BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në Forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të organizuar nga ”Euromoney”

Data e publikimit: 15.01.2020

 

Në datat 14-15 janar 2020, në Vjenë (Austri), mbajti punimet Forumi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i "Euromoney" që mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, figura të njohura të fushës politike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së.

DSC 3358 498

Forumi dyditor ishte konceptuar në formën e paneleve me tema specifike, ku të pranishmit ishin të ftuar të diskutonin mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë.

Në ditën e parë të forumit Guvernatori ishte i ftuar të mbante një prezantim në tryezën kushtuar Shqipërisë, ku folës ishin edhe zj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, z. Pandeli Majko,  Ministër i Shtetit për Diasporën etj. Tema e kësaj tryeze ishte potenciali i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare dhe hapat drejt integrimit në ekonominë botërore.

DSC 3071 - Copy 300x200

DSC 3081 - Copy

 

Gjatë prezantimit të tij, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka vazhduar trendin pozitiv, sistemi i saj financiar është i qëndrueshëm dhe perspektivat e rritjes janë pozitive. Shqipëria është në hapat e parë drejt “internacionalizimit” dhe ka mjaft potencial për t’u shfrytëzuar; prandaj shqiptarët brenda kufijve, por dhe diaspora shqiptare duhet të japin mbështetjen për ta arritur këtë sukses në të ardhmen.

Guvernatori shtoi se për të siguruar një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme afatgjatë, Shqipëria duhet të rrisë më tej konkurrueshmërinë e saj dhe t’i zgjerojë tregjet përtej kufijve, duke përfshirë: lëvizjen ndërkufitare të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit; lëvizjet e rrjedhshme të kapitalit njerëzor etj. Zgjerimi dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare paraqet një sfidë por njëkohësisht një mundësi për vendin tonë.

DSC 3425 - Copy

DSC 3446 - Copy

Ditën e dytë të forumit, me rëndësi të veçantë ishte paneli i guvernatorëve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore kushtuar politikës monetare. Paneli përbëhej nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, Guvernatorja e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Moldavisë, z. Octavian Armasu, dhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë, z. Koba Gvenetadze.

Çështjet kryesore mbi të cilat zhvilloi diskutimet paneli i guvernatorëve ishin qëndrimi, transmetimi dhe efektiviteti i politikës monetare, reduktimi i përdorimit të parasë cash, likuiditeti, rezerva valutore dhe politikat e ndërhyrjes nëpërmjet saj.

DSC 2979 - Copy 498

 

Guvernatori Sejko u shpreh se politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka rezultuar e përshtatshme në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Ai shtoi se stimuli monetar i ka mundësuar Shqipërisë një ambient financiar me norma të ulëta e të qëndrueshme interesi, me likuiditet të bollshëm dhe me luhatje të moderuara të kursit të këmbimit, duke nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private, ka reduktuar çmimin e kredisë, si dhe ka lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit për të gjitha segmentet e ekonomisë.

Guvernatori u shpreh se kjo politikë ka rezultuar e suksesshme, së pari në shmangien e recesionit në periudhën e krizës dhe më tej, në fillimin e rimëkëmbjes së kërkesës agregate dhe ngritjen e ekonomisë drejt ekuilibrit.

DSC 3614 - Copy 498

Një tjetër çështje e trajtuar në këtë panel ishte reduktimi i përdorimit të parasë cash në ekonomi. Ky reduktim synon të përmirësojë efektivitetin e politikës monetare nëpërmjet dy kanaleve: lehtësimin e mekanizmit të transmetimit, si dhe  krijimin e një hapësire të mëtejshme ​​për manovrim në mjedise me inflacion të ulët.

Guvernatori Sejko u shpreh se për vende si Shqipëria - në të cilat përdorimi i parasë cash përbën pjesën më të madhe të pagesave - mbetet e rëndësishme që institucionet të ndërmarrin politika dhe strategji, që stimulojnë publikun në përdorimin e mundësive të pagesave elektronike.

Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon të ndryshojë sjelljen e publikut ndaj pagesave, adopton direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian dhe i hap rrugë zhvillimit të produkteve të reja të pagesave.

Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe takime dypalëshe me personalitete të njohura ndërkombëtare, me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare. Synimi i këtyre takimeve ishte prezantimi i sektorëve të ekonomisë shqiptare dhe diskutimi mbi mundësitë e tërheqjes së investimeve të huaja në vend.