BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me analistët

Data e publikimit: 22.12.2008

 

Në datë 22 dhjetor 2008, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me rastin e mbylljes së vitit, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur të shtypit të shkruar dhe medias elektronike. Ky takim u organizua në vijim të dialogut intensiv dhe të vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë ndërton dhe zhvillon me tregun financiar dhe grupe të ndryshme interesi, ndër të cilët një vend kryesor zë dhe media.

Guvernatori në fjalën e tij ka bërë një ekspoze të zhvillimeve ekonomike të ndodhura gjatë këtij viti dhe punës së bërë nga Banka e Shqipërisë në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe të qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka falenderuar të pranishmit për qëndrimet, analizat dhe vlerësimet e deritashme në shtyp. Ai shprehu besimin e tij se edhe në të ardhmen analiza dhe komentet e opinionistëve do të vazhdojnë të jenë objektive dhe realiste. Media nëpërmjet mesazheve të saj ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të besimit publik mbi infrastrukturën dhe institucionet financiare të vendit – u shpreh Guvernatori Fullani në fjalën e tij.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu evidentoi disa prej projekteve madhore, ku Banka e Shqipërisë u përfshi në mënyrë intensive gjatë vitit 2008, disa prej të cilave do të materializohen përfundimisht në vitet në vijim. Më konkretisht, bëhet fjalë për:

  • emetimin në ditët që vijnë të kartëmonedhës së re me vlerë nominale 2000 Lekë;
  • përfundimin e projektit për rikonstruksionin e godinës ekzistuese të Bankës së Shqipërisë dhe ndërtimin e pjesës së re të saj;
  • ndërtimin e qendrës së re të përpunimit të parasë në zonën periferike të qytetit të Tiranës; si dhe
  • përfundimin shumë shpejt të rikonstruksionit të qendrës së trainimit të Bankës së Shqipërisë në zonën karakteristike të qytetit të Beratit.

Kartëmonedha e re 2000 Lekë do të hidhet në qarkullim së shpejti dhe do të përmirësojë strukturën aktuale të serisë së kartëmonedhave që janë në qarkullim, duke plotësuar boshllëkun aktual midis prerjes 1000 Lekë dhe asaj 5000 Lekë. Kartëmonedha e re, përputh më së miri strukturën aktuale të kartëmonedhave në Shqipëri me strukturën e Eurozonës, ndërkohë që ajo merr në konsideratë edhe diferencat në të ardhurat mes dy ekonomive.

Nga ana tjetër, të gjitha projektet e tjera infrastrukturore janë pjesë e një pakete vendimesh të Këshillit Mbikëqyrës, për të rritur standardet në administrimin e institucionit si dhe për të përmirësuar kushtet e punës në Bankën e Shqipërisë. Në vitin 2009 do të fillojë zbatimi i projektit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e godinës ekzistuese dhe asaj të re të Bankës së Shqipërisë. Për herë të parë, mundësohet krijimi i një qendre moderne trainimi, në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë. E gjithë arkitektura e saj është në harmoni me pjesën tradicionale të qytetit të Beratit, duke sjellë një pasurim të konsiderueshëm në këtë drejtim.

Në përfundim të këtij takimi, Guvernatori Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, për vitin 2008. Komisioni i vlerësimit në Bankën e Shqipërisë, pasi shqyrtoi aplikimet e shumta të ardhura nga studentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, në universitetet më të njohura shqiptare dhe evropiane, ka vendosur të akordojë çmimet e mëposhtme:

  • Çmimi i parë: Vasil Zaho, student në Universitetin “Middlesex Business School”, me temën “Efikasiteti  dhe rritja e produktivitetit të bankave shqiptare nga 1996-2006”.
  • Çmimi i dytë: Arens Arbana, student në Universitetin La Sapienza, Romë, me temën e masterit “Indeksi i Çmimit të Konsumatorit: Analizë e serisë historike në Shqipëri”.
  • Çmimi i tretë: Leon Petani, student në Universitetin Dokuz Eylul në Turqi, me temën e masterit “Hyrja e bankave të huaja në sistemin bankar të vendeve në tranzicion: Rasti i Shqipërisë”.

2008

Dhënia e këtij çmimi, e cila tashmë përbën një traditë të përvitshme të Bankës së Shqipërisë, synon të nxisë studentët që të ndërmarrin studime të thelluara në fushën e bankingut qendror dhe të ekonomisë në përgjithësi, duke shërbyer edhe si një mundësi e mirë për Bankën e Shqipërisë për të thithur burime njerëzore të kualifikuara.

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu