BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit Sejko me delegacionin e Bankës Botërore

Data e publikimit: 08.10.2019

 

Në datën 8 tetor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga zj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri dhe z. Mario Guadamillas, Menaxher pranë Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin. Takimi u zhvillua në kuadër të projekteve të përbashkëta që Banka e Shqipërisë po zhvillon me Bankën Botërore si pjesë e instrumentit “Kredia për Politikën e Zhvillimit (Development Policy Loan)”.

 

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar kontributin që jep Banka e Shqipërisë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit. Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të favorshme në ekonomi dhe stimujt e nevojshëm në tregjet financiare. Aktualisht, tregjet karakterizohen nga norma të ulëta interesi, situatë e mirë likuiditeti, qëndrueshmëri në rritje e kursit të këmbimit, dhe një trend rritës kreditimi.

DSC 4574 498

Në veçanti, kredia për sektorin privat ka vijuar të përshpejtojë ritmin e rritjes, duke shënuar një normë mesatare rritjeje prej 7.4% në dy muajt e parë të tremujorit të tretë. Trendi pozitiv i kreditimit ka përfituar nga rritja e kërkesës dhe e ofertës për kredi. Përmirësimi i ofertës dëshmon rrezikun në rënie të kreditimit në vend, sikundër ilustrohet nga rënia në 11% e nivelit të kredive me probleme në muajin gusht.

DSC 4589 498

 

Pjesë e diskutimit gjatë këtij takimi ishte dhe zhvillimi i teknologjive financiare, të njohura sot në botën financiare me termin “Fintech”. Zhvillimi i tyre përbën një potencial të madh për vendin që duhet shfrytëzuar, por gjithmonë duke ndjekur një zbatim efektiv që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar. Kjo gjë duhet të shoqërohet dhe me rritjen e edukimit dhe përfshirjes financiare, si komponentë të rëndësishëm për sigurimin e një aksesi më të gjerë në shërbimet financiare dhe rrjedhimisht në potencialin kreditues.

DSC 4579 498

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore përgëzuan Guvernatorin Sejko dhe Bankën e Shqipërisë për suksesin e arritur gjatë zbatimit të projekteve të përbashkëta, për të cilat Banka e Shqipërisë ka treguar angazhimin maksimal. Ata u ndalën te përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të zbutur hendekun midis ofertës dhe kërkesës për kredi, si një mundësi për të rritur potencialin e kreditimit në vend. Një shtysë të re në këtë drejtim pritet të japë edhe zbatimi i rregullores së re për trajtimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve të përbashkët në disa banka, në vështirësi financiare, e ashtuquajtur “Tirana Approach”.

DSC 4589 498

Një vend të veçantë gjatë diskutimeve zuri dhe aksioni më i ri që  Banka e Shqipërisë ka hartuar në bashkëpunim me bankat tregtare dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për vënien në jetë të një plani masash me fokus kreditimin. Më konkretisht, ky aksion synon përmirësimin sasior e cilësor të kreditimit dhe zgjerimin e gamës së produkteve financiare. Përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin dhe zbatimin e mëtejshëm të këtij plani.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat do të fokusohen në çështje të lidhura me edukimin financiar, shërbimet e pagesave, nxitjen e mëtejshme të kreditimit dhe atë të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.  

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, sot u zhvillua edhe një workshop i përbashkët i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore me temë “The role of the financial sector as catalyst for economic growth”, nën drejtimin e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj dhe pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të institucioneve qeveritare dhe aktorëve kryesorë të sistemit financiar.

DSC 4433 498