BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetjet-përgjigjet e konferencës për shtyp të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani mbi Raportin e Stabilitetit Financiar 2008

Data e publikimit: 13.07.2009

 

Pyetja: Zoti Guvernator, cili mendoni se është ndikimi i zgjedhjeve në ekonominë shqiptare?

Përgjigje: Unë mendoj që tashmë ekonomia shqiptare ka një histori të gjatë me zgjedhjet dhe fushatat elektorale. Në përputhje me zhvillimet dhe eksperiencat botërore, ekonomia shqiptare ka arritur maturimin e saj dhe ka të gjitha aftësitë për absorbimin e mirë të këtyre situatave.

Pyetja: Zoti Guvernator, ka një debat ose një bindje në publik se dinamika e fushatës elektorale ka penguar deri diku ose ka frenuar përkohësisht efektet e krizës. Cili është mendimi juaj, a e ka kaluar ekonomia shqiptare më të keqen apo më e keqja duhet të vijë, si pasojë e kësaj krize?

Edhe një pyetje e dytë, ju keni qenë ndër të parët që keni artikuluar në publik nevojën e mbështetjes financiare nga organizmat ndërkombëtarë. Me zhvillimet e fundit që shihni mendoni se kjo nevojë ekziston akoma apo është bërë më e nevojshme?

Përgjigje: Përsa i përket pyetjes tuaj të parë, ajo është në linjë me deklaratën time, që do të thotë se Shqipëria dhe sistemi bankar e financiar i saj i ka të gjitha kapacitetet për të absorbuar situata të tilla. Duhet të kemi parasysh që vendimmarrja politike e Bankës së Shqipërisë ka qenë mjaft e kujdesshme, duke marrë parasysh të gjitha elementet politike, ekonomike, financiare të vendit dhe jo vetëm periudhën e fushatës elektorale, pra një periudhë 1 deri në 3 vjeçare. Vendimmarrja dhe instrumentet e përdorura kanë qenë transparente, të hapura dhe kanë pasur si qëllim kryesor furnizimin e vendit me likuiditet dhe krijimin e premisave optimale për një konkurrim në bazë të kërkesë-ofertës së agjentëve ekonomiko-financiarë të vendit. Mendoj se janë të gjitha mundësitë nga Banka e Shqipërisë, për të monitoruar me kujdes situatën deri në fund të vitit.

Përsa i përket pyetjes tuaj të dytë unë i qëndroj gjithmonë me konsistencë deklaratave të mia publike të hershme, që situata mjaft komplekse globale, situata mjaft delikate që Shqipëria po kalon si anëtare e NATO-s dhe si aplikuese për në Bashkimin Evropian, kërkojnë që të gjitha kanalet e komunikimit formal të jenë të hapura, që politikat të jenë të zgjuara dhe largpamëse dhe që komunikimi dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucione të tilla të rëndësishme si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Qendrore Evropiane, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucione të tjera të jenë të hapura dhe efektive.

Pyetje: Zoti Guvernator, a mendoni se e kemi kaluar kulmin e krizës?

Përgjigje: Siç thashë, goditja që pësoi sistemi bankar në vjeshtën e vitit 2008 mund të konsiderohet tashmë e kaluar. Për ta përmbledhur më thjesht për publikun, rikthimi i depozitave në sistem, si depozitat e bizneseve ashtu dhe ato të individëve, rikthimi i kredidhënies, rikthimi i likuiditetit, rikthimi në përgjithësi i besimit në sistemin bankar dhe financiar dhe njëkohësisht përqasja mjaft realiste e kursit të luhatshëm të këmbimit në Shqipëri, tregojnë që mundësia për një krizë financiare të sistemit bankar tashmë quhet e shkuar.

Natyrisht, në komunikimin tonë të parë në publik, në ditët e para të shfaqjes së krizës, kemi thënë se kriza do të ketë efektet e saj edhe në ekonominë reale. Ajo që ne po bëjmë sot është një hap mjaft i rëndësishëm: po i vëmë në dispozicion vendimmarrësve, tregut, medias, publikut në përgjithësi një analizë profesionale, largpamëse, konsistente dhe transparente për të kuptuar më mirë rreziqet dhe potencialin që ato kanë për t’u materializuar në të ardhmen. Për këtë qëllim, do t’i sugjeroja medias që në konkluzionet dhe mesazhet që ata i përcjellin publikut të kenë si pikë të fortë referimi dokumentacionin e Bankës së Shqipërisë. Referimi në këto analiza profesionale tregon jo vetëm kulturë dhe edukatë, por njëkohësisht tregon besim në institucionet kushtetuese të vendit dhe të tregut në përgjithësi.

Për këtë qëllim, edhe një herë do të thoja se Banka e Shqipërisë po vlerëson çdo ditë, hap pas hapi, zhvillimet në ekonominë reale dhe efektet e krizës në ekonominë reale, të cilat shprehen qartë në material.

Ajo që unë dua të bëj të qartë për publikun është që ekonomia, është përqasje e sjelljeve ekonomike të çdo individi dhe në këtë kuadër, çdo sjellje e çdo individi ka ndikimin e saj në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë. Kështu që kujdesi i gjithanshëm për ruajtjen e parametrave makroekonomikë, rritja e besimit të publikut në ekonominë dhe zhvillimin e sistemit bankar shqiptar, rikthimi i depozitave në sistem, rikthimi i likuiditetit në sistem dhe i besimit në sistemin bankar shqiptar do të përkthehej automatikisht në rritje të kreditimit, në rritje të stabilitetit makro-financiar dhe në zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Ju faleminderit të gjithëve.