BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje pergjigjet e konferences për shtyp, 30.11.2011

Data e publikimit: 01.11.2011

 

Pyetje- Ka një ndryshim në fjalorin tuaj kur vlerësoni ecurinë e pritshme të ekonomisë. Sot dëgjova që folët për një rritje të moderuar ekonomike, ndërkohë që deri tani keni përdorur togfjalëshin ”rritje nën potencial”, pra është thjesht ndryshim fjalori apo ka të bëjë me atë që Banka mund të ketë ulur vlerësimet për rritjen ekonomike? Ndërsa pyetja e dytë ka të bëjë me masat që po merr Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera për të disiplinuar tregjet financiare. Mendoni se këto masa mund të prekin deri diku edhe Shqipërinë, pra t’i bëjnë bankat të tkurrin kreditimin?

Përgjigje- Në material shprehet qartë vizioni i Bankës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm dhe njëkohësisht vlerësimi për vitin 2011. Të dyja shprehjet janë pjesë e zhargonit të bankave qendrore dhe njëkohësisht janë të shprehura në material. Ajo që ne gjykojmë është se viti i ardhshëm do të kërkojë një kujdes të shtuar dhe njëkohësisht duhet të marrim për bazë situatën ndërkombëtare, e cila nuk është thjesht e paqartë.

E dyta, Banka e Shqipërisë vlerëson të gjithë gamën e informacionit të brendshëm dhe të jashtëm. “Lufta” e ashpër sot e tregjeve dhe e vendeve të ndryshme bëhet për të ruajtur nivelet e vlerësimit të riskut. Në këtë përpjekje titanike, vende të ndryshme përqasen në mënyra të ndryshme. Ka një përqasje të veçantë, që është paksa e çuditshme në kuadrin global të zhvillimit të ekonomisë botërore, që vende të ndryshme po i tregojnë më shumë kujdes sinorit të tyre. Gjë që në kuptimin e përgjithshëm po krijon paqartësi në treg. Ajo që Banka e Shqipërisë gjykon si mjaft të rëndësishme është zotërimi i informacionit sa më të plotë mbi tregjet dhe zhvillimet në to si dhe qëndrueshmërinë e parametrave makroekonomikë të borxhit dhe makroprudencialë në vend.

Duke bërë një mbrojtje të tillë, jo vetëm nëpërmjet përqasjeve të politikave por njëkohësisht edhe nëpërmjet adoptimeve rregullative, siç ishte rasti i ndryshimit të ligjit të sistemit bankar kohët e fundit, do të krijojmë barrierat përkatëse dhe njëkohësisht do t’i japim tregut hapësirat e nevojshme për zhvillim.