BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PÊR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 24 shkurt 2010

Data e publikimit: 26.02.2010

 

Pyetje - Në pjesën e parë të fjalës tuaj ju theksuat dhe njëherë tendencën rënëse të ekonomisë shqiptare, e vërtetuar nga ecuria e disa faktorëve, veçanërisht nga ngadalësimi i kërkesës konsumatore. Në kushtet kur hapësira për stimujt fiskal siç theksuat edhe ju është e vogël, besoni që ekzistojnë hapësirat për një politikë më agresive monetare gjatë javëve të ardhshme?

Guvernatori - Po ti referohem dhe një herë fjalisë së fundit, do t’ju theksoja se zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve inflacioniste, si dhe konsolidimi i stabilitetit financiar dhe i pritjeve inflacioniste, do të jenë baza gjykimit tonë në të ardhmen. Por, kryegjëja e gjithë këtij diskutimi është fakti se stimuli më i mirë që Banka e Shqipërisë i jep ekonomisë shqiptare, është qëndrueshmëria afatgjatë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, si dhe sigurimi i stabilitetit financiar të vendit. E theksoj se ky është stimuli më i mirë që Banka e Shqipërisë i jep ekonomisë shqiptare.

Pyetje: Zoti Guvernator, Greqia po përballet me probleme të mëdha qoftë fiskale, qoftë financiare, qoftë ekonomike. Sa e rrezikuar është ekonomia e Shqipërisë prej kësaj dhe veçanërisht çfarë rreziku ka për bankat greke në Shqipëri?

Kjo është një temë që po diskutohet gjerësisht në median shqiptare. Siç e përmenda dhe në material, situata e brishtë e kësaj ekonomie po ndiqet dhe studiohet me mjaft interes nga Banka e Shqipërisë, duke nxjerrë gjithashtu konkluzionet përkatëse. Mendoj që plani trevjeçar fiskal, për uljen e deficitit buxhetor në 3 %, duke favorizuar korrektimin ambicioz të ekonomisë greke është një lajm mjaft i mirë dhe njëkohësisht një shenjë e fortë besimi për ekonomitë e eurozonës dhe më gjerë. Vetë kjo tkurrje fiskale në terma afatmesëm do të ndikojë dhe do të ketë pasoja në zhvillimet e ekonomisë greke, për rrjedhim siç e kam theksuar dhe në daljet e tjera të miat në publik, ekonomia shqiptare do të efektohet. Efekte të mundshme mund të jenë ndikimi në tregtinë e jashtme, në remitanca, ndoshta dhe në koston e linjave të kreditimit të bankave greke. Por, ajo që është e rëndësishme, është që raporti i stabilitetit financiar të Bankës së Greqisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, siguron dhe garanton shëndetin afatgjatë të sistemit bankar grek, pavarësisht përkeqësimit të situatës makroekonomike.

Eshtë mjaft e rëndësishme për të kuptuar që kriza greke është një krizë financiare buxhetore; ajo nuk është një rrufe në qiell të pastër. Kriza është faktorizuar nga ambienti makrofinanciar botëror dhe si një ekonomi e eurozonës është në qendër të vëmendjes të të gjitha vendeve anëtare të saj për zgjidhen e këtij problemi. Situata është optimiste dhe mendohet që zgjidhja do të jetë në periudha afatshkurtra. Siç e theksova edhe më lart, e rëndësishme është kredibiliteti që qeveria greke ka dhënë për tkurrjen fiskale dhe arritjen e parametrave në këto tre vitet e ardhshme, garancia që banka qendrore greke i jep sistemit bankar grek, dhe njëkohësisht pritjet e ambientit financiar botëror lidhur me zgjidhjen dhe angazhimin evropian për zgjidhjen e kësaj krize greke. Banka e Shqipërisë nga analizat e bëra dhe studimet e saj empirike vlerëson që ndikimi i saj në ekonominë shqiptare nuk do të jetë i rëndësishëm, duke parashikuar efektet që përmendëm më sipër.

Banka e Shqipërisë garanton publikun shqiptar se filialet e bankave greke që operojnë në Shqipëri janë entitete shqiptare dhe si të tilla janë të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë. Siç e kemi përmendur dhe më parë, konfirmojmë që këto banka garantojnë plotësisht mbarëvajtjen e tyre në sistemin bankar shqiptar dhe garantojnë plotësisht efektivitetin e tyre me kapital, likuiditet dhe produkte në tregun bankar shqiptar. Njëkohësisht, theksojmë se rritja e depozitave në sistemin bankar shqiptar gjatë dy tre muajve të fundit. kryesisht në depozitat me afat, përfshin edhe këto banka. Të gjithë treguesit e vigjilencës së Bankës së Shqipërisë tregojnë për një mbarëvajtje pozitive të këtyre bankave në Shqipëri, duke garantuar aktivitetin ekonomik në Shqipëri.

Duke dashur të shtoj diçka për krizën greke, do të thoja që çdo e keqe ka dhe të mirat e saj. Ne duhet të mësojmë nga kriza greke përsa i përket evidencës dhe statistikave dhe sidomos përsa i përket rëndësisë së madhe që ka konsolidimi i tyre.

Pyetje: Çfarë masash synon të marrë Banka e Shqipërisë për të mbajtur inflacionin brenda kufijve duke qenë se tendenca është drejt rritjes?

Guvernatori: Thamë që tendenca afatshkurtër është në rritje, por treguesit afatmesëm janë për një shifër të kontrolluar të inflacionit.

Pyetje: Qeveria ka vendosur që të ulë investimet në 2010, a do të ndikojë kjo në rritjen ekonomike duke qenë se gjatë vitit 2009 u regjistrua një rritje ekonomike pozitive, por kjo rritje kryesisht falë investimeve? A mendoni që kjo tkurrje e investimeve do të kompensohej nga kreditimi i bankave të nivelit të dytë, duke pasur parasysh se sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë bankat janë pesimiste për kreditimin. Pra, a do ketë rritje pozitive ekonomike gjatë vitit 2010?

Banka e Shqipërisë garanton qëndrueshmërinë e bankave shqiptare dhe zhvillimin normal të aktivitetit ekonomik-financiar në vend, përfshirë dhe kreditimin. Njëkohësisht duhet ti referohemi çfarë kemi pranuar në konferencat e tjera, që po shkojmë drejt ekuilibrave të rinj, që do të thotë se prurja e depozitave në sistem do të jetë një premisë mjaft e mirë për rritjen e kreditimit në ekonomi. Përmirësimi i klimës së ambientit makroekonomik botëror, vlerësimi më i mirë që bankat do të bëjnë në krahun e kërkesës dhe ofertës si dhe monitorimi e diversifikimi më i mirë në krahun e bizneseve do të ndikojë në rritjen e kreditimit dhe zhvillimin e ekonomisë në vend. Kjo kërkon një bashkëpunim akoma dhe më të mirë ndërmjet klientëve dhe bankave si dhe më shumë punë nga bankat për një vlerësim sa më të mirë të aktiviteteve fitimprurëse.

Pyetje: Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë a do jetë viti 2010 më i vështirë apo më i mirë se viti 2009? Pse bankat nuk po e përcjellin të plotë lehtësimin e politikës monetare, cilat janë shkaqet?

Mendoj që përmbyllja e diskutimit të sotëm është që Banka e Shqipërisë është optimiste. Natyrisht që të parashikosh të ardhmen nuk është e lehtë. Banka e Shqipërisë nuk ka globin e kristaltë për të bërë parashikimet mbi gjithçka dhe nuk ka të gjitha mjetet për të bërë të pamundurën të mundur. Banka e Shqipërisë ka një objektiv kryesor të sajin, stabilitetin e çmimeve dhe për këtë arsye, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme duke filluar nga viti 2006, sidomos gjatë viteve 2008-2009, për një stabilitet afatgjatë makroekonomik dhe financiar në vend.

Për sa i përket kreditimit të ekonomisë është mjaft e rëndësishme të kuptohet që situata është më premtuese, sidomos me hyrjen e depozitave në sistem. Banka e Shqipërisë po kërkon nga sistemi bankar një bashkëpunim sa më të mirë midis bankave dhe klientëve, për të gjetur hapësira objektive në mënyrë që stimuli i kreditimit të jetë gjithmonë një stimul efektiv për ekonominë. Natyrisht nuk duhet të harrojmë që sistemi bankar i ka të gjitha hapësirat ligjore për të bërë që ky bashkëpunim të jetë sa më efektiv.