BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje - përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 9 nëntor 2016

Data e publikimit: 09.11.2016

 

Pyetje - Në fund të muajit shkurt rishikohet marrëveshja me FMN. Mendohet që kjo marrëveshje të kalohet në nivele këshilluese, a mendoni se është momenti i duhur për të kaluar në këto nivele dhe a është kjo në mbështetje të politikave të Bankës, dhe për inflacionin?

Guvernatori - Marrëveshja trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm. Kjo marrëveshje i ka dhënë efektet e saj pozitive. Në këtë kuadër, janë ndërmarrë një sërë reformash strukturore si në ekonomi po ashtu edhe në sektorin financiar, të cilat kanë rezultuar të suksesshme. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, si dhe i masave të marra dhe reformave strukturore ne kemi ecur drejt një konsolidimi fiskal. Praktikisht, marrëveshja është e drejta prerogative e qeverisë shqiptare. Është për tu parë konkretisht pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm sesi do të konkludohet me vazhdimin e marrëveshjes. Pra, ne do të kemi një gjykim më të plotë për tipin e marrëveshjes pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Normalisht, përpara përfundimit të marrëveshjes ka dhe një diskutim të radhës, i cili do të jetë në muajin janar,ku Fondi Monetar Ndërkombëtar do të bëjë vlerësimin e pwrditwsuar të të dhënave të ekonomisë shqiptare dhe ne do të kemi gjykim më të plotë. Ne gjykojmë dhe besojmë, bazuar dhe në shifrat, se kjo ishte një marrëveshje e suksesshme. Sesi do të jetë vazhdimi i marrëveshjes kjo do të shihet pas zgjedhjeve, pasi është e drejtë e qeverisë shqiptare.

Ne kemi provuar se jemi të aftë për të kryer reforma në ekonomi dhe sistemin financiar, si nga ana e qeverisë shqiptare ashtu edhe nga ana e Bankës së Shqipërisë. Këto reforma kanë pasur rezultat dhe sukses, dhe në rast se ne do të vazhdojmë me të njëjtin trend të kryerjes së reformave, premisat do të jenë pozitive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Pyetje - Sot në konferencën e kryetarëve të kuvendit kaloi projektbuxheti i vitit të ardhshëm, a është njohur Banka e Shqipërisë me draftin dhe a plotësohen parametrat e buxhetit a shtohen investimet a rritet konsumi?

Guvernatori - Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e diskutimeve me Ministrinë e Financave dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë përgatitjeve të projektbuxhetit 2017, por ne nuk kemi një variant final të tij në fakt. Ju tashmë jeni njohur me disa nga elementët kryesorë të këtij projektbuxheti si lidhur me rritjen e pagave ashtu edhe me pensionet, deklaruar edhe në konferencën për shtyp të Ministrit të Financave dhe përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky projektbuxhet është në përgjithësi një projektbuxhet i cili vazhdon të synojë konsolidimin fiskal. Kjo është edhe ajo që ne si Bankë e Shqipërisë kemi pasur në vëmendje: projektbuxheti duhet të vazhdojë të sigurojë një konsolidim fiskal, pra një ulje të nivelit të borxhit publik. Dhe për sa kemi parë deri tani projektbuxheti e arrin këtë objektiv. Sigurisht, siç e kemi theksuar edhe në konferencën e mëparshme për shtyp rritja e pagave dhe pensioneve do të ishte një element pozitiv që do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe të investimeve, pra do të kishte një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit. Kombinimin e këtyre dy elementëve, pra ruajtjen e uljes së nivelit të borxhit publik nëpërmjet konsolidimit fiskal dhe rritjen e konsumit dhe të investimeve, ne do ta gjykonim si pozitiv. Në rast se projektbuxheti i vitit 2017 do të ruajë këto ekuilibra dhe do të arrijë këto objektiva, atëherë sigurisht që do të ishte një projektbuxhet i pranueshëm edhe për Bankën e Shqipërisë. Por, sidoqoftë ne presim variantin final të projektbuxhetit për ta parë dhe për ta diskutuar.