BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Pyetjet dhe përgjigjet në konferencën për shtyp organizuar në kuadrin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar, Hotel Tirana International, 15 dhjetor 2005

Data e publikimit: 15.12.2005

 

1. Sektori i sigurimeve është një segment që përmban një potencial të lartë në krijimin e strukturave të reja piramidale. Gjatë vëzhgimeve të bëra nga ky program, a është parë një potencial i tillë, duke iu referuar edhe futjes në treg të shumë veprimtarëve të rinj me kapital të pamjaftueshëm për bashkësinë e shërbimeve që ato ofrojnë. Gjithashtu, duke dashur të përshëndes nismën e Bankës së Shqipërisë për t'iu nënshtruar kontrollit të këtij programi, si dhe licencimin e të gjitha institucioneve financiare jobankare nga ana e Bankës së Shqipërisë, si e gjykon Banka e Shqipërisë unifikimin e autoriteteve mbikëqyrëse të tregut?

Laura Kodres: Për sa i përket kompanive të sigurimit nuk mendojmë se ka potencialin për t'u kthyer në firma piramidale. Është e vërtetë që ato janë ende të reja dhe nuk janë në nivelin e standardeve ndërkombëtare që ne presim. Por BBdhe FMN kanë asistuar Autoritetin Mbikëqyrës të Sigurimeve për të rritur standardet e tyre të mbikëqyrjes dhe jam e lumtur t'iu njoftoj se të gjitha kompanitë e sigurimeve i kanë plotësuar kërkesat e vendosura për kapitalin. Gjithashtu, AMS është i ndërgjegjshëm se jo të gjithë klientët marrin dëmshpërblimin që ju takon sipas kontratës që kanë lidhur më kompanitë e sigurimit. Prandaj ato kanë ngritur një linjë pa pagesë në rastet kur klientët marrin dëmshpërblim. Në përgjithësi, ne do të vazhdojmë të asistojmë AMS në mënyrë që të arrihet një mbikëqyrje sa më e mirë e tregut për të parandaluar një situatë ku tregu zgjerohet, ndërkohë që problemet vazhdojnë.

Ardian Fullani: Mendoj që FSAP dhe rekomandimet e tij janë mjaft të rëndësishme për këtë segment dhe zhvillimet e tij. E rëndësishme për ne si Bankë e Shqipërisë dhe ekonominë shqiptare është rregullimi dhe rigrupimi i të gjitha autoriteteve mbikëqyrëse në një çati të vetme jashtë autoritetit të Bankës së Shqipërisë dhe kjo mendojmë se është një eksperiencë tashmë e njohur në mjaft vende të tjera, të cilat kanë pothuajse të njëjtin stad zhvillimi të sistemit bankar dhe financiar me atë të Shqipërisë, dhe mendoj që marrja e kësaj mase do të ndihmojë pa dyshim në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit bankar dhe të gjithë sistemit financiar në përgjithësi.

2. Duke pasur parasysh objektivat e programit të qeverisë 2005 -2009, në lidhje me zhvillimin e tregut të kapitaleve nëpërmjet vënies në punë të Bursës së Tiranës, si dhe duke pasur parasysh edhe raportin e FSAP të publikuar në gusht të këtij viti, si është menduar nga qeveria dhe Ministria e Financave, që është edhe pronare e Bursës së Tiranës, të realizohet ky objektiv? Cilat mendoni se janë hapat konkrete që do të ndërmerren në vënien në punë të Bursës së Tiranës?

Ridvan Bode: Ky është një realitet juridik, por duhet që ky realitet të shndërrohet në një realitet të prekshëm në fushën e ekonomisë dhe të tregut financiar, dhe kjo është e pamjaftueshme. Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë për të krijuar hapësirë Bursës së Tiranës për ta shndërruar në një aktor, por në fund të fundit tregu nuk sajohet dhe protagonizmi nuk akordohet me ligje apo me urdhra. Ne jemi për një treg konkurrues dhe të hapur ku të mbijetojnë ata që do të fitojnë, ndërsa ata që nuk fitojnë të gjejnë zgjidhje tjetër. Ne do të përpiqemi që Bursa e Tiranës të mos diskriminohet në mënyrë të qëllimshme dhe të mos mbijetojë si bursë konvencionale.

Laura Kodres: Rekomandimi i FSAP-it ishte që Bursa e Tiranës të ofrohet në një treg, domethënë të shitet (të privatizohet) dhe nëse nuk ka interes në tregun privat të mbyllet, derisa situata ekonomike të sjellë krijimin e një burse. Ajo çka është më e rëndësishme është që të ketë një treg transparent dhe likuid. Ajo që duhet të ndodhë realisht është që të ketë firma vendase për të grumbulluar kapital dhe për të emetuar aksione. Kjo nuk ka ndodhur, por duhet të ndodhë. Nëse Bursa e Tiranës nuk funksionon në këtë moment, nuk duhet parë si një hap mbrapa, por kjo tregon që vendi ka më shumë mundësi të përdorë fondet publike në një vend tjetër.

Ardian Fullani: Mendimi im është në një linjë me parafolësit, domethënë që në një ekonomi tregu nuk mund të ndërhysh me urdhra administrativë. Në një treg njëkohësisht autoritetet kanë për detyrë të shtrojnë rrugën që iniciativa private të rritet, të konsolidohet dhe të zhvillohet më tej. Bursa lind si një nevojë e dealer-ve për të tregtuar produktet në treg dhe nëse kjo nevojë do të vijë atëherë bursa është e hapur të funksionojë. Më e rëndësishme në këtë fazë është formalizimi i dokumentacionit bazë për kompanitë të cilat pretendojnë që një ditë do të tregtojnë në bursë. Është shumë e rëndësishme edhe ajo që përmendi zj. Kodres, domethënë ngritja e kapitaleve për të investuar në ekonomi, por nga ana tjetër është besueshmëria e këtyre kompanive dhe e dokumentacionit të tyre bazë për të ngritur këto kapitale. Kështu që unë do t'i bëja një apel gjithë sektorit privat, të interesuar për të marrë pjesë në zhvillimin e sektorit financiar dhe të tregut të kapitaleve që të bëjnë ç'është e mundur dhe të gjitha përpjekjet e tyre për formalizimin e dokumenteve bazë, përfaqësues në sistemin bankar dhe financiar.

3. A nuk e shihni mosrritjen e Bursës së Tiranës si një provë të qartë të ekonomisë së zezë që zhvillohet në Shqipëri, duke pasur parasysh edhe faktin që kompanitë duhet të kenë një dokumentacion shumë të saktë. Çfarë mund të na thoni për ekonominë e zezë në Shqipëri?

Ridvan Bode: Sigurisht që gjërat janë më komplekse dhe nuk mund të shikohen nga një këndvështrim, një pjesë e problemeve ka të bëjë edhe me tregun e kapitaleve në Shqipëri dhe Bursa e Tiranës si institucion i licencuar deri më sot gjen shpjegimin te mënyra se si funksionon ekonomia shqiptare, ku shkalla e informalitetit është tepër e përhapur dhe nevoja për të kuotuar kapitalet në një bursë do të ndihet gjithnjë e më shumë kur të gjithë aktorët ekonomikë t'i kenë legalizuar kapitalet e tyre. Ne jemi duke marrë masa që për vitin 2006 ky evazion i lartë fiskal të pakësohet dhe kjo ekonomi informale të vihet nën kontroll dhe nën veprimin e ligjit. Gjithë programi dhe paketa fiskale që është duke u miratuar në Kuvend ka në qendër të vëmendjes këtë fakt, dhe unë mendoj që në perspektivë sfida kryesore e politikës fiskale dhe e nismave të institucioneve duhet të konsistojë, dhe do të konsistojë në formalizmin e ekonomisë dhe pakësimin e pjesëve informale të saj. Kjo ka të bëjë edhe me vënien në funksion të Bursës së Tiranës, por institucione të tjera kanë dëshmuar më shumë vitalitet në këtë periudhë për të qenë prezente në treg, prandaj unë në vetvete mendoj që shteti është një aktor i keq.

Laura Kodres: Nuk ka shenjë barazie midis mospërdorimit të Bursës dhe tregut informal. Mendojmë se arsyeja pse nuk përdoret bursa është natyra e zhvillimit të bizneseve të vogla. Gati 90 për qind e bizneseve janë mesatarisht me 5 punëtorë, prandaj këto firma nuk kanë nevojë për të emetuar aksione për të krijuar kapital. Prandaj themi se duhet kohë që këto ndërmarrje të rriten dhe të vijnë në atë pikë që të krijojnë kapital për të emetuar aksione.

Ardian Fullani: Ajo që është më e rëndësishme, dhe që është gur themelor i FSAP-it është sigurimi i riorganizimit, ristrukturimit dhe konsolidimit të sistemit financiar në Shqipëri për të arritur atë që ne e quajmë sot rritje të qëndrueshme. Duhet të kemi parasysh një gjë që krijimi i kësaj infrastrukture financiare është mjaft e rëndësishme në kushtet e Shqipërisë, e si dhe në kushtet e krijimit të këtyre institucioneve të besimit që të jenë vërtet institucione besimi, të cilat mbartin me vete detyrime të mëdha ndaj popullatës. E kam thënë që Shqipëria në këtë kohë është e brishtë. FSAP vetë bën të mundur krijimin e kësaj infrastrukture, që na bën të mbrojtur nga rreziqet financiare dhe na mundëson një pasaportë financiare për të hyrë lirisht në Bashkimin Evropian. Edhe bursa dhe tregu kapital duhen parë në këtë aspekt. Krijimi i institucioneve të qëndrueshme do t'i vlejë në perspektivë një rritjeje të qëndrueshme. Shqipëria nuk ka më shpatulla në përballimin e krizave potenciale, Shqipëria duhet të ecë me një rritje të qëndrueshme, për të krijuar institucione sa më të qëndrueshme dhe bashkëkohore, në një linjë me standardet evropiane.