BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 3 gusht 2016

Data e publikimit: 03.08.2016

 

Pyetje: Sot në media ka pasur një raportim, sipas të cilit Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se në thesarin e Bankës së Shqipërisë është vjedhur trefishi i shumës që është thënë deri tani publikisht. Pyetjet që kam unë janë: a e konfirmoni vërtetësinë e kësaj shifre? Dhe e dyta, nëse ka mundësi cilat janë ato banka të nivelit të dytë për të cilat flitet në atë raport?

Guvernatori: Faleminderit për pyetjen, e cila më jep mundësinë të bëj një sqarim pasi edhe unë e lexova gazetën përpara mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Normalisht ne e kemi informuar publikun dhe konfirmuar në mënyrë të vazhdueshme, edhe në periudhën e fillimit të mandatit tim si Guvernator, se shuma e vjedhur ka qenë ajo që është inventarizuar dhe deklaruar. Kjo ka ardhur jo vetëm si rezultat i inventarëve të kryer me urdhër të Administratorëve në momentin e identifikimit të vjedhjes, por edhe si rezultat i inventarëve të mëpasshëm të kryer nga grupe inventarizimi që kanë rikonfirmuar këtë shifër. Gjithashtu, shifra e 713 milionë lekëve të vjedhura është rikonfirmuar si nga auditorë të tjerë të jashtëm, në pasqyrat financiare, ashtu edhe nga Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar e FSVC-ja që është një institucion konsulence për Bankën e Shqipërisë. Pra, kjo është një shifër e konfirmuar nga disa auditime të radhës dhe inventarizime të ndryshme.

Unë si Guvernator nuk kam asnjë informacion lidhur me shifrën e lexuar sot. Çdo raport, edhe vetë raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka konfirmuar po shifrën që përmenda më sipër.

Pra, edhe njëherë, në raportet që unë kam nga KLSH-ja kam të konfirmuar pikërisht këtë shifër. Sigurisht që unë nuk jam inventarizuesi. Unë jam ai që organizon punën dhe pret informacionin nga grupet. Por, duke iu referuar një numri të madh grupesh pune të brendshme dhe të jashtme, të cilat kanë konfirmuar këtë shifër, shifra rezulton në këtë nivel.

Çdo spekulim tjetër mediatik, i cili mund të kërkojë të bëjë lajm, do të prishte imazhin e Bankës së Shqipërisë dhe do të keqinformonte publikun lidhur me shifrën e vjedhur në Bankën e Shqipërisë.

Pyetje: Zoti Guvernator, ju përmendët dhe përshëndetët edhe reformën në drejtësi. Por zhvillimet politike, veçanërisht gjatë muajit të fundit, kanë qenë shumë dinamike dhe duket sikur ka një rritje të rrezikut politik. A percepton dhe Banka e Shqipërisë të njëjtën gjë dhe cilat do të ishin impaktet? A përbën kjo një rrezik të shtuar për ekonominë?

Guvernatori: Parimisht, çdo destabilizim politik në teori, do të kishte ndikimin e tij në nivelin e rritjes ekonomike. Në rastin konkret, ne kemi parë që reforma në drejtësi pati një miratim me konsensus, si asnjëherë, me 140 vota. Ky ishte një sinjal shumë pozitiv për Shqipërinë në përgjithësi, për integrimin e Shqipërisë, por dhe për ekonominë shqiptare.

Nga këndvështrimi ynë si Bankë Qendrore, kjo na jep një sinjal jashtëzakonisht optimist për ecurinë e kreditimit, por dhe për zbatimin e planit të masave për kreditë me probleme. Zbatimi i reformës në drejtësi do të sillte një ekzekutim më të mirë të kolateralit dhe një zbatim më të mirë të kontratave në planin afatgjatë dhe afatmesëm në raport midis bankave dhe kredimarrësve.

Pra, pas miratimit të reformës në drejtësi, perceptimi ynë aktual si Bankë e Shqipërisë është pozitiv. Normalisht kjo krijon premisa pozitive dhe për ekonominë shqiptare. Le të shohim hap pas hapi ecurinë e implementimit të reformës, pasi dhe kjo do të ketë hapat e saj. Të shpresojmë se dhe implementimi do të jetë konsensual dhe do të ecë me hapa pozitivë njësoj si miratimi i paketës kushtetuese.

Pyetje: Folët për vjedhjen në bankë, por praktikisht vetëm për vjedhjen fizike të parasë, 713 milionë lekë. Ndërkohë që artikulli i sotëm që ka dalë në media fliste për një skemë vjedhjeje në bashkëpunim me disa banka. Domethënë, e keni shumë të qartë skemën? Ekziston apo jo një skemë e tillë?

Guvernatori: Unë nuk kam të qartë asnjë skemë. Ndoshta kjo është një fantazi e shtypit apo e kujtdo tjetër në periudhën që ka ndodhur vjedhja.

Në raport me punën zyrtare të inventarizimit lidhur me vjedhjen, unë ju referova që shuma ka qenë ajo që është publikuar, e cila edhe është rikonfirmuar. Nuk kemi asnjë informacion, qoftë zyrtar apo jozyrtar, sekret apo josekret, që të na thotë se ka një skemë që lidhet me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë. Unë si Guvernator nuk kam asnjë informacion lidhur me këtë gjë. As kam pasur, as kam.