë e shtrënguar monetare dhe njëkohësisht të përgatitur nga ana e stabilitetit makroekonomik. Kjo gjë nuk ka ndodhur në vende të tjera të rajonit. Vendet e tjera të rajonit kanë pasur gjithmonë nivele të larta inflacioni, kjo edhe për arsye të mosvazhdimit të reformave strukturore dhe duke ndjekur politika afatshkurtra zhvillimi. Kjo duket qartë në vendet si Mali Zi apo Kosova, ku futja e monedhës euro në ekonomi të pastrukturuara ka dhënë inflacion të importuar dhe presione inflacioniste në vend.

A do ketë ndikim kriza greke në Shqipëri?

Banka e Shqipërisë ka ndjekur me kujdes zhvillimet në ekonominë greke. Të mos harrojmë se dy vitet e fundit dialogu ynë me sistemin bankar grek ka qenë i hapur, konstruktiv dhe i efektshëm,me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar shqiptar përfshirë dhe bankat me kapital grek. Bankat që operojnë në Shqipëri me banka mëmë në Greqi, janë banka të mirëkapitalizuara, me kredibilitet dhe që kreditojnë dhe gjenerojnë fitim. Kjo dhe në sajë të kujdesit të madh që ne i kemi kushtuar, veçanërisht përsa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe injektimit të kapitalit të ri kur ka qenë e nevojshme. Bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me Bankën Qendrore të Greqisë ka qenë i hapur, në frymën e një mirëinformimi, shkëmbimi informacionesh, rakordimi të treguesve dhe të shifrave, të pikëpamjeve dhe konsideratave për efektivitetin e përdorimit të produkteve të ndryshme.

Megjithatë në ekonominë reale dhe në pozicionin e jashtëm të vendit, ky zhbalancim ose kjo brishtësi që verifikohet sot në ekonominë greke do të ketë ndikimin e saj, por shkalla mbetet për tu parë. Kjo do të varet mjaft nga kërkesa dhe oferta në vend, përsa i përket mallrave import- eksport, por edhe aktivitetit të ekonomisë së brendshme. Ne në programet tona kemi ndjekur me mjaft kujdes situatën ekonomike në vendin fqinj dhe e kemi faktorizuar atë më modelet tona makroekonomike.

Zoti Guvernator, pa mundur të anashkalojmë krizën politike, si mendoni a ka patur ndikim ajo në aktivitetin ekonomik këto muajt e fundit?

Unë mendoj se raporti është i qartë dhe tregon që muaji nëntor ka qenë një muaj mjaft i rëndësishëm dhe pritet të influencojë në mbylljen e vitin 2009 pa ndonjë eksternalitet negativ. Treguesit kryesorë makroekonomikë do të mbyllen brenda parametrave të caktuar dhe do të jenë baza e shëndoshë për zhvillimet e vitit të ardhshëm. Për vitin 2010, Banka e Shqipërisë mendon kujdes i veçantë duhet të tregohet sidomos gjatë tremujorit të parë të vitit.

Si paraqitet portofoli i kredisë me probleme dhe a ka ndikuar ky portofol në tkurrjen e kreditimit të ekonomisë?

Situata është mjaft komplekse. Kriza i vuri bankat mëmë para përgjegjësive të shumta. Fatmirësisht, Shqipëria nuk ishte përfshirë në gamën e gjerë të produkteve me probleme në botë dhe që gjeneruan krizën mbarëbotërore. Megjithatë politikat e bankave brenda Shqipërisë janë influencuar dhe do të influencohen njëkohësisht nga situata e bankave mëmë dhe politikat e tyre afatmesme. Çfarë është pozitive për t’u evidentuar është që kreditë me probleme për disa muaj rresht kanë stopuar në nivelin e përmendur, pra brenda nivelit 10 për qind. E rëndësishme është që bankat po bëjnë një punë më të kujdesshme duke zbatuar me përpikmëri të gjithë setin rregullator të Bankës së Shqipërisë. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë po monitoron situatën edhe nga këndvështrimi mikro, madje me një monitorim ditor. S tressteste mjaft të organizuara, janë ndërmarrë në mënyrë periodike për të zbuluar se ku qëndrojnë vërtet truket me kreditë me probleme. Është e rëndësishme të theksojmë se bankat kanë krijuar strukturat brenda tyre për të ndjekur dhe ristrukturuar këto kredi me probleme dhe falë tyre kanë filluar të rikuperojnë një pjesë të mirë të kredive me probleme. Pra, situata shpresojmë të jetë pozitive në kuadrin e përshpejtimit të masave të marra nga ana e bankave për një ndjekje më efikase të këtyre kredive dhe vënien në eficiencë të fondeve të ardhura nga ristrukturimi ose likuidimi i kredive me probleme. Edhe një herë, është e rëndësishme të theksojmë që kujdesi i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht kujdesi i sistemit bankar është në rritje, jo vetëm për evidentimin e problemeve, por njëkohësisht edhe për rifutjen në punë të sistemit të kreditimit me eficiencë.

Menjëherë pas miratimit të ashtuquajturit “ligji antimafia” ka pasur kundërshtime nga grupet e interesit sipas të cilëve paraqitet një rrezik për pasuritë e emigrantëve, të cilët nuk justifikojnë pasuritë e tyre. A ka rrezik për tërheqjen e depozitave dhe a ka pasur konsulta mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë para miratimit të këtij projektligji?

Në një hark kohor të gjatë, që nga fillimi i viteve ‘90 eksperienca ka treguar që pozicioni i Bankës së Shqipërisë ka qenë gjithmonë mjaft korrekt dhe brenda kornizave të plota ligjore dhe rregullative. Banka e Shqipërisë konstaton se ekziston korniza e plotë ligjore dhe rregullative për mbrojtjen e depozitave dhe sistemit bankar në Shqipëri. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë me vigjilencë dhe seriozitet zbaton kuadrin rregullator në fuqi për ruajtjen dhe certifikimin e transparencës së sistemit bankar shqiptar.