BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në takimin e Komitetit Rajonal për Evropën të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave

Data e publikimit: 04.04.2019

 

Në datën 04.04.2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e Komitetit Rajonal për Evropën të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, i cili u organizua nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI), në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

DSC 6012 - Copy 498

Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Organizata Ndërkombëtare e Siguruesve të Depozitave, si dhe sigurues nga vende të ndryshme të rajonit. Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin që luan Komiteti Rajonal për Evropën në lidhje me objektivat strategjikë të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, si dhe mbi gjetjen e alternativave të reja të financimit.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur në këtë takim, Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në zhvillimin e një sistemi bankar të qëndrueshëm dhe të sigurt. Banka e Shqipërisë është jo vetëm autoriteti mbikëqyrës i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, por ka dhënë ndihmesën e saj në ngritjen e kësaj agjencie, me qëllim rritjen e besimit të publikut në sistemin bankar. Më tej, Guvernatori Sejko duke iu referuar zhvillimeve financiare botërore, theksoi rolin e rëndësishëm të siguruesve të depozitave në parandalimin dhe administrimin e krizave financiare. Një skemë e mirëndërtuar e garantimit të depozitave ndikon në zbutjen e efekteve negative të krizës financiare, çka u vërtetua dhe në krizën e fundit financiare globale.

foto grupi asd - Copy 498

Një ndër objektivat e Bankës Qendrore është ruajtja dhe garantimi i stabilitetit financiar. Përmbushja e një objektivi të tillë mund të arrihet nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti të mirëkoordinuar të sigurisë financiare, i cili nga ana tjetër duhet të mbështetet nga një kuadër ligjor i qëndrueshëm. Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko veçoi se ligji i ri “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme”, përcakton Bankën e Shqipërisë si autoritet i ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duke i vendosur në dispozicion mjetet dhe instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në një bankë që gjendet në vështirësi, por pa ndikuar në stabilitetin financiar. Ligji gjithashtu ngarkon Agjencinë e Sigurimit të Depozitave me përgjegjësinë për administrimin e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Në këtë kontekst, Guvernatori Sejko u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe aktorëve të tjerë përgjegjës është çelësi i funksionimit të të gjitha masave ligjore të ndërmarra në këtë drejtim.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, theksoi rolin thelbësor që ka marrë ndërhyrja e jashtëzakonshme në ruajtjen e stabilitetit financiar, si një ndër shtyllat kryesore të arritjes së sigurisë financiare në vend. Përmes hartimit të planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, krijimit të burimeve të reja të financimit për menaxhimin e krizave financiare, si dhe identifikimit të të gjitha elementeve të nevojshme të gatishmërisë për zbutjen e tyre, Banka e Shqipërisë po hedh hapa të rëndësishëm drejt mbështjetjes së një sistemi financiar të shëndetshëm dhe të sigurt. 

Agjencia e Sigurimit të Depozitave është institucion publik i krijuar në vitin 2002, i cili funksionon në bazë të ligjit nr. 53/2014, datë 22.05.2014 “Për sigurimin e depozitave”, me mandat administrimin e skemës së sigurimit të depozitave në Republikën e Shqipërisë. Objektivi kryesor i skemës së sigurimit të depozitave është kompensimi i depozitave të depozituesve, në masën 100%, por në çdo rast deri në 2.500.000 lekë për depozituesit në sistemin bankar dhe deri në 2.000.000 lekë për depozituesit në shoqëritë e kursim-kreditit.