BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 27 janar 2010

Data e publikimit: 28.01.2010

 

Pyetje - Në lidhje me pozicionin e jashtëm të ekonomisë, ju folët për një pozicion të jashtëm të paqëndrueshëm. A ka rrezik që ekonomia ta vetëkorrigjojë këtë situatë, qoftë edhe nëpërmjet kanaleve të kursit të këmbimit dhe cilat do të ishin ndikimet e saj?

Guvernatori – E kam përsëritur edhe më parë që zgjedhja jonë ka qenë e duhur në drejtim të regjimit të kursit të këmbimit. Regjimi fleksibël i kursit të këmbimit në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një nga garantorët e zhvillimeve të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Pyetje – ǒ mendim keni për planet e fundit të ekzekutivit shqiptar për një reduktim të mundshëm të buxhetit në vitin 2010?

Së dyti, qeveria po programon 300 milionë eurobond në muajin maj. Si paraqitet situata, ndërkohë që në muajin mars qeveria pret edhe një vlerësim nga Moody’s?

Guvernatori – Banka e Shqipërisë mirëpret lëvizjet e fundit përsa i përket korrektimit në ulje të buxhetit dhe është në linjë të plotë me sugjerimet tona, me zhvillimet ndërkombëtare dhe manovrat ekonomike të shumë vendeve në botë. Ajo që do të dominojë zhvillimet ekonomike botërore në të ardhmen dhe për rrjedhim politikat ekonomike do të jetë politika fiskale. Kështu që çdo kujdes për korrektimin dhe konsolidimin e kësaj politike është jo vetëm i mirëpritur, por i domosdoshëm. Përsa i përket lëvizjeve të fundit, vlerësoj se ato janë në kohën e duhur dhe përbëjnë një shenjë të fortë besimi dhe ndërgjegjësimi, parakushte për politika monetare më efektive dhe rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen do të shtoja. Ne inkurajojmë ekzekutivin shqiptar që të procedojë me shpejtësi për finalizimin e punës përgatitore për emetimin e eurobondit. Është e domosdoshme të veprojmë me shpejtësi për t’i dhënë injeksionin e duhur ekonomisë shqiptare. Njëkohësisht, është një masë e mirëpritur, përsa i përket rregullimit të bilancit në përgjithësi dhe lënies më shumë vend dhe me efektivitet të zhvillimeve në sektorin privat.

Pyetje - A ka pasur korrektim të buxhetit 2010?

Guvernatori – Jo ende, por propozimet që bëhen janë në linjë me kërkesat e Bankës e Shqipërisë.

Pyetje - Kohët e fundit është lakuar çështja e amnistisë fiskale. A mendoni se aplikimi i saj do të ishte zgjidhje e momentit për ekonominë ?

Guvernatori – Çdo lëvizje në kahun e formalizmit të ekonomisë, të rregullimit të ekuilibrave dhe bilanceve të saj është e mirëpritur nga Banka e Shqipërisë. Natyrisht që ky është një proces mjaft kompleks, i cili kërkon përgatitje të mirë si dhe një ndërgjegjësim të përgjithshëm të të gjithë agjentëve ekonomikë në vend.

Pyetje – Qeveria miratoi disa ditë më parë kuadrin makroekonomik deri në vitin 2012, ku Banka e Shqipërisë dhe INSTAT-i parashikon një rritje 6% për vitin 2010. E mbështesni ju një rritje 6 për qind për vitin 2010?

Së dyti, sa parashikoni se do të ndikojë situata e përmbytjeve në shpenzimet?

Guvernatori - Banka e Shqipërisë është konfidente për një rritje pozitive të ekonomisë për vitin 2010.

Ndërsa për pyetjen e dytë, duhet të presim faturën dhe më pas të gjykojmë seriozisht lidhur me ndikimet.

Pyetje - Sa do ndikojë situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës në ekonominë e vendit? Ju përmendët se do të ketë impakt në produktet bujqësore, po në buxhetin e shtetit, sa do ndikojnë në presionet në buxhet?

Guvernatori - Është e rëndësishme të kemi faturën, por duhet të theksojmë faktin se fondet e kontigjencës janë në buxhet.