BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 6 maj 2020

Data e publikimit: 06.05.2020

 

Pyetje: Ju së bashku më qeverinë nënshkruat para disa javësh një urdhër ku i detyronit bankat e nivelit të dytë në vend të shtynin këstet e kredive për individët dhe bizneset me 3 muaj. Në kushtet në të cilat ndodhemi a po diskutoni me bankat për një shtyrje tjetër të kredive si për individët dhe bizneset? Nëse po, sa do të jetë kjo shtyrje dhe a do të ketë penalitete për huamarrësit dhe individët? Sa është niveli i kësteve të shtyra deri tani?

Guvernatori: Aktualisht niveli i kredive të shtyra nga bankat si pasojë e vështirësive financiare të krijuara nga pandemia COVID-19 deri dje ishte rreth 2 miliardë euro për 21.000 raste. Bankat vijojnë të procesojnë kërkesat dhe sigurisht që do të ketë një sasi më të madhe të kredive të shtyra. Ajo që dua të theksoj është që kemi parë një reagim mjaft proaktiv nga bankat e nivelit të dytë, në raport me trajtimin e rasteve të shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive si pasojë e vështirësive financiare të krijuara nga pandemia. Kjo është një sjellje profesionale për tu falënderuar.

Ne po vlerësojmë vazhdimisht situatën financiare të sektorit bankar dhe atij financiar dhe sigurisht dhe situatën që kanë bizneset. Jemi duke analizuar dhe vlerësuar çdo ditë shifrat dhe ndikimin që ka shtyrja e këtyre kësteve në sektorin bankar dhe mundësinë e një reagimi tjetër nga ana e Bankës së Shqipërisë mbas tremujorit të parë të zbatimit të kësaj mase. Sigurisht që disa biznese do të kenë vështirësi financiare më të forta, disa të tjera më të lehta, pra jo të gjithë bizneset do të preken njëlloj. Ne si Bankë Shqipërie po marrim në konsideratë një reagim të dytë në aspektin e ndryshimeve rregullative për të lehtësuar bankat në raport me ristrukturimin e kredive që janë në vështirësi financiare. Pra ne mund ti krijojmë mundësi bankave për të bërë një ristrukturim më afatgjatë se një afat 3-mujor ose 6-mujor por gjithmonë kjo do të jetë në funksion të  një analize të bilanceve dhe ciklit të biznesit që kanë biznese të caktuara. P.sh. turizmi ose fasoneria mund të jetë një sektor i cili mund të jetë më i goditur dhe mund të ketë nevojë për një ristrukturim më proaktiv krahasuar me një sektor tjetër.

Kjo do të jetë gjithmonë objekt i analizave të bankave të nivelit të dytë në radhë të parë por dhe i yni si Bankë Shqipërie. Dhe vendimmarrja që do të bëhet në përfundim të afatit tremujor do të jetë gjithmonë e rakorduar me bankat dhe me bizneset në funksion të një zgjidhjeje sa më të mirë për situatën e stabilitetit financiar të vendit dhe në ndihmë të bizneseve. Kjo është ajo që mund të themi për momentin. Ne jemi duke e konsideruar vendimmarrjen për të qenë në përshtatje me situatën dhe sa më ndihmues si për bankat ashtu edhe për biznesin.

 

Pyetje: Qeveria ka vendosur nje garanci sovrane ne dispozicion te bankave per te kredituar biznesin qe ka probleme me likuiditetin me kredi te bute. Keni informacione sa kane aplikuar dhe sa subjekte kane perfituar?

Guvernatori: Garancia sovrane për të ndihmuar biznesin akoma nuk është përfunduar. Qeveria po negocion direkt me bankat e nivelit të dytë dhe normalisht do të shohim efektin e saj në momentin që ajo do të bëhet e vlefshme, që do të prezantohet.

Për momentin, bankat janë duke operuar me garancinë e parë sovrane që ka ofruar qeveria për pagat e punonjësve. Praktikisht ne kemi deri në këtë moment, rreth 70 raste të aprovuara me një shumë rreth 8.5 milionë euro ose 1 miliardë lekë, por ndërkohë që ka dhe 300 aplikime të tjera në proces. Është një garanci e cila po vazhdon të elaborohet me sistemin bankar.

Garancia e dytë do të shihet në momentin që do të bëhet e vlefshme dhe ne do të kemi një ide më të qartë se si do të jetë ecuria e kësaj garancie.

 

Pyetje: FMN dhe BB parashikojnë që rritja ekonomike në Shqipëri do jetë -5% gjatë 2020. Keni vlerësime ju si Bankë Shqipërie në lidhje me impaktin që do ketë pandemia ne ekonomi dhe sa janë ato?

Guvernatori: Mbledhja e sotme e Këshillit Mbikëqyrës iu kushtua gjëndjes ekonomiko-financiare, për të vlerësuar ndikimin e situatës dhe për qëndrimin e politikës monetare. E kemi theksuar dhe më parë, por edhe në deklaratën e sotme të Këshillit, efektet në ekonominë tonë do të jenë të forta, ashtu si në të gjithë botën. Të gjitha ekonomitë, ajo e Eurozonës, e rajonit, ekonomia botërore do të kenë një ndikim të fortë dhe rritje ekonomike negative; të gjitha parashikimet janë që do të ketë recesion.

Duhet të kemi parasysh që është një goditje kalimtare. Duhet të marrim masat tona që kjo goditje në momentin  e ringritjes të na gjejë sa më të përgatitur që ringritja të jetë sa më e shpejtë. Duhet të kemi parasysh që kjo goditje të cenojë sa më pak stabilitetin monetar dhe financiar të vendit sepse ky stabilitet është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi të kujdesshëm për të ruajtur zinxhirin e prodhimit. Pra me fjalë të thjeshta, duhet të jemi të kujdesshëm për të patur një dalje nga kriza me sa më pak dëme dhe falimentime me qëllim që ringritja të vijë më e shpejtë.

Banka e Shqipërisë si autoritet monetar dhe mbikëqyrës e rregullator ka dy objektiva, ruajtjen e stabilitetit monetar dhe atë financiar. Ruajtja e stabilitetit të çmimeve do të thotë të ruhet dhe mos preket mirëqenia e qytetarëve shqiptarë. Ruajtja e stabilitetit financiarë do të thotë ruajtja dhe mbrojtja e një situate sa më të shëndetshme të sektorit bankar gjatë periudhës së krizës.

Ekonomia shqiptare pati dhe një goditje tjetër më parë, nga tërmeti, e cila u adresua dhe u siguruan fondet përkatëse. Pavarësisht goditjes së tërmetit, në fillim të vitit ne kishim parashikuar një rritje ekonomike në nivelin 3-4%, por efektet e pandemisë COVID-19 e kanë përkeqësuar situatën. Parashikimet tona janë të ngjashme me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për nivelet e recesionit. Shifrat ndryshojnë çdo ditë dhe ka një pasiguri të lartë në parashikim, sepse varet nga ecuria e situatës.

Sezoni veror po vjen. Shpresojmë që çdo gjë do të jetë drejt përmirësimit, drejt shërimit, hapja do të jetë graduale por e tillë që do të  sigurojë një ringritje ekonomike gjatë sezonit të verës. Sektori i turizmit është çelës në këtë drejtim, por edhe sektorët e tjerë janë mjaft të rëndësishëm. Gjithçka mbetet për tu parë. Ne po punojmë dhe shpresojmë për më të mirën.