BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, datë 26.09.2012

Data e publikimit: 28.09.2012

 

Pyetje: Çfarë  masash  mund të merren nga Qeveria për nxitjen e konsumit si dhe çfarë mjetesh duhen përdorur për rritjen e likuiditetit dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare, në një kohë ku ju thatë që norma e interesit bazë do të mbetet e pandryshuar?

Përgjigje: Si e përmenda dhe në raport, hapësirat për ndërhyrje fiskale për shkak të ruajtjes së balancave të deficitit dhe të borxhit janë mjaft të pakta. Aktualisht në Bankën e Shqipërisë jemi duke e analizuar këtë situatë. Edhe diskutimet e zhvilluara me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, janë përqendruar në masat që duhet të merren për zhvillimin e ekonomisë në të ardhmen. Thelbi qëndron në gjetjen e balancave të domosdoshme, të cilat do të garantonin ruajtjen e stabilitetin makrofinanciar të vendit por njëkohësisht do të shërbenin dhe si nxitëse për rritjen ekonomike. Ekonomia shqiptare ka nevojë dhe do të mirëpresë çdo ardhje të re të investimeve të huaja direkte, si një nga rrugët më efikase për të siguruar një injektim të ri në ekonomi. Kjo është sfida e së ardhmes.