BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me delegacionin e Bankës Botërore

Data e publikimit: 08.04.2019

 

Në datën 8 prill 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga zj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. Takimi u zhvillua në kuadër të projekteve të instrumentit të Bankës Botërore “Kredia për Politikën e Zhvillimit (Development Policy Loan)”, i cili po mbështet Bankën e Shqipërisë për hartimin e ligjit të shërbimeve të pagesave dhe zhvillimin e  aspekteve rregullative për zgjidhjen e kredive me probleme jashtë gjyqësorit.

DSC 7027 - 498

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar kontributin që jep Banka e Shqipërisë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

Duke u ndalur në sistemin bankar, Guvernatori Sejko nënvizoi se ky sistem është në një fazë të rëndësishme konsolidimi, e cila pritet të kontribuojë në rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. Aktualisht, sistemi bankar karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie, të cilat mundësojnë premisa pozitive për rritjen e kreditimit në vend.

Plani ndërinstitucional i veprimit për reduktimin e kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka dhënë efektet e tij pozitive dhe të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme, deri në fund të vitit 2018, zbriti në 11.1%. Në këtë fushë, një nga çështjet e diskutuara ka qenë dhe zhvillimi i kuadrit rregullativ mbështetës për zgjidhjen jashtëgjyqësore të kredimarrësve me probleme në disa banka.

Në vijim, Guvernatori njohu delegacionin edhe me punën e realizuar nga Banka e Shqipërisë për hartimin e projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili synon të përafrojë një direktivë të rëndësishme evropiane në fushën e pagesave. Ky projektligj, i cili do të kalojë për miratim së shpejti, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre.

Në përfundim të këtij takimi, zj. Maryam Salim përgëzoi Guvernatorin Sejko dhe Bankën e Shqipërisë për angazhimin e shprehur gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta, të cilat kanë rezultuar mjaft të suksesshme.

Nga ana e tij, Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për asistencën teknike ofruar Bankës së Shqipërisë kryesisht në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe sistemeve të pagesave. Ai u shpreh optimist për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në të ardhmen.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe Përfaqësuesja e Përhershme Salim diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat do të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.