BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të datës 6 prill 2016

Data e publikimit: 06.04.2016

 

Pyetje: Ju thatë që Banka e Shqipërisë është e gatshme të bëjë gjithçka në rast se do të materializohen presione të tjera disinflacioniste. E keni fjalën vetëm për masa tradicionale, pra për lehtësim të mëtejshëm me anë të uljes së normës bazë të interesit apo dhe masa të tjera, përtej atyre tradicionale? A jeni duke shqyrtuar masa të tilla?

Guvernatori: Siç e kemi theksuar edhe më parë, Banka e Shqipërisë deri tani ka ndjekur një politikë monetare tradicionale nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, sot kemi ngushtuar edhe korridorin për depozitën dhe kredinë njëditore në mënyrë që të perfeksionojmë transmetimin e politikës monetare lehtësuese.

Kjo çështje është diskutuar së fundi edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Ne kemi theksuar se, nisur nga disa kritere dhe nga disa parametra ekonomikë dhe makroekonomikë dhe pavarësisht se norma bazë ka arritur në nivelet minimale historike, ekziston hapësirë e mëtejshme për të vazhduar me politikën monetare tradicionale.

Po të shohim uljen e normave të interesit nga bankat qendrore të vendeve të rajonit dhe të Eurozonës, vëmë re që nivelet minimale të tyre janë poshtë normës tonë. Ne presim që politika monetare lehtësuese të ndikojë në gjallërimin e aktivitetit kreditues dhe atij ekonomik në përgjithësi. Ne besojmë se efekti nuk ka munguar, përderisa kredia në lekë është rritur dhe vazhdon të rritet në raport me kredinë në valutë. Gjithashtu, efekti është përcjellë dhe në rritjen e konsumit dhe të investimeve.

Janë disa parametra dhe tregues që ne i monitorojmë dhe i matim çdo muaj dhe çdo tre muaj. Në rast se politika jonë monetare me masat e saj konvencionale nuk do të arrijë të ndikojë pozitivisht, në nivelet e pritshme, për rritjen ekonomike, kreditimin dhe parametra të tjerë makroekonomikë, sigurisht që si çdo bankë qendrore dhe ne na lind e drejta të mendojmë për adoptimin e metodave jo-konvencionale. Kjo është një praktikë e njohur në këto vitet e fundit, që e kemi parë të zbatohet në rajon dhe më gjerë.

Banka Qendrore Evropiane e ka ulur normën bazë të interesit deri në nivele negative. Praktikisht, ne nuk jemi në këto kushte. Përgjithësisht, metodat jo-konvencionale zbatohen në momente afër recesionit, kur rritja ekonomike është zero ose nën zero, kur ka situatë deflacioniste, kur ka mungesë likuiditeti dhe disa elementë të tjerë, të cilat ne nuk i hasim në Shqipëri.

Sistemi bankar shqiptar ka një gjendje likuiditeti të mjaftueshme, pra raporti kredi-depozita vazhdon të mbetet i lartë, ndërkohë që rritja ekonomike këtë vit vlerësohet të jetë 2.7%. Për më tepër, pritshmëritë tona për rritjen ekonomike janë pozitive për rritjen e mëtejshme të saj. Shifrat, faktet, dhe treguesit e argumentojnë vazhdimin e kuadrit aktual lehtësues të politikës monetare.

Pyetje: Doja të sillja në vëmendje një problem që ka shpërthyer së fundmi në media, së bashku më një listë personash të famshëm me llogari të fshehta në Panama. Jo më larg se dje u zbulua që kompanitë koncesionare shqiptare nuk i paraqesin pasqyrat financiare në Shqipëri; i kryejnë transaksionet pa lënë asnjë gjurmë në Shqipëri dhe shteti shqiptar qenka i paaftë t'i gjurmojë. A ka një rol Banka e Shqipërisë dhe a keni informacion për këto kompani që nuk dihet ku i çojnë këto transaksione, ku mbyllet qarku i parave i këtyre kompanive?

Guvernatori: Pyetja juaj është më e gjerë. Fenomeni është ndërkombëtar. Sot "Panama Papers" është një nga lajmet ndërkombëtare më të bujshme lidhur me rrjedhjen e shumë informacioneve për llogaritë financiare të kompanive apo të personaliteteve të ndryshme. Kemi parë që janë përfolur shumë emra personalitetesh në rang botëror, duke e bërë këtë një problem ndërkombëtar, shumë herë më të madh sesa problemi në Shqipëri.

Në Shqipëri, nuk jam i sigurt nëse kanë dalë emra konkretë. Pavarësisht kësaj, do të theksoj se çdo fakt, qoftë i lidhur me evazion fiskal apo me fshehje të ardhurash, duhet trajtuar në përputhje me kuadrin ligjor. Në rast se ka informacion të faktuar, që është shkelur ligji, atëherë kjo do të përbënte një çështje që i takon prokurorisë dhe prokuroria do të duhej pa diskutim të ushtronte rolin në respekt të ligjit.

Më konkretisht, lidhur me pyetjen tuaj, Banka e Shqipërisë gjithmonë ka shprehur qëndrimin e saj kundër informalitetit. Ne kemi ushtruar rolin rregullator në raport me bankat dhe institucionet e tjera të licencuara nga ne, në mënyrë që ato të mos përdorin dy standarde për pasqyrat financiare. Sikurse e kemi theksuar dhe më parë, bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë kanë pasqyra financiare të certifikuara dhe të mbikëqyrura si nga ekspertët kontabël, ashtu edhe nga banka qendrore në rolin e rregullatorit. Ky fenomen nuk është konstatuar në bilancet e bankave dhe nuk na rezulton që sektori bankar të jetë i përfshirë në transaksione ose në fshehje të të ardhurave ose në raportime me pasqyra të dyfishta.

Nga ana tjetër, bankat kanë ushtruar të gjitha kompetencat dhe fuqinë e tyre ligjore në respekt të ligjit në raport me klientët e tyre. Bankat kanë kryer raportimin periodik sipas ligjit tek autoriteti përkatës që është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Nga ky këndvështrim, bankat janë subjekt i kontrolleve dhe i ekzaminimeve periodike, si nga Banka e Shqipërisë ashtu edhe nga vetë autoriteti i sipërpërmendur.

Në përfundim, edhe njëherë sqaroj se nuk disponojmë informacion të zgjeruar për të thënë detaje të mëtejshme, përveç asaj çka është bërë publike nga shtypi. Siç e përmenda në fillim, ky është një informacion madhor ndërkombëtar, i cili nuk i takon vetëm Shqipërisë. Sigurisht që përtej zhurmës së madhe që ka shkaktuar në shtypin ndërkombëtar, ne mbetemi vigjilent që të shikojmë dhe të ushtrojmë të gjitha funksionet dhe autoritetin tonë ligjor në mënyrë që kjo ngjarje të na ndihmojë në drejtim të thellimit të luftës kundër informalitetit. 

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në konferencën për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 6 prill 2016