BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 21 dhjetor 2016

Data e publikimit: 21.12.2016

 

Pyetje - Z. Guvernator, pas pak muajsh përfundon marrëveshja e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Të paktën, sipas deklarimeve publike të qeverisë nuk do të ketë më një marrëveshje sipas formatit aktual, por do të ketë një marrëveshje më të relaksuar. A ka një koment Banka e Shqipërisë për këtë?

Guvernatori - Siç e thatë dhe ju, marrëveshja aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar përfundon në muajin shkurt të vitit që vjen. Së pari, duhet theksuar që marrëveshja i ka arritur objektivat e saj, dhe në përgjithësi zhvillimet ekonomike në vend janë orientuar sipas kësaj marrëveshjeje. Politika monetare stimuluese dhe politika fiskale konsoliduese kanë pasur ato rezultate që janë përmendur vazhdimisht dhe kanë qenë në përputhje me marrëveshjen.

Natyrisht që marrëveshjet me Fondin kanë një afat të përcaktuar. E kam theksuar dhe herë të tjera, edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave gjatë pyetjeve respektive, që marrëveshja e ardhshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të duket shumë qartë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pra, qeveria e re që do të marrë mandatin pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, do të ketë edhe një strategji dhe projekt të sajin për vazhdimin e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kjo do të ndodhte në çdo vend tjetër. Duke qenë se vitin tjetër ne kemi zgjedhjet, sigurisht që të dy palët nuk do të shikonin me vend lidhjen e një marrëveshjeje para zgjedhjeve, pra me një afat tremujor.

Pavarësisht nga marrëveshjet që ne mund të kemi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, autoritetet në vend dhe Banka e Shqipërisë janë të forcuara mjaftueshmërisht për të vazhduar si me marrëveshje ashtu edhe pa marrëveshje arritjen e objektivave të tyre.