BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, me përfaqësuesit e kompanive eksportuese dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave

Data e publikimit: 23.02.2009

 

Në kuadër të ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm partneriteti midis komunitetit bankar dhe atij të biznesit, sot në datën 23 shkurt 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanive eksportuese dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Fullani fillimisht ka diskutuar me të pranishmit rreth zhvillimeve më të fundit në ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Zhvillimet makroekonomike të viteve të fundit dhe tendencat e përgjithshme të shfaqura në tregues të nivelit të jetesës, tregojnë se ekonomia shqiptare arriti të dilte nga faza e tranzicionit për të hyrë në grupin e vendeve në zhvillim. Megjithatë, aktualisht ekonomia shqiptare po ndikohet nga zhvillimet e raundit të dytë që kanë prekur ekonomitë e zhvilluara të botës.

2009_02_23 guvernatori fullani, me përfaqësuesit e kompanive eksportuese dhe shoqatës shqiptare të bankave

Në praninë e përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori Fullani ka kërkuar më shumë mbështetje për industrinë eksportuese, e cila ka dhënë një kontribut konkret në rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. “...Vlerësojeni më me kujdes rolin dhe potencialet e këtij biznesi, qëndrojini afër me këshilla dhe konsulencë financiare, rishikoni politikat tuaja të vendosjes së komisioneve për këtë biznes dhe jepini përparësi financimit më të madh të tij”, - ka apeluar Guvernatori.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjithashtu evidentoi domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit midis Bankës së Shqipërisë dhe vetë bizneseve. Për këtë qëllim, ai i bën apel komunitetit të biznesit që të bashkëpunojë me Bankën e Shqipërisë, për të ofruar informacion të vlefshëm në lidhje me aktivitetin e tyre ekonomik dhe pritshmërinë e tyre në të ardhmen. Analizat dhe studimet që përpilohen mbi bazën e këtij informacioni, siç janë vrojtimet e biznesit, janë të vlefshme jo vetëm për Bankën e Shqipërisë në procesin e saj të vendimmarrjes së politikës monetare, por njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë bizneset për hartimin e planeve të tyre.

Shoqata Shqiptare e Bankave në emër të sistemit bankar shprehu predispozitën e këtij të fundit, për të krijuar mundësitë e nevojshme për një mbështetje më të madhë për ketë sektor strategjik.