BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, datë 27.11.2012

Data e publikimit: 03.12.2012

 

Pyetje: Cili është komenti juaj në lidhje me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm?

Përgjigje: Nga një vështrim paraprak, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon tregues të cilët do të vareshin nga realizimi i të ardhurave dhe i shpenzimeve, si dhe nga miradministrimi i tyre. Por, si çdo plan ekonomik ai ka edhe rreziqet e veta. Në këtë kuadër, në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, e rëndësishme është ruajtja e treguesit afatgjatë të borxhit dhe të kostove të tij. Për të dalë nga konteksti i diskutimeve të ditës, përfitoj nga rasti të theksoj qëndrimin tim dhe të Bankës së Shqipërisë për të patur një borxh të ulët nën kontroll, inflacion të ulët dhe kurs fleksibël të këmbimit. Kjo do të thotë që ne duhet të shohim përtej këtij bilanci, në mënyrë që të garantojmë stabilitetin afatgjatë të vendit dhe të treguesve kryesorë të këtij stabiliteti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, një zgjidhje e domosdoshme, me gjithë se nuk mund të quhet çelës magjik, është vendosja e një rregulli fiskal. Në këtë mënyrë, i bëj një ftesë të hapur politikës shqiptare që të diskutojë dhe të vendosë një rregull fiskal, i cili do të jetë një instrument mjaft i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të borxhit si dhe për të dhënë nxitësit e domosdoshëm në ekonomi. Gjithashtu kjo zgjidhje duhet të ketë një dritare fleksibiliteti, që nënkupton rastet për ndërhyrje dhe tejkalime për situata të jashtëzakonshme. Rregulli fiskal do të jetë një garanci për investitorët e brendshëm dhe të huaj për sa i përket transparencës së tij.

Pyetje-Zoti Guvernator ju lutem na jepni një koment në lidhje me politikën fiskale, nisur nga fakti se dje qeveria ka miratuar një ligj që heq tavanin e borxhit.  E shikoni këtë si një lëvizje në kahun e duhur?

Përgjigje- Mendoj se përgjigja që dhashë pak më parë ishte më shumë sesa pyetja që ju bëtë. Megjithatë do ta lexoj edhe njëherë tekstin e deklaratës që lexova pak më parë: “ ... Nga një informacion paraprak tregohet që stimuli fiskal mund të jetë në rritje gjatë vitit të ardhshëm, duke plotësuar kërkesën e huaj si një mbështetës afatshkurtër i rritjes ekonomike gjatë vitit të ardhshëm, megjithatë efekti tërësor i stimulit fiskal do të varet nga reagimi i sektorit privat, i stimulit dhe i treguesve financiarë, ndërkohë efekti afatgjatë i tij do të varet nga kostot që do të sjellë ai në buxhet”.

E theksova dhe e ritheksoj se është mjaft e rëndësishme të dalim nga retorika gazetareske dhe të ulemi të diskutojmë konkretisht për të realizuar një rregull fiskal. Ky rregull  nuk do të jetë çelësi i artë,  por të jep mundësitë institucionale që në periudha të vështira të kesh fleksibilitetet e nevojshme dhe në periudha të qeta të realizosh të ardhurat, në mënyrë që të jesh i garantuar për të ardhmen. Ky rregull, njëkohësisht  do të garantonte fleksibilitetin dhe transparencën e domosdoshme për investitorët e huaj dhe të brendshëm.

Besoj se ju si gazetar në 7 vitet e shkuara, duhet të kishit dhënë një përgjigje vetë, pa ma bërë mua këtë pyetje.

Banka qendrore merr parasysh të gjithë informacionin që i garanton tregu i brendshëm dhe tregu i jashtëm. Në bazë të këtij informacioni si dhe bazuar në zhvillimet e paqarta ndërkombëtare, pa lënë mënjanë nevojën për stimulimin e aktivitetit ekonomik, mendojmë që ruajtja afatgjatë e parametrave është e domosdoshme. Kjo jo vetëm për rritjen e kredibilitetit të agjentëve brenda dhe jashtë vendit, por edhe për të dhënë garancitë përkatëse për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Pra, ne duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjatë, duke diskutuar së bashku për të miratuar një rregull fiskal.

Së fundmi, dëshiroj ta mbyll konferencën me një urim  për ditën e sotme dhe të nesërme. Ju uroj Gëzuar festën e Pavarësisë. Uroj të festojmë dhe të gëzojmë së bashku, me premtimin që do të  angazhohemi më mirë për 100-vitet e ardhshme.