BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të datës 16 dhjetor 2015

Data e publikimit: 16.12.2015

 

Pyetje: Në çfarë faze ndodhet plani i nisur ndërministerial për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija në vend? Para pak ditësh, në Komisionin e Ekonomisë thatë se Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me bankat e tjera ka bërë tashmë një seleksionim të kompanive me kredi me probleme. Cilat prej këtyre kompanive janë për faliment dhe cilat janë për ristrukturim? Mund të kemi një numër të tyre, sa janë për faliment dhe sa janë për ristrukturim? Për cilat lloje kompanish bëhet fjalë?

Guvernatori: Plani ndërinstitucional konsiston në ndryshime rregullatore dhe ligjore në funksion të lehtësimit të punës së bankave në procesin e trajtimit të kredive me probleme. Përgjithësisht, plani nga njëra anë nxit bankat të ristrukturojnë portofolet për ato biznese të cilat kanë projeksione pozitive për të ardhmen, ndërkohë që në anën tjetër orienton bankat të trajtojnë ligjërisht bizneset, portofoli i të cilave konsiderohet pa shpresë rikuperimi, duke nënkuptuar ekzekutimin e kolateralit si dhe marrjen e masave të tjera më radikale, që ndiqen në këto lloj rastesh. Duke qenë se e kemi shpjeguar disa herë, nuk do të doja të ndalesha më tepër në detajet e këtij plani.

Ajo që dëshiroj të them është se ky plan masash ka dhënë efektet e para, duke sjellë praktikisht rënien e raportit të kredive me probleme në nivelin rreth 20.5%, nga 25%. Fshirja e kredive me probleme nga bilancet e bankave, përbën një nga elementët e këtij plani. Duhet theksuar se ka edhe raste kredish të cilat janë në proces ristrukturimi nga ana e bankave, ku spikasin kreditë e korporatave të mëdha, të cilat do të japin efektin e tyre në rënien e mëtejshme të raportit të kredive me probleme.

E kemi thënë disa herë që praktikisht niveli i kredive me probleme është një raport në përqindje i kredisë me probleme ndaj totalit të kredisë. Për rrjedhim nëse kjo e fundit do të rritet, atëherë dhe përqindja e kredisë me probleme do të përmirësohet. Një zhvillim pozitiv në këtë drejtim, siç e theksova edhe në deklaratë, është rritja e kredisë në muajin tetor, e cila e pastruar nga efekti i fshirjes së kredive nga bilanci, rezulton 1.8%. Ecuria e mëtejshme mbetet për t?u verifikuar në muajt nëntor dhe dhjetor. Megjithatë referuar modelit sezonal, duhet thënë që ne presim një rritje të kreditimit këto dy muaj, duke bërë të mundur kështu uljen e raportit të kredive me probleme nga ana tjetër. Ndërkohë, në dijeninë tonë si Bankë e Shqipërisë, bankat janë duke punuar në mënyrë intensive për ristrukturimin e portofolit të kredive me probleme.

Lidhur me deklaratën ose me komentet tuaja për atë që ne raportuam në Komisionin e Ekonomisë për kreditë me probleme, në fakt nuk do të doja të kontestoja ekzaktësisht interpretimin e medias, por po përfitoj të bëj një sqarim të rastit. Nuk është Banka e Shqipërisë ajo që vendos se cilat raste do të shkojnë për faliment dhe cilat jo. Janë vetë bankat e nivelit të dytë dhe shoqata e bankave. Bankat me vendimmarrjen e tyre të pavarur operacionale gjykojnë dhe vlerësojnë rastet. Banka e Shqipërisë me rregullat dhe nismat rregullatore ndikon, koordinon dhe monitoron procesin, por vendimmarrja finale iu takon bankave. Praktikisht, kjo është ajo që unë kam shpjeguar në Komisionin e Ekonomisë. Pra nuk kam thënë ekzaktësisht se kemi ndarë cilat raste do të shkojnë në falimentim dhe cilat raste jo. Ky ka qenë më shumë një konkluzion i arritur nga ana e medias. 

Gjithsesi, duke përmbledhur sa më sipër, ajo që mund të them është se sistemi bankar po vlerëson me pozitivitet dhe me optimizëm ristrukturimin e kredive me probleme, kudo që është e mundur.

Pyetje: Nesër në Parlament votohet buxheti i shtetit, ndërkohë që Banka e Shqipërisë disa ditë më parë ka bërë propozimet e saj. Në këtë formë që ka marrë buxheti plus edhe konsultimet tuaja, ju jeni dakord që nesër buxheti të miratohet? Po shtoj këtu edhe për paketën fiskale propozimet që mbeten ende ne diskutime, po them për profesionet e lira etj. Ju keni bërë kërkesë për diskutime me grupet e interesit e me radhë për zgjidhjen përfundimtare të këtyre profesioneve?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë, objeksionet dhe vlerësimet e saj lidhur me buxhetin e vitit 2016. Sikurse kemi theksuar, shqetësimi ose vëmendja jonë kryesore në raport me buxhetin e vitit 2016 ka qenë e lidhur me ruajtjen e nivelit të deficitit buxhetor. Për sa kohë që, buxheti i vitit 2016 planifikon një politikë fiskale konsoliduese dhe merr në konsideratë uljen e nivelit të deficitit buxhetor dhe të borxhit, për ne kjo vlerësohet si element pozitiv, në drejtimin e duhur. Ne i kemi dhënë opinionet dhe rekomandimet tona Qeverisë dhe Ministrisë së Financave në lidhje me shpenzimet dhe shpërndarjen e tyre. Ajo që dua të theksoj është se parimisht ne shikojmë parametrat bazë monetarë dhe ekonomikë dhe vëmë re që ka një trajtim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe të të ardhurave në buxhetin e vitit 2016. Në nivele të detajuara, i takon qeverisë të hartojë dhe zbatojë buxhetin.

E ritheksoj, për sa kohë që ne shohim se do të ketë një politikë fiskale konsoliduese, e cila shkon në përputhje me politikën tonë monetare lehtësuese, niveli i borxhit është në rënie dhe është brenda parametrave të cilat ne i kemi përcaktuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të gjykonim që buxheti i vitit 2016 është i pranueshëm për ne si Bankë e Shqipërisë.