BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 29 mars 2017

Data e publikimit: 29.03.2017

 

Pyetje: Disa vrojtime të vitit të kaluar nga Banka e Shqipërisë kanë nxjerrë në pah një prani të shtuar të euros në treg, ndërkohë që ju në fillim të këtij viti keni shpallur disa politika deeuroizimi, për nxitje të përdorimit të monedhës vendase. Ku konsistojnë konkretisht këto politika, pra si do të veproni realisht?

Guvernatori: Po, është e vërtetë. Banka e Shqipërisë ka në fokus të punës së këtij viti, një plan masash për deeuroizimin dhe rritjen e ndikimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare. Kjo do të ndikonte në rritjen e eficiencës së politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, pasi dihet që Banka e Shqipërisë, nëpërmjet instrumentit të normës bazë të interesit ndikon monedhën vendase, lek.

Euroizimi, d.m.th. ekspozimi i madh në euro nga ana e sistemit financiar dhe bankar, ka efekt në stabilitetin e sistemit financiar, duke qenë se një pjesë e madhe e kredisë është akoma në euro. Një numër i madh klientësh kanë të ardhura në monedhën vendase, ndërkohë që kanë kredi në euro, dhe kjo i ekspozon ata, duke ndikuar në performancën e kredisë së tyre. Gjithashtu, euroizimi ka edhe efekte më të gjera makroekonomike, ndikon edhe në koston e shërbimit të borxhit të qeverisë.

Në këtë aspekt, për të ulur euroizimin e sistemit bankar ne kemi marrë masa, duke ponderuar aktivet likuide në euro dhe pasivet me një normë më të lartë. Gjithashtu, ne do të marrim disa masa për rinumerimin e rezervës së detyrueshme në Bankën e Shqipërisë, duke defavorizuar euron dhe favorizuar monedhën vendase. Ka dhe masa të tjera që do të merren për ndërgjegjësimin e publikut, lidhur me rreziqet që vijnë nga euroizimi.

Sigurisht që ky është një fenomen më i gjerë, i cili ka të bëjë jo vetëm me rolin dhe funksionet e bankës qendrore, por edhe të institucioneve të tjera. Ne e kemi diskutuar këtë fenomen edhe në mbledhjen e Grupit të Këshillimor të Stabilitetit Financiar dhe jemi duke përgatitur një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për të zgjeruar masat në luftën kundër euroizimit.

Në mënyrë të përmbledhur, do të thoja që kjo do të rriste eficiencën e politikës monetare për një transmetim më të plotë të saj dhe do të forconte më shumë ndikimet pozitive në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.

Pyetje: Z. Guvernator, një pyetje në lidhje me situatën politike në vend. A e keni faktorizuar ju rrezikun politik në pritshmëritë tuaja për ekonominë, dhe a përbën situata aktuale politike një kërcënim për zhvillimet ekonomike?

Guvernatori: Në këtë raport, ne i jemi referuar të dhënave të periudhës raportuese, duke marrë në analizë shifrat, rezultatet dhe të dhënat zyrtare që kemi. Natyrisht që modeli ynë gjithmonë ka marrë dhe merr parasysh edhe periudhat elektorale dhe vitet zgjedhore. Modeli ynë është elaboruar, duke iu referuar të dhënave historike, pra duke parë sjelljet e caktuara të politikës dhe të ekonomisë në periudhat e mëparshme. Praktikisht, modeli i Bankës së Shqipërisë për parashikimin makroekonomik ka një korrektim, duke marrë parasysh situatën politike.

Ne gjykojmë dhe shpresojmë që proceset do të ecin dhe do të vazhdojnë brenda afateve normalë demokratikë, sikurse është provuar dhe herë të tjera në vitet e mëparshme, por sigurisht që ne kemi marrë parasysh situatën në modelin tonë. Për ne si Bankë e Shqipërisë, pavarësisht nga periudhat kalimtare të viteve zgjedhore që ndodhin në çdo vend, është shumë e rëndësishme që të kemi një vazhdim të reformave strukturore të nisura, të cilat do të kenë ndikimin e tyre në kthimin e ekonomisë në ekuilibër, në mbylljen e hendekut negativ të prodhimit dhe në vazhdimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

Pyetje: Duke mos ju larguar situatës politike, ju thatë që do të bëni një korrektim. Kjo konsiston në korrektim të rritjes ekonomike? Dhe a ka sinjale nga investitorët e huaj për ndonjë largim për shkak të kësaj situate?

Guvernatori: Nuk kemi sinjale formale për largim të investitorëve të huaj për shkak të kësaj situate. Ne marrim informacion nga media dhe nuk kemi informacion konkret për largime të investitorëve të huaj. Natyrisht që në rast se situata do të jetë e tejzgjatur, mund të ketë dhe pasoja negative. Parimisht dhe teorikisht, e kemi theksuar dhe herë të tjera që përkeqësimet politike kanë efektin e tyre në ekonomi. Çdo lloj destabilizimi, jo vetëm politik, ndikon në drejtim të rritjes së pasigurisë, por aktualisht ne jemi në një vit elektoral dhe kjo është një periudhë e pritshme.

Lidhur me largim investitorësh ose me elementë të tjerë, për momentin, nuk është se kemi të dhëna faktike të bazuara. Banka e Shqipërisë është në monitorim dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të situatës. Pas një muaji, ne do të kemi raportin e plotë të tremujorit të politikës monetare, i cili do të shoqërohet me deklaratë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku do të kemi të dhënat e përditësuara, përfshi dhe rezultatet dhe efektet e përgjithshme të situatës që kemi. Për momentin, po bëjmë komente lidhur me Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për periudhën e dy mujorit të parë të vitit 2017.

Pyetje: Autoriteti i Konkurrencës ka marrë një vendim për hetimin e përgjithshëm ndaj bankave pasi ka konstatuar një shtrembërim të konkurrencës. Po ashtu është kërkuar një mbikëqyrje më e fortë nga Banka e Shqipërisë, është kërkuar dhe riformulimi i rregullores së Bankës së Shqipërisë.A ka një plan masash nga Banka e Shqipërisë?

Guvernatori: E rëndësishme është që në raportin e Autoritetit të Konkurrencës nuk është theksuar që kemi një situatë monopol. Pra, në sistemin bankar nuk ekziston një situatë monopol, nuk kemi asnjë bankë, e cila të përbëjë dominancën. Kemi 16 banka, jo të gjitha të së njëjtës përmasë, por pesha specifike e secilës bankë siguron që të ketë një konkurrencë të mjaftueshme në sistemin bankar dhe financiar. Disa elemente të përmendur jo vetëm nga Autoriteti i Konkurrencës, por edhe nga mediat dhe analistë të ndryshëm, kanë të bëjnë me të ardhurat e sistemit bankar.

Do të theksoja që është një element shumë pozitiv që sistemi bankar të jetë me përfitueshmëri. Bankat menaxhojnë depozitat, kursimet e popullatës, prandaj është mirë që ato janë me fitim. Por, nën ndikimin e faktorëve makroekonomikë dhe të rreziqeve në Eurozonë, rajon dhe Shqipëri, bankat kanë patur një rënie të nivelit të fitimit krahasuar me periudhat e mëparshme. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e provigjonimit nga llogaritja e disa fondeve rezervë për mbulimin e humbjeve nga kreditë. Gjithashtu, kthimi nga kapitali dhe jo fitimi neto mund të ishte një tregues më i saktë për të gjykuar mbi përfitueshmërinë e bankave, në terma normalë, në rajon ose më gjerë. Për të qenë më objektiv dhe më të qartë, kthimi nga kapitali i bankave është në nivelet 14-15%, ndërkohë që në Shqipëri është në nivelet 6-7%. Pra, përfitueshmëria e bankave është normale.

Nga ana tjetër, ne jemi duke bashkëpunuar me Autoritetin e Konkurrencës për të pasur një memorandum të qartë mirëkuptimi si dhe një plan konkret masash, për të rritur nivelin e transparencës në nivelin bankar. Transparenca është shumë e rëndësishme. Ajo është një nga objektivat e Bankës së Shqipërisë, për ti bërë bankat të jenë transparente, por dhe klientët e tyre shumë të qartë për produktet dhe çmimet që i ofrohen.

Pyetja: Një sqarim, që edhe ne mos të interpretojmë. Kur thoni që keni korrektuar skenarët tuaj për shkak të zhvillimeve politike, nënkuptoni që keni ulur parashikimin për rritjen ekonomike si pasojë e zhvillimeve politike?

Guvernatori: Jo, nuk kemi rishikuar parashikimin në këtë raport, pasi parashikimi ynë fillestar ka marrë parasysh që në fillim që ky do të jetë një vit zgjedhor. Sikurse e theksova, në modelin tonë ne kemi marrë parasysh sjelljen historike të viteve të mëparshme elektorale, në të cilin është përfshirë edhe ndikimi i faktorit elektoral. Nuk kemi bërë akoma një parashikim të ndryshuar mbi rritjen ekonomike. Në raportet e mëtejshme tremujore ose gjashtëmujore të politikës monetare do të reflektohet, në varësi të ecurisë së ekonomisë dhe të faktorëve të tjerë.