BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Zëvendësguvernatores së Dytë, zj. Ahmetaj, në konferencën “Balancimi i mundësive dhe rreziqeve FinTech – zbatimi i Axhendës së Balit”

Data e publikimit: 29.01.2019

 

Në datë 28-29 janar 2019, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, mori pjesë në konferencën me temë: “Balancimi i mundësive dhe rreziqeve Fintech -zbatimi i Axhendës së Balit”, në Vjenë, Austri.

Në qendër të diskutimeve të kësaj konference ishte Axhenda e Balit mbi teknologjitë financiare, të njohura sot në botën financiare me termin Fintech. Kjo axhendë u prezantua në mbledhjet e vjeshtës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Bali, në tetor 2018, për të promovuar inovacionin teknologjik në sektorin e shërbimeve financiare.

IMG 0414 - Copy-2 498

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë të sektorit publik dhe privat nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazi dhe Azia Qendrore. Konferenca ishte e konceptuar në formën e sesioneve, ku me rëndësi të veçantë ishte sesioni me temë: “Përfshirja financiare, zhvillimi dhe rritja gjithëpërfshirëse”, në të cilin bënte pjesë dhe Shqipëria.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u shpreh se Axhenda e Balit formon një matricë objektivash për t’u përmbushur dhe një udhëzues për rritjen e potencialit të ekonomisë së vendeve tona dhe si e tillë, ajo duhet zbatuar kombëtarisht. Por natyrisht, çdo standard duhet të përshtatet, duke reflektuar prioritetet e secilit vend, në mënyrë që zbatimi të jetë efektiv.

Në këtë kuadër, Zëvendësguvernatorja u përqendrua në rastin e Shqipërisë, ku formalizmi i remitancave dhe përfshirja financiare përbëjnë dy elemente që kërkojnë vëmendje të veçantë për përmirësim të mëtejshëm. Për të dyja këto elemente, ajo parashtroi gjithë iniciativat dhe hapat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike.

Në përfundim të fjalës së saj, zj. Ahmetaj theksoi se Banka e Shqipërisë është ndër bankat qendrore pioniere në rajon për përfshirjen konkrete në edukimin financiar të publikut. Ajo ka tashmë prej vitesh një axhendë të plotë vjetore në këtë funksion, duke qenë e ndërgjegjshme se vitet e fundit ka një zhvendosje të theksit, nga një edukim tradicional mbi ekonominë, në njohuritë mbi financat. Kjo sepse sofistikimi i produkteve dhe shërbimeve financiare, si dhe përfshirja gjithnjë e më shumë e Fintech në këtë industri, e bën më emergjente këtë nevojë.

Në fund, ajo nënvizoi se nëse përfshirja financiare vjen duke u përmirësuar, do të thotë se publiku po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e sistemit financiar, po përdor produktet e tij, duke dhënë kështu kontributin e tij për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar.