BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit Sejko në ligjëratën për librin “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”

Data e publikimit: 15.05.2019

 

Në datën 14 maj 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në ligjëratën e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, për librin “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne”, të autorëve Prof. Dr. Aristotel Pano dhe Akad. Prof. Dr. Anastas Angjeli. Kjo ligjëratë zhvillohej me rastin e  nominimit të këtij libri për çmimin "Petrit Radovicka" nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

DSC 9197 498

Akademia e Shkencave akordon çdo vit disa çmime shkencore kombëtare, një prej të cilëve është dhe çmimi “Petrit Radovicka”, i cili jepet për botime, projekte dhe arritje të shquara akademike-universitare që u takojnë fushave kërkimore përparësore të shkencave natyrore-teknike. Këtë vit, për këtë çmim janë nominuar dy botime: libri “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne” dhe libri “Atlas i Florës së Shqipërisë”, me autor Akad. Jani Vangjeli.

Libri “Paraja, bankat dhe shoqëria. Bashkudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne” është një përshkrim dhe analizë kronologjike e sistemeve monetare që kanë sunduar dhe kanë administruar jetën ekonomike e financiare botërore, si dhe në vende apo territore shqiptare. I mbushur me fakte dhe histori interesante dhe i ilustruar me imazhe të zgjedhura me kujdes, ai është një burim ndriçues informacioni mbi rolin vendimtar që kanë luajtur sistemet e ndryshme monetare në historinë e Kontinentit Evropian dhe rrjedhimisht edhe në atë të vendit tonë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, në cilësinë e kontribuuesit në parathënien e këtij libri,  Guvernatori Sejko vlerësoi nominimin për këtë çmim si një tregues të rëndësisë që mbart ky libër në fushën e historisë monetare e bankare. Në këtë kuadër, libri sjell një kontribut të çmuar për të gjithë lexuesit, të cilët njihen me një analizë të plotë të sistemeve monetare e financiare, të përshkruar në formën e një udhëtimi historik që nga lashtësia e deri në ditët tona.

DSC 9288 498

Më tej, Guvernatori theksoi se trinomi “para – bankë – shoqëri” ngjall interes dhe kuriozitet të përhershëm, si faktorë të rëndësishëm në të gjitha aspektet e zhvillimeve globale përgjatë gjithë sistemeve shoqërore.  

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori shprehu vlerësimet e tij për dy profesorët e nderuar, të cilët me vullnetin dhe punën kërkimore të palodhur i kanë sjellë publikut shqiptar një vepër që i mungonte.