BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 1 korrik 2020

Data e publikimit: 01.07.2020

 

Pyetje: Në prill u shënua një rekord i parasë në qarkullim jashtë sistemit bankar. Duke qenë se ekonomia ka qenë e mbyllur dhe shumica e transaksioneve janë orientuar drejt atyre të shërbimeve bankare online, çfarë ka ndodhur që të shpjegohet kjo dukuri?

Guvernatori: Faktori kryesor i rritjes së parasë në qarkullim ka qenë masat e distancimit social gjatë periudhës së pandemisë. Për shkak të këtyre masave, kryesisht qytetarët, por edhe bizneset, kanë preferuar të mbajnë një sasi cash­-i jashtë sistemit bankar, kanë preferuar të tërheqin dhe të mbajnë sasi të nevojshme cash-i. Kjo si pasojë e ndikimit psikologjik të krizës, për të operuar më thjesht por dhe për të shmangur kontaktet në degët e bankave apo ATM-të. Një faktor tjetër që ka ndikuar kanë qenë masat fiskale të ndërmarra si në formën e disbursimit të pagesave për familjet në nevojë, ashtu edhe në formën e reduktimit të barrës tatimore.

Gjithsesi, është për tu theksuar që pavarësisht se është rritur paraja cash në qarkullim gjatë kësaj periudhe janë rritur paralelisht dhe depozitat. Pra, gjendja në sistemin bankar ka qenë stabël dhe me një nivel të lartë likuiditeti, pavarësisht ndikimit dhe pasojave të pandemisë. Vetëm në muajin prill, depozitat janë rritur me 8 miliardë lekë në sistemin bankar dhe gjendja e cash-it është rritur me 6 miliardë lekë.

Natyrisht që Banka e Shqipërisë ka marrë masa për të zvogëluar gjendjen e cash-it në qarkullim, por është e pamundur pasi dihet që jemi një ekonomi cash-i. Ka shumë masa që nuk do t’i listoj tani në funksion të kësaj pyetjeje, të cilat synojnë në afatin e mesëm dhe në afatin e gjatë reduktimin e cash-it në ekonomi dhe formalizimin e ekonomisë.

Për momentin ne kemi marrë disa masa, duke hequr komisionet për transaksionet online në sistemin bankar. Pra ne si Bankë e Shqipërisë kemi hequr komisionin tonë dhe në mënyrë indirekte bankat duhet të ulin komisionet për të rritur nivelin e transaksioneve online.

 

Pyetje: Pas emetimit të eurobondit a ekziston ende në programin e emergjencës të Bankës së Shqipërisë ndërhyrja në një skenar të rënduar përmes politikës së lehtësimit sasior?

Guvernatori: Edhe në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë theksuam se planet e kontigjencës për një politikë monetare lehtësuese, dhe në këtë kontekst edhe ato për të vijuar me një lehtësim sasior, me masa jokonvencionale, mbeten në fuqi, por këto janë gjithsesi plane kontigjence.

Pas marrjes së eurobondit nga qeveria shqiptare në vlerën e 650 milionë eurove këto plane kontigjence zbehen, pra janë më pak të mundshme. Masat e lehtësimit sasior ose politika monetare jokonvencionale do të thotë blerja e bonove të thesarit të qeverisë shqiptare nëpërmjet tregut sekondar. Pra në njëfarë mënyrë, financimi i deficitit buxhetor nëpërmjet lehtësimit sasior bëhet më pak i mundshëm sepse eurobondi i ka siguruar qeverisë shqiptare likuiditetin e nevojshëm për të përballuar pasojat e pandemisë, dhe natyrisht që ky është një element pozitiv pasi nuk cënohet likuiditeti i Bankës së Shqipërisë dhe i sistemit bankar.

Gjithsesi, ne jemi në monitorim të situatës. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe në një situatë ekonomike që është nën goditjen e pasojave të pandemisë natyrisht që planet e kontigjencës mbeten gjithmonë në vëmendjen tonë dhe aktive. Këshilli Mbikëqyrës e ka theksuar në deklaratat e tij në mënyrë të vazhdueshme që politika e lehtësimit sasior do të përdoret nëse do të jetë e nevojshme, por gjithmonë banka qendrore do të jetë huamarrësi i fundit në radhë.

 

Pyetje: Pas shtyrjes së moratoriumit të pagesës së kredive, sa është numri i klientëve që aktualisht kanë shtyrë këstet pas hapjes së ekonomisë dhe sa është aktualisht vlera e kredisë së shtyrë?

Guvernatori: Sipas të dhënave që Banka e Shqipërisë ka marrë nga Shoqata Shqiptare e Bankave, pra nga sistemi bankar, vlera e kësteve të kredisë të shtyra për tremujorin e dytë është në vlerën e 1.9 miliardë eurove ose në numër, 23 mijë raste. Kjo është një vlerë më e ulët në krahasim me tremujorin e parë si nga numri i rasteve ashtu edhe nga vlera. Në tremujorin e parë vlera ishte në 2 miliardë euro dhe numri i rasteve të kredimarrësve të cilët aplikuan dhe përfituan shtyrje ishte 25 mijë. Kjo do të thotë se me zbutjen e masave, një numër klientësh kanë preferuar të mos aplikojnë për një shtyrje të dytë tremujore.

Ajo që do të doja të theksoja në këtë pyetje është që sistemi bankar ka reaguar në mënyrë proaktive dhe na rezulton që 95% e rasteve që kanë aplikuar për shtyrje në sistemin bankar janë aprovuar. Mbetet për t’u parë në vijimësi sesi do të reagojë sistemi, ekonomia dhe performanca e treguesve financiarë në sektorin bankar, po për momentin janë këto shifra.

 

Pyetje: A do të ketë ndryshim të inflacionit?

Guvernatori: E theksova dhe në deklaratën e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Niveli i inflacionit së fundmi ka qenë në nivelin 2%. Banka e Shqipërisë parashikon të arrijë objektivin e saj të inflacionit prej 3%, në fundin e vitit 2021, në tremujorin e tretë ose të katërt të tij.

Inflacioni ka qenë i qëndrueshëm. Natyrisht që qëndrueshmëria e inflacionit pasqyron efektin e kombinuar të rritjes së kostove të prodhimeve në qarkullimin e mallrave dhe nga ana tjetër ndrojtjes së kërkesës në treg, që vjen si pasojë e pandemisë. Por, një element pozitiv që ka ndikuar në mbajtjen e inflacionit stabël ka qenë niveli i kursit të këmbimit. Ne shpresojmë, sidomos duke parë eurobondin, që do të vazhdojmë të kemi një nivel stabël të kursit të këmbimit. Në rast se ne do të kishim një zhvlerësim të fortë të kursit të këmbimit, sigurisht që niveli i inflacionit do të rritej më shumë, por nuk do të ishte kjo mënyra e parapëlqyer për ne si bankë qendrore. Në terma normalë, pra duke konsideruar një kurs të stabilizuar të këmbimit dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në nivelin e inflacionit, ne parashikojmë që inflacioni do të arrijë objektivin e Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2021.

 

Pyetje: A keni patur ndonjë konsultë me qeverinë në lidhje me një plan të mundshëm për përdorimin e eurobondit (të parave që mbeten paspagesës së borxhit)? Pra ku do investohen? Nëse jo, çfarë sugjeron Banka e Shqipërisë?

Guvernatori: Siç dihet eurobondi në vlerën prej 650 milion eurosh që u mor së fundmi, do të përdoret në vlerën 250 milionë euro në tetor për likuidimin e pjesës së mbetur të eurobondit të emetuar në vitin 2015, ndërsa pjesa tjetër prej 400 milion eurosh do të jetë për financimin e nevojave të buxhetit, për të plotësuar gjithë nevojat që mund të ketë buxheti i shtetit në këtë situatë. Normalisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë, qeveria shqiptare, është duke rishikuar buxhetin dhe ne jemi duke pritur variantin e rishikuar të buxhetit. Kështu do të bëhet dhe më e qartë sesi do të shpenzohet pjesa e mbetur e eurobondit.

Gjithsesi do të doja të theksoja, sikurse e kemi theksuar dhe më parë, që do të kemi një rritje të borxhit publik, pra eurobondi do të rrisë borxhin publik. Rritja e borxhit publik është një e keqe e domosdoshme në këtë situatë, për të shmangur falimentin e bizneseve dhe për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Së pari, marrja e eurobondit i mundëson qeverisë shqiptare sigurimin e fondeve të nevojshme për përballimin e pandemisë. Së dyti, eurobondi i lehtëson punën bankave të nivelit të dytë dhe i siguron likuiditetin e nevojshëm atyre për të kredituar ekonominë, pra për të mos kredituar qeverinë, por sektorin privat. Prandaj, ne e konsiderojmë  eurobondin si një mjet të domosdoshëm dhe një emetim pozitiv, një element shumë pozitiv për ekonominë shqiptare në këtë situatë të vështirë që ajo ndodhet si pasojë e efekteve të goditjes nga pandemia Covid-19. Nuk ka nevojë të bëj komente, norma e interesit është komentuar që është në një nivel mjaft të mirë pasi dhe tregjet financiare kanë qenë në një situatë mjaft të mirë. Momenti i daljes për eurobondin ishte një moment pozitiv me një normë prej 3.625% që quhet një normë e suksesshme/pozitive interesi për marrjen e borxhit në këtë moment.

Gjithashtu, një pjesë e pyetjes ishte a është konsultuar me Bankën e Shqipërisë. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë janë në një ekip të përbashkët me ekspertët e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në daljet për të marrë borxh qoftë në tregjet kombëtare qoftë në tregun e brendshëm.

 

Pyetje: Deri më tani sa kanë aplikuar dhe sa kanë përfituar nga garancia sovrane 2? Pse janë të pakënaqura bizneset? A do të ketë ndonjë ndërhyrje të mundshme të Bankës së Shqipërisë tek Bankat Tregtare?

Guvernatori: Garancia e parë ka qenë për pagat, e dyta për aktivitetin e biznesit. Garancia e parë për pagat ka rreth 530 raste të aprovuara me një vlerë prej 51 milionë euro të përfituara, ndërkohë që janë edhe 220 raste të tjera në proces por afati ka qenë 20 qershor. Ky afat ka skaduar dhe akoma nuk jemi në dijeni nëse Ministria e Financave dhe Eonomisë do të shpallë një afat të dytë për këtë garanci. Ndërsa garancia e dytë sovrane ka një nivel më të ulët përfitimi pasi edhe kriteret e rrezikut kanë qenë më të larta. Marrja e rrezikut për këtë garanci ka qenë 60% nga ana e qeverisë dhe 40% nga bankat, ndryshe nga garancia e parë. Për këtë arsye, deri tani është disbursuar një vlerë totale prej 9 milionë euro për rreth 50 kredimarrës që kanë përfituar, ndërkohë që 65 kredimarrës janë në proces aplikimi.

Patjetër që biznesi ka stresin e tij në këtë situatë të vështirë financiare dhe ekonomike. Biznesi ka pakënaqësitë e tij në radhë të parë nga situata e vështirë dhe duke qenë në një situatë stresi ka pritshmëri të larta si ndaj qeverisë ashtu dhe ndaj bankave. Por, në këtë situatë të vështirë, dhe vetë qeveria dhe bankat qendrore, të gjithë aktorët e tjerë të tregut përballen me vështirësi dhe natyrisht që një situatë krize sjell dhe pakënaqësi.

Situata është duke u menaxhuar, aktorët duhet të koordinojnë më mirë përpjekjet. Ne kemi bërë thirrje dhe vazhdimisht i kemi koordinuar përpjekjet, por në një situatë të tillë duhet pasur parasysh që kostoja e krizës duhet të shpërndahet dhe do të shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe proporcionale midis gjithë aktorëve. Pra nuk mund ta marrë e vetme as qeveria shqiptare, as sistemi bankar dhe as sektori privat koston e krizës. Kjo kosto duhet shpërndarë në mënyrë proporcionale midis të gjithë aktorëve dhe faktorëve të tregut ekonomik dhe financiar, dhe të shpresojmë që do të kemi një rritje ekonomike sipas parashikimit.

Pra, ky vit do të jetë një vit i vështirë. Shpresojmë që ta kalojmë këtë vit pa pasur falimente në sektorin e biznesit dhe të presim një ringritje sa më të shpejtë si gjatë periudhës së verës ashtu edhe në vitin 2021, i cili sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë do të jetë viti i ringritjes ekonomike.