BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 3 maj 2017

Data e publikimit: 03.05.2017

 

Pyetje: Ju thatë që ka një kredidhënie të dobët për bizneset, ato nuk po marrin kredi. Nga krahu tjetër, kemi një shtrëngim nga ana e bankave, ndërsa raportet flasin për një sasi të parave apo kredive që po kalojnë jashtë vendit. Si shpjegohet kjo lloj situate?

Guvernatori: Unë theksova se kreditimi ka pasur një rritje të zbehtë, por që gjithsesi ka shënuar rritje. Rritja e kreditimit në fund të tremujorit të parë të vitit 2017 ka qenë rreth nivelit 3.2%. Kjo vjen kryesisht nga rritja e kreditimit në lekë, e cila ka qenë mbi 10%. Kjo është një shenjë pozitive pasi dëshmon për transmetimin e plotë të politikës tonë monetare. Nga ana tjetër, rritja e kreditimit është më e theksuar në segmentin e individëve sesa në segmentin e bizneseve. Ka një plogështi, një kërkesë të ulët nga ana e bizneseve për kredi, ndërkohë që ka një rritje të kërkesës nga ana e individëve. Kjo ka të bëjë me mjedisin e përgjithshëm ekonomik dhe me mjedisin e biznesit. Ne kemi theksuar që nevoja për projekte, e stimuluar dhe nga reformat strukturore, është një nga sfidat aktuale.

Lidhur me pyetjen tuaj, mund të themi që kreditimi për jorezidentët ka lidhje vetëm me dy banka dhe ka qenë kryesisht në Kosovë. Rënia e kërkesës për kredi nga e bizneseve nuk ka stimuluar dhe ka çuar bankat drejt kreditimit të jorezidentëve, pra nuk është ky një faktor i drejtpërdrejtë. Nëse ka një kërkesë të shëndetshme për kredi nga jorezidentët, bankat e kanë parë si një mundësi investimi. Banka e Shqipërisë ka limite rregullatorë për bankat lidhur me kreditimin për jorezidentët. Nga ana tjetër, bankat kanë likuiditetet e mjaftueshme dhe kjo nuk ka cenuar parametrat dhe normat mbikëqyrëse të bankave të nivelit të dytë. Pra nuk ka një lidhje korrelative direkte, kërkesa e ulët për kredi e bizneseve vendase me kreditimin kundrejt jorezidentëve.