BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 24 dhjetor 2018

Data e publikimit: 24.12.2018

 

Pyetje: Në raportimin tuaj të fundit përpara Komisionit të Ekonomisë ju deklaruat se Banka e Shqipërisë po monitoronte nëse do të kishte një ekuilibër të ri të kursit të këmbimit euro-lek. Që prej asaj kohe, euro ka rënë me pothuajse dy lekë për njësi. Tani në raportimin e Këshillit Mbikëqyrës ju thatë se jeni të gatshëm të konsideroni sërish ndërhyrjet në treg. Përballë kësaj rënieje me dy lekë dhe inflacionit në rënie dhe larg objektivit, së pari kur është një nivel në të cilin banka do të konsiderohej e detyruar për të ndërhyrë dhe së dyti në qoftë se në verë konsideronim flukset nga turizmi si ndikuesi në rënien e kursit cilat janë faktorët që ndikojnë sot në rënien e këtij kursi.

Guvernatori: Lidhur me kursin e këmbimit është fakt që kemi kurs të mbiçmuar të monedhës kombëtare kundrejt euros. Për këtë arsye, ne po monitorojmë ecurinë e këtij kursi dhe po e analizojmë sikurse kemi bërë edhe gjatë viteve të shkuara. Mbiçmimi i monedhës lekë ka filluar vite më parë në mënyrë konstante, por në periudha të caktuara ky mbiçmim ka qenë më i theksuar, sepse kanë ndikuar kryesisht faktorët sezonalë, njësoj si tani që jemi në pikun e një faktori sezonal. Periudha e verës dhe muaji dhjetor gjithmonë kanë sjellë mbiçmimin e monedhës vendase si pasojë e hyrjeve të forta valutore. Përveç kësaj, ka dhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në kursin e këmbimit, të cilët ne i kemi raportuar dhe ju kemi informuar vazhdimisht lidhur me ta. Këta faktorë lidhen me investimet e huaja direkte, eksportet, remitancat sidomos gjatë periudhës së verës të cilat kanë justifikuar mjaftueshmërisht mbiçmimin e kursit të këmbimit.

Ka pasur dhe faktorë të tjerë specifikë që kanë detyruar Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë programin e ndërhyrjeve, veçanërisht gjatë periudhës së verës. Këta faktorë kanë qenë konvertimi i kapitalit nga disa banka dhe një kredi e madhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat përbënin një shumë afër 300 milionë euro për t’u konvertuar në një moment të caktuar. Kjo sasi valute bënte presion mbi kursin e këmbimit dhe rriste pritshmërinë e sistemit financiar në atë moment.

Sipas analizave tona, duke vlerësuar që rënia e kursit të këmbimit do të ndikonte arritjen e objektivit të inflacionit ne u detyruam të ndërhynim. Banka e Shqipërisë ndërhyn kur rrezikohet objektivi i inflacionit si dhe kur ka çrregullime në treg. Në qershor, ne i kishim të dy këto elementë dhe prandaj morëm atë vendim.

Aktualisht, kursi i këmbimit nuk shfaq çrregullime, pra tregu funksionon normalisht. Kemi një kurs këmbimi, i cili vjen si pasojë e kërkesë-ofertës në treg valutor, pra një sjellje normale.

Unë nuk do doja ta përmendja këtë shifër (kur rrezikohet inflacioni) si nivel, pasi mund të krijojë ndikim psikologjik dhe të bëhet shkak për spekulime në tregun valutor, por sigurisht që jemi në një nivel më të ulët se sa niveli i mëparshëm për sa i përket ndikimit të tij në raport me inflacionin. Natyrisht në rast se ne do të shikojmë çrregullime sipas përcaktimeve të ligjit dhe rregulloreve të Bankës së Shqipërisë dhe do të shohim që kursi i këmbimit do të ndikojë nivelin e inflacionit, atëherë do të vazhdojë programi i ndërhyrjeve.

Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit në Shqipëri, dhe nuk duam të ndikojmë këtë regjim të lirë të tij. Banka e Shqipërisë nuk ndërhyn për të mbrojtur interesat e grupeve të veçanta që humbasin ose fitojnë, pasi nuk ka kuptim. Ne shikojmë parametrat makroekonomikë dhe nuk do t’i hynim kurrë kësaj loje.

Gjatë vitit ne kemi bërë blerje të konsiderueshme të cilat raportohen çdo tremujor. Ne kemi blerë mbi 400 milionë euro në total, jo vetëm për efekt të kursit por dhe për arsye të rezervës valutore. Sigurisht që kjo është një shifër e konsiderueshme për të tërhequr tepricën e euros në treg, dhe për të ruajtur ekuilibrat në nivelin e kursit të këmbimit për të arritur ato elementë që ju thashë më lart, pra objektivin e inflacionit apo shmangien e çrregullimeve.

Banka e Shqipërisë nuk kontrollon gjithë sasinë e euros në qarkullim, pasi ajo hyn në kanale formale dhe informale, dhe kjo është e pamundur për çdo bankë qendrore. Sigurisht që ne përpiqemi nëpërmjet të gjitha analizave tona por dhe mënyra të tjera, qoftë edhe empirike, të gjykojmë dhe të vlerësojmë se sa është ndikimi i kësaj sasie në qarkullim për të bërë parashikimet tona për të ardhmen për rritjen ekonomike dhe për të dizenjuar politikën monetare, për të pasur parasysh se si do ti përdorim instrumentet e politikës monetare. Në rast se do të kemi ndikim në kurs, shifrat do të na tregojnë nëse duhet ndërhyjmë ose jo.

Nuk mund të them që kursi do të jetë në këtë apo atë nivel, pasi natyrisht që është në një ekuilibër të ri dhe në nuk mund ta parashikojmë se sa do të jetë kursi. Ne preferojmë që të ketë stabilitet në tregjet financiare, përfshi dhe tregun valutor. Kursi sigurisht që do të ketë luhatje, sepse është një tregues i ekonomisë së tregut dhe në një regjim të lirë kursi luhatet. Sa më pak luhatje, aq më mirë do të ishte, pasi agjentët ekonomikë do të ishin më të mbrojtur. Agjentët ekonomikë mund të marrin masa për t’u mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, duke e përcaktuar në kontratat e tyre. Kontratat swap ose forward janë metoda të njohura edhe nga institucionet ndërkombëtare, të përdorura edhe nga agjentët ekonomikë kryesisht ata që operojnë në fushën e eksporteve. Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.

Ne si bankë qendrore natyrisht jemi të shqetësuar për të marrë të gjitha masat në mënyrë që të kemi rritje ekonomike, rritje të eksporteve shqiptare, të pasurisë së qytetarëve shqiptarë dhe kursi i këmbimit duhet të ndikojë pozitivisht në të gjithë këta faktorë dhe jo negativisht. Por, duhet të kuptojmë që ekonomia është mjaft e euroizuar në nivel biznesi dhe individi dhe çdo luhatje në kursin e këmbimit, qoftë në kahun e poshtëm, qoftë në kahun e sipërm, do të prekte një pjesë të popullsisë. Për sa kohë që ekspozimi në euro është në nivelin 50%, në rast se kemi mbiçmim preken bizneset ose individët të cilët kanë të ardhura në euro ose në rastin e kundërt preken ata që kanë të ardhurat në lekë. Ajo që kam theksuar dhe në konferencat e mëparshme lidhur me kursin e këmbimit ka qenë që kursi i këmbimit lek-valutë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit ka treguar një qëndrueshmëri dhe ky ka qenë një element i mirë. Banka e Shqipërisë gjatë dekadave të kaluara ka menaxhuar mirë rrezikun e kursit të këmbimit, por në situatën aktuale ka shumë hyrje valutash nga shumë drejtime.

Analiza jonë vazhdon sepse bëhet në përputhje me ecurinë kohore të kursit dhe ne do të ndërhyjmë atëherë kur shikojmë që preken këto parametra që përmenda më sipër.