BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 28 mars 2019

Data e publikimit: 28.03.2019

 

Pyetje: Duke parë zhvillimet politike që po ndodhin, lënien e mandateve nga ana e deputeteve të opozitës, sa  po ndikon kjo në ekonominë e vendit, e shikoni këtë faktor të integruar në raportet e tuaja të ardhshme për ekonominë e vendit?

Guvernatori: E kemi theksuar dhe herë të tjera, kur kemi pasur situata të tensionuara politike. Është jashtë çdo diskutimi që çdo tension politik apo çfarëdo lloj tensioni tjetër ka efektet e tij në ekonomi dhe nuk mund të anashkalohet, në qoftë se është i tejzgjatur dhe i përshkallëzuar.

Aktualisht me të dhënat e disponuara, të cilat u paraqitën dhe sot në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës, ne nuk kemi akoma të pasqyruara efektet e një situate të përkeqësuar politike në ekonomi. Të dhënat i referohen një periudhe të mëparshme dhe nuk e reflektojnë ende këtë efekt.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet dhe sigurisht që do ta reflektojë në analizat e saj, nëse do të ketë një përkeqësim të treguesve makroekonomikë nga situata politike.

Për momentin, ne nuk kemi të pasqyruar akoma negativisht efektin e situatës politike në të dhënat që disponojmë. Të dhënat, siç e patë edhe nga deklarata, tregojnë përgjithësisht një situatë pozitive në rritje -  sigurisht në disa segmente të veçanta kemi dhe ndërlikime të caktuara sepse ekonomia është komplekse.

 

Pyetje: Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në rënien e kreditimit dhe rritjen e lehtë të treguesit të kredive me probleme?

Guvernatori: Lidhur me kreditimin dhe kreditë me probleme, do doja të sqaroja se kreditimi si tregues qoftë absolut, qoftë në përqindje, ka pësuar një rënie. Por, në fakt ne duhet të marrim parasysh disa faktorë, dhe ta zhveshim kredinë nga efekti i tyre. Këta faktorë janë:

  • efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit (efekti kontabël i kursit të këmbimit, në pasqyrimin e tepricës së kredisë)
  • fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave
  • efekti i një kredie të madhe, dhënë nga BERZH për Korporatën Energjetike  Shqiptare. Si volum kredie nuk ka ndryshuar, por shifra e marrë nga sistemi bankar është ulur, pra nuk është ulur kredia në ekonomi, por është ulur shifra e kredisë nga sistemi bankar.

Të tre këta faktorë të rëndësishëm kanë ndikuar në shifrën e kreditimit për vitin 2018. Duke shmangur ndikimin e këtyre faktorëve, kredia është rritur me 5%.

Përsa i përket treguesit të kredive me probleme, ai është ndikuar nga dalja si entitet më vete i degës së BKT, Kosovë.  Kjo degë ka një vlerë të konsiderueshme, rreth 3% të peshës në sistemin tonë bankar dhe 11% të vetë Bankës Kombëtare Tregtare. Ndarja e kësaj dege ka pasur një ndikim qoftë në shifër përqindjeje, qoftë në vlerë absolute të kredive me probleme. Kreditë me probleme arritën në 11.1% në fund të vitit 2018 dhe aktualisht  ky tregues ka një rritje të lehtë në 11.5 si efekt i shkëputjes së degës së Bankës Kombëtare Tregtare.

Për t’iu kthyer dhe një herë çështjes së kreditimit. Në fakt, kreditimi ka pasur një rritje nga viti në vit. Për të kuptuar shifrat ne i referohemi kredisë së re. Shpeshherë ne ngatërrohemi me shifrat e raportet dhe nuk kuptojmë nëse ka rritje apo ka rënie të kreditimit. Kreditimi mund të shihet si trend, duke iu referuar shifrës së kredisë së re në ekonomi.

Shifra e kredisë të re është në rritje nga viti në vit, duke përfshirë edhe rinovimin e kredive në kufi ose overdraft-eve. Për vitin 2018, kjo kredi ishte mbi 2 miliardë euro. Vetëm kredia e re pa overdraftet mund të jetë mbi 1 miliardë euro. Shifra në total përfshirë dhe overdraftet ka ardhur në rritje. Pra, kjo tregon realisht rritjen e kreditimit nga sektori bankar në vend.

Politika jonë monetare lehtësuese ka patur një ndikim pozitiv në rritjen e kreditimit. Ky është dhe qëllimi i politikës monetare lehtësuese, të nxisë investimet në vend.  Po të shohim, pjesa dërrmuese e rritjes së kreditimit vjen nga rritja e kredisë në lek, si pasojë e uljes së normës bazë së interesit dhe politikës tonë monetare stimuluese. Sigurisht edhe normat e interesit të kredisë në euro janë ulur, si pasojë e politikës monetare stimuluese të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane. Ne duhet të kuptojmë efektin e politikës monetare stimuluese edhe në kuadër të nivelit të lartë të euroizimit, pasi ne kemi akoma një nivel të lartë euroizimi në sistemin financiar, gati 50-50 është përqindja tek kreditë dhe depozitat.  Prandaj, politika jonë monetare e ka këtë kufizim, pasi aplikohet vetëm mbi normat e interesit të lekut, qoftë të kredive qoftë të depozitave. Pra, pa e zgjatur kemi pasur një rritje të moderuar, por me trend rritës të kreditimit në vend.