BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje – përgjigjet e konferencës për shtyp të datës 3 tetor 2017

Data e publikimit: 03.10.2017

 

Pyetje: Z. Guvernator doja t'ju bëja një pyetje lidhur me deklaratën e djeshme që ka shpërndarë misioni i FMN-së. Doja të dija se cili është opinion juaj për atë çka FMN vë theksin tek rreziqet fiskale që kanë projektet me koncesion, për sa i përket programit të Qeverisë se 1 miliard euro investime dhe rekomandimi që i bën qeverisë për të patur një politikë të qëndrueshme fiskale, duke u fokusuar te rritja e taksave, pavarësisht që mund të jetë një pyetje që i përket më shumë Ministrisë së Financave, do të doja të dija opinionin tuaj dhe për sa I përket projekteve me koncesion që qeveria ka në program për të ndërmarrë, a e rrisin këto kreditimin në ekonomi, cili është ndikimi i tyre në ekonomi? 

Guvernatori: Rekomandimi i bërë nga FMN-ja ka qenë një rekomandim normal, standard dhe profesional. Ajo që unë do të thoja është që Shqipëria është një vend me nevoja të mëdha për investime kapitale dhe me burime të kufizuara financiare, sidomos të sektorit publik. Në këtë kontekst, aplikimi i koncesioneve ose i programit të PPP-ve, në rast se do të bëhej në mënyrë të studiuar, në rast se do të kishim projekte me rentabilitet të lartë dhe me prioritete të përcaktuara qartë, të cilat do të rezultonin të suksesshme, sigurisht që do të ndikonin në rritjen ekonomike të vendit si dhe në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit. Edhe vetë FMN është shprehur se nuk ka asgjë kundër koncesioneve ose projekteve të partneritetit publik privat. Ideja është që këto projekte duhet të jenë të studiuara, me rentabilitet dhe të suksesshme. Në rast se do të rezultonin të suksesshme, edhe ndikimi i tyre fiskal do të ishte brenda parametrave buxhetorë.

Banka e Shqipërisë natyrisht që i mbetet mendimit që pasqyrimi i këtyre projekteve duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Nuk e ka kontestuar dhe nuk e ka diskutuar asnjeri këtë. Ne mbetemi të hapur të shikojmë ecurinë e këtyre projekteve. Është një projekt i madh i parashikuar për katër vitet e ardhshme dhe normalisht duhet të përpunohet dhe detajohet në buxhetet e çdo viti. Sigurisht që projekt pas projekti dhe buxhet pas buxheti ne do të shikojmë, gjykojmë dhe vlerësojmë ecurinë e tyre, por edhe njëherë ju theksoj se Shqipëria ka nevojë për investime kapitale dhe këto projekte do të ndikonin në zhvillimin dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe në rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Lidhur me pyetjen e dytë, në të njëjtin kontekst, gjithashtu gjykoj që këto projekte do të ndikonin pozitivisht. E kam theksuar edhe herë të tjera mobilizimin e tepricës së likuiditetit të sistemit financiar shqiptar. Sistemi financiar shqiptar është i mirëkapitalizuar dhe me tepricë likuiditeti. Projektet e partneritetit publik privat do të ishin një mundësi për të ndarë rrezikun dhe për ta pjesëtuar atë midis investitorëve privatë, të huaj apo vendas, dhe sistemit financiar. Por, kjo gjithmonë duhet të jetë sipas kritereve të financimit të projekteve, domethënë kritereve të rrezikut që bankat i respektojnë sipas standardeve ndërkombëtare. Pra, në përgjithësi do të thoja që këto projekte që parashtrojnë një potencial të madh pozitiv për investime kapitale, duhen bërë në mënyrë të studiuar, duke respektuar standardet ndërkombëtare dhe kriteret e rrezikut që industria financiare aplikon.

Pyetje: Z. Guvernator a janë ndryshimet strukturore që po ndodhin në sistemin financiar një burim shqetësimi për Bankën e Shqipërisë? Cili është komenti juaj lidhur me rekomandimet e FMN që kërkojnë vigjilencë të shtuar?

Guvernatori: Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një rekomandim i cili ka qenë i rakorduar, i dakordësuar dhe i mirëpritur nga ne. Ne bashkëpunojmë në mënyrë të vazhdueshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ata na sigurojnë konsulencë dhe normalisht jo vetëm politika monetare por edhe puna e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar është e koordinuar dhe e harmonizuar me konsulencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.

Shqipëria ka një situatë shumë stabël makroekonomike, një stabilitet financiar mjaft të qëndrueshëm deri tani, dhe parashikohet të jetë i tillë dhe në vijim. Prandaj, ky është një rekomandim krejt normal, shumë i mirëpritur, i koordinuar dhe i dakortësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nuk shikojmë asnjë shqetësim.

Natyrisht që ne duhet të rrisim kapacitetet tona mbikëqyrëse, pasi tregu, produktet dhe teknologjitë evoluojnë. Banka e Shqipërisë si të gjitha bankat e tjera qendrore ka nevojë të përsoset, të avancojë, të trajnohet dhe të konsultohet. Në këtë kontekst, ne e shikojmë mjaft pozitive rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë. Mbikëqyrja në rolin e saj mbikëqyrës dhe rregullator është një element vendimtar në të gjithë procesin e ruajtjes së stabilitetit financiar, por edhe në aspektin e ndryshimeve strukturore që ju thoni.

Në lidhje me pyetjen tuaj të parë për ndryshimet strukturore në sistemin bankar ne nuk kemi konkretisht asnjë kërkesë. Përveç Bankës Kombëtare Greke, ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar për ndryshime të tjera strukturore. Sigurisht që në rast se do të kishim kërkesë, ne do të zbatonim të gjitha kërkesat ligjore dhe rregulloret e Bankës së Shqipërisë të cilat janë të mirëndërtuara dhe parashikojnë në detaje të gjithë ndryshimet e mundshme strukturore.

Ajo që unë do të thoja dhe do të siguroja publikun është që sistemi bankar është shumë stabël, i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm si rregullator, në bashkëpunim dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të zbatuar strikt kriteret e ligjit në çdo ndryshim të ndonjë aksioneri të mundshëm për sistemin bankar.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu