BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 24 mars 2010

Data e publikimit: 25.03.2010

 

Pyetje: Ministri Bode ngriti shqetësimin sipas të cilit nevojitet një mbikëqyrje më e rreptë për sistemin bankar pasi kriza në rajon mund të vijë tek ne. Çfarë masash ekstra mund të ndërmarrë Banka e Shqipërisë?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka qenë gjithmonë vigjilente. Në qoftë se do ti referohemi efekteve të krizës në mjaft prej vendeve të rajonit dhe të botës, Banka e Shqipërisë ka dalë me rezultate më të mira si për sa i përket treguesve të kapitalit, likuiditetit dhe fitimit, ashtu dhe për aktivitetin kreditues të sistemit bankar. Banka e Shqipërisë ka qenë aktive, duke kryer rregullimet përkatëse siç është: ndryshimi i ligjit për sistemin bankar, vënia në funksion e zyrës së informacionit të kredive, ndryshimi i filozofisë së mbikëqyrjes vitin e kaluar në drejtim të vlerësimit të rrezikut, ndërtimi i një dialogu të hapur dhe konstruktiv me sistemin bankar për problemet e qeverisjes së bankave, të transparencës të kontrollit të brendshëm.

Për sa përket masave të reja, natyrisht që Banka e Shqipërisë është gjithmonë në përshtatje të të gjithë iniciativave botërore për një vigjilencë dhe mbikëqyrje, që do të garantojë stabilitet afatgjatë në sistemin bankar në Shqipëri. Por, duhet të pohojmë që ndryshimet e filozofisë të bëra vitin e shkuar dhe ndryshimet rregullative për të bërë një mbikëqyrje të bazuar mbi vlerësimin e rrezikut pritet të japin rezultatet e tyre pozitive për sa i përket rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes bankare në vend. Garantojmë që mbikëqyrja bankare siguron stabilitet të plotë financiar në vend.

Pyetje: Sa është portofoli i kredisë me probleme? Mendoni se ky tregues është rezultat i politikave shtrënguese që vazhdojnë të aplikojnë bankat?

Guvernatori: Shifra e fundit është në nivelin 10.5%. Ne mendojmë që gjashtëmujori i dytë dhe viti i ardhshëm, do të krijojnë kushte më të mira për uljen e këtij treguesi si rezultat i provigjoneve më të pakta dhe i rifillimit të një faze të re të kreditimit të ekonomisë së vendit. Mendoj që gjykimi është mjaft kompleks për rritjen e kreditimit në vend. Kjo nuk është vetëm aspekt i bankave, pra nuk është problem i kërkesës, por njëkohësisht varet edhe nga oferta. Ajo që Banka e Shqipërisë ka sugjeruar është që vetë biznesi dhe bankat të bashkëpunojmë së bashku të jenë koherent dhe transparent me njëri tjetrin. Në këtë fazë ku tkurrja dhe kontraktimi i kreditimit është një problem global, marrëdhënia midis tyre duhet të jetë konstruktive për gjetjen e një mënyre të financimit me efektivitet të ekonomisë shqiptare.. Mendoj që futja e depozitave në sistem, performanca më e mirë e bankave dhe rregullimet pozitive në vetë bilancet e bankave japin premisë që problemet e ofertës të jenë më pozitive, por nga ana tjetër varet shumë nga kërkesa, e cila duhet të jetë e bazuar në projekte efektivë, të cilat garantojnë rikthim në kohë të kredisë.