BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 6 nëntor 2019

Data e publikimit: 06.11.2019

 

Pyetje: Pak ditë më parë është hedhur për konsultim publik një projektligj që synon të lejojë kriptovalutat në Shqipëri. Cili është qëndrimi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me këtë projektligj?

Guvernatori: Edhe ne e kemi parë që është hedhur për konsultim publik, një projektligj për këtë çështje. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk ka marrë ende një informacion zyrtar lidhur me këtë projektligj, pasi është në fazë konsultimi publik. Sigurisht që ne do të prononcohemi dhe do të japim komentin dhe opinionin tonë lidhur me efektet që ky projektligj do të ketë. Banka e Shqipërisë është një institucion përgjegjës në radhë të parë për politikën monetare, për stabilitetin e çmimeve, por edhe për stabilitetin financiar. Pra, ne do ta shohim këtë projektligj në kontekstin e rolit tonë si bankë qendrore dhe specifikisht në lidhje me përfitimet, por edhe me rreziqet që mbartin elementet e kriptovalutave, dhe gjithçka tjetër që do të na prezantojë ky projektligj. Gjithsesi dua të theksoj se ne nuk kemi qëndruar indiferentë. Banka qendrore vazhdimisht i ka studiuar dhe i ka parë, si të gjitha bankat qendrore, këto zhvillime në tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo na bën të mendojmë që do të na duhet një konsultim më i gjerë edhe me autoritetet ndërkombëtare, për zhvillimin dhe për të pasur një projektligj dhe në fund një ligj sa më të mirë, në mënyrë që të shmangim të gjitha rreziqet që do të na vinin nga këto kriptovaluta, por nga ana tjetër të shikonim dhe mundësitë më të mira të përfitimit të ekonomisë shqiptare lidhur me këtë projektligj dhe ligj në fund. Kjo është ajo që unë do të thosha për momentin.

 

Pyetje: Ju keni pasur një qëndrim si Bankë e Shqipërisë, jo shumë favorizues për lejimin e kriptovalutave. A do të thotë kjo që nëse ligji sjell risi të mira dhe është pozitiv, Banka e Shqipërisë do ta mbështesë atë?

Guvernatori: Ne nuk kemi qenë as pro dhe as kundër, ne kemi përmendur rreziqet dhe problemet, sikundër kanë bërë dhe bankat qendrore sot në botë, lidhur me kriptovalutat. Kriptovalutat janë risi teknologjike, të cilat janë duke u zhvilluar. Zhvillimet e sotme teknologjike në botë ecin shumë shpejt dhe bankat qendrore janë duke zhvilluar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Natyrisht që në rast se do të gjykojmë, vërejmë dhe vlerësojmë që projektligji do të sjellë një risi dhe risqet do të jenë të menaxhuara, ne do të jemi  dakord. Ligji ka aftësinë që shumë rreziqe t’i rregullojë e t’i parandalojë. Nëse do të jetë ky rasti dhe nëse do të vlerësojmë se ekonomia do të ketë përfitime, ne do ta mbështesim. Gjithsesi, do të na duhet në radhë të parë të shohim projektligjin përfundimtar dhe pastaj të japim opinionin dhe komentet tona.